E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krishtlindjet anembanë Shqipërisë



Festa më e madhe e Krishtërimit kremtohet në të gjitha qytetet shqiptare

Gjirokastër

Besimtarët ortodoksë gjirokastritë kanë festuar në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme lindjen e Jezu Krishtit. At Theodhori Nikolla, udhëheqësi i meshës në Kishën e Shën Mëhillit, lexoi mesazhin e urimit të Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse-Autoqefale, Hirësisë së Tij, Anastas Janullatos. Gjithashtu, edhe në rrethet e Përmetit, Tepelenës, Sarandës, Delvinës, besimtarët ortodoksë festuan Ringjalljen e Krishtit.

Elbasan

Disa qindra besimtarë të krishterë elbasanas kremtuan lindjen e birit të Perëndisë, Jezu Krishtit. Besimtarë të shumtë të fesë katolike, mbas orës 12:00 kanë mbushur plot kishën “Shën Piu X” për të marrë pjesë në meshën e drejtuar nga famullitari i kishës, Emilio Valente. Mesazhe për më shumë paqe, shpresë dhe dashuri vëllazërore janë mbajtur edhe në kishën ortodokse “Shën Maria” brenda kalasë së qytetit të Elbasanit, ku famullitari At Nikolla Marku dhe qindra besimtarë ortodoksë, me qirinj në duar, janë lutur dhe kanë falënderuar Zotin për lindjen e birit të tij, Jezu Krishtin.

Korçë

Besimtarët ortodoksë të qytetit të Korçës kremtuan edhe këtë fundviti festën e Krishtlindjes, me ceremoni, urime dhe vizita të shumta në familjet e njëri-tjetrit. Atmosfera festive e datës 25 dhjetor, që për besimtarët ortodoksë simbolizon lindjen e Krishtit, që është ndier gjatë këtyre ditëve, u gjallërua edhe më shumë mbrëmjen e djeshme në sheshin para katedrales "Ngjallja e Krishtit" ku kryhen edhe ceremonitë fetare. Banorë të qytetit të Korçës, dhe jo vetëm të besimit ortodoks, dolën në sheshin para kësaj katedraleje për të festuar mes zbukurimeve më drita dhe hedhjes së fishekzjarreve, e ndërkaq duke shkëmbyer urimet e para midis tyre. Ardhja e mijëra emigrantëve nga Greqia edhe këtë fundviti u ka dhënë më tepër entuziazëm festave të fundvitit, të cilat nisin me Krishtlindjen.

Vlorë

Besimtarët e krishterë në qytetin e Vlorës kremtuan dje festën e Krishtlindjeve. Qindra besimtarë të krishterë, por edhe të besimeve të tjera, morën pjesë në meshat e organizuara gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit, në kishën katolike të këtij qyteti dhe në kishën ortodokse të Shën Theodhorit. Në kishën ortodokse të Shën Theodhorit, mesha u drejtua nga at Konstandin Prifti, i cili, duke folur për këtë ditë të shenjtë, e veçoi atë si momentin kur shfaqen vlerat më të mira njerëzore, kur përkushtimi ndaj Zotit është më i fortë, kur mirësia mes njerëzve është më e prekshme. Ai tha se në këtë ditë, solidariteti mes njerëzve është më i dukshëm dhe jeta merr përmasa të tjera.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›