E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shllaku, pse ka heshtur!

Poeti nga Shkodra, Primo Shllaku, përmbledh në antologjinë “Lule nate” 100 poezi të pabotuara ndonjëherë, të shkruara prej viteve ‘70 deri në fillimvitet ‘90. Rreth 25 vjet që dëshmojnë ekzistencën e një realiteti të brendshëm shpirtëror në jetën e intelektualit, që ka jetuar nën ankth, frikë, ndrydhje, mungesë lirie etj. Filozofia e heshtjes në një rrugë të pashkelur të përjetimeve poetike, por edhe si filozofi e poetit. Heshtja si akt social apo artistik?! Dilemat që marrin shkëndija shpërthyese sa herë Shllaku takon shpirtin me realitetin e jetuar në diktaturë, kohë kur shkruante tinëz poezitë

Është gati e pabesueshme se si një poet të mund të mbajë të gjallë brenda vetes, a fshehur diku, me një heshtje të gjatë, gjithë jetën e poezive. Dhe tundimi të mos e ketë çuar asnjëherë në një risk të padiskutueshëm siç ishte diktatura. Ky është rasti i poetit nga Shkodra, Primo Shllaku. Duket sikur ky vend e ka në traditën heshtjen, në mos në të kundërtën t’i mohojnë, të detyrohen të heshtin.

Në Shkodër, një vend që gjuha është melos, që poetët nuk janë thjesht shkronjës të vargjeve të bukura, por të një ndjeshmërie të fortë, gati në sakrificë edhe për një çështje më të rëndësishme se vetja, siç është kombi,- padyshim ka truall të hershëm, ku thembrat e brezave vendosen të sigurt drejt poetikës.

Primo Shllaku është pjesë e kësaj rruge që na bën të kthejmë kokën pas për ta bërë këtë lexim historik. Në mos nuk do të kishte pasur aq guxim sa sot ne, të mësojmë prej një antologjie poetike - lakun që ndan heshtjen nga rebelizmi, si gjeste të brendshme të një procesi shpirtëror.

“Lule nate”, botimet “Princi”, është antologjia që përfshin rreth 100 poezi të shkruar në gati 25 vjet. Të gjitha botohen për herë të parë. Shllaku hyn në atë brez që lindi në ‘50-n dhe rininë e pati në vitet ‘70. Është i theksuar ky fakt, kur dihet përkimi historik të lindjes së lëvizjeve të fuqishme kulturore, kur artet në Evropë patën kulmin e eksperimentit dhe liberalizmit. Datimi kur njihemi me poezinë e parë të Primo Shllakut duket se u takon viteve ‘67 –‘68, duke e kuptuar kreshendon e tij shpirtërore deri në fillim të viteve ’90-’91, që nis me “nuhatjen” e poetit drejt një izolimi, mbylljeje në “guaskë”, si hedhje në fund të detit, që shoqërohet me një simbolikë mjaft lirike në vargjet “... po shkoj me fjet, shpirti im...”, duke na e mbyllur këtë cikël me vargje dëshmuese të forta nga gjithë ky hark kohor në zbrazjen “A duhej patjetër me vdekë”, poezi asgjësuese për çfarë frytesh mori nga heshtja, izolimi, si një lloj fataliteti që i ndodhi shkrimtarit, jo vetëm në veçanti.

Poeti kërkon të na vendosë në lidhje organike me gjithë kohën e tij, si një lloj “justifikimi” për t’iu larguar personalitetit të dyfishtë, për të cilën shqetësohet jo pak Shllaku në qëndresën shpirtërore, si një pinjoll puritan.

Sinqeriteti është i hapur, për të na zbuluar gjithë pasojën e shoqërisë, çfarë ngjau në këtë brez që u lind dhe u rrit, në kohën e diktaturës. Primo Shllaku mund të thuhet është ndër të paktët zëra që me këtë botim, siç na thuhet nga vetë autori që përfshin poezi të pabotuara ndonjëherë, bën shpëlarjen e trurit të gjithkujt.

Këto jo vetëm nga konteksti poetik, që sinjifikohet koha kur u shkruan, por për shënimet shoqëruese të poezive, duke na tërhequr vëmendjen drejt një procesi shpirtëror që ndodh kur shkruan një poezi.

Në pamje të parë këto shënime duken jo aq të rëndësishme, sa mund të krijojë përshtypjen se poeti kërkon të sqarojë poezitë. Me një distancë nga ky vulgaritet, Shllaku në fund kuptohet mirë pse u jep aq rëndësi shënimeve, sikur nuk i del poezia. Ndjehet i pangopur nga gjithë ajo distancë heshtje që e ka shoqëruar poezinë nga koha kur është shkruar. Përfytyrimi nuk është me tendencë denoncuese, por nga Shllaku kuptojmë një proces të natyrshëm të një patologjie kolektive, një rast politik që nuk i vuri shenjën e barazimit vetëm intelektualëve me modelin soc-realist, por i rrafshoi gjithë njerëzit, duke injektuar vetëm injorancën. Në mënyrë të vetishme duket pothuaj në të gjithë poezitë se Shllaku nuk e pranon këtë lloj “kompromisi”, por as nuk devijon për hir të një mbijetese. Ajo që ka shqetësuar gjithnjë këtë brez është arsyeja shpirtërore, ndjeshmëria për të përjetuar me gjak dhe shqisë. Denoncimi shpirtëror asnjëherë nuk ka ndodhur, kryesorja që ishte ndrydhur. “Koha e të eksiztuemit” është vetëm koha efektive për poetin. Duke u mbajtur pas kësaj kohe, Shllaku vazhdimisht shpërthen dhe ka shkëndija të dukshme të një vrulli shpirtëror, energji që përplaset, por e shoqëruar me sforcimin për t’iu ruajtur asgjësimit.

Frika, apatia, vdekja, trauma, terrori, ndrydhja, heshtja, mosbesimi, pa ndonjë rëndese psikologjike ndihen të gjitha si metafizikë, që ndodh, por dhe ngjajnë absurde. Shllaku na rikthen poemat lirike. E vështirë të imagjinohet se si mund të jetohet në një vend që nuk mbillet asnjë gjë shpirtërore, ku gjithçka prodhon vetëm shterpësi, dhe prapë se prapë të këndosh me himn, me thirrje, me një lloj klithme si për të shpëtuar. Zeja 25-vjeçare e poetit është tepër e ndrojtur, drejt një poezie të thjeshtë gati natyrale në perceptimin e përjetimit, pa simbolika të fuqishme, por që zbulojnë një qenie me një dëshirë të madhe, tepër modeste, sa për të marrë frymë.

Këtë na predikon Shllaku në poezi, si një fazë primitive, biblike, nga duhet nisur për t’ia besuar zemrën. Ndërsa shënimet nën poezi që na qartësojnë kohën, shpeshherë janë shpërthyese plot energji që kërkojnë të zbulojnë gjithçka lëvrin në shpirt, si një lloj zjarri plot filozofi që jetën e kthen në një kuptim të dyfishtë, atë të gjallimit, dhe të njohurisë, zbulimit të vërtetës.

Dhe këtë e ka bërë heshtja e poetit, që është një rast konceptual për t’u trajtuar. Për poetin heshtja është si virgjiniteti, si pafajësi, pra si ngushëllim. Poeti për t’i shpëtuar kësaj kalon në skajet simbolike për të marrë prej poezive të paktën energjinë, arsyet e jologjikës, dhe të pamundurës. Janë trinitete që hasen shpesh si për të na treguar se sa e vështirë ka qenë ngritja e imagjinatës dhe malit shpirtëror, të gjitha stopim prej frikës. Janë disa poezi të viteve ’70 që kuptohet rebelimi i poetit, shkëndijat për të kuptuar të pamundurën, për të bërë filozofinë, për të treguar dytën tonë të brendshme si trajtë përmbysjesh shpirtërore, si nevojë intelektuale për të sjellë dritën në një realitet aq të zymtë, dhe në krejtësisht në errësirë, që mblidhej iriq nga frika.

Shllaku të ngulë në kokë dy paralele, jetën e poetit dhe atë të njeriut. Të dyja që nuk ndahen dot, por që kanë mbarsur njëri-tjetrin. Në këtë mënyre i shkohet antologjisë në fund - me kuriozitetin për të lexuar poezinë që i ndalohej estetika, dhe intelektualit të heshtur, që i është hequr liria-deri në zgjim. Në vitet ’80-të poeti duket më idealist, dhe shpesh e gjejmë në vargje lirie, të shprehura bindshëm si ndarje mendje për një luftë të shpallur, gati për t’u hedhur drejt denoncimit. Diktatura vjen e bëhet më e qartë në koshiencën, duke arritur të marrë krejtësisht fizionominë e vetëdijes që po zgjohet, dhe të kuptimit të plotë të së keqes. Shllaku nga jep dy shëmbëlltyra të gjithë këtyre viteve atë të frikës dhe heshtjes - procese që filozofohen në mënyrë të debatueshme, duke të kthyer në meditimin e nevojshëm, rikthimit drejt kuptimit të asaj gjendjeje si shans për të mos u përsëritur.

Heshtja trajtohet si akt social e artistik. Brenda kësaj heshtje Shllaku gjatë gjithë kohës kërkon që të besojmë se ç’qe ky fenomen tek ai në diktaturë. Është bota reale ku jetonte që e bënte të heshtte, por ishte dhe një botë e brendshme poetike ku nuk dëgjoheshin të lirët shpirtërorë, dhe poetit i duhej të “fliste me veten”, me zë të lartë dhe pse nuk dëgjohej prej kujt. Kjo është si një tunel për poetin, një tunel i errët që vetiu i vjen të këndojë, të fishkëllejë a të flasë me zë të lartë. I vetmi relacion jetësor që Shllaku përpiqet të na tregojë është dashuria. Lidhje gati biblike si një shenjë e ekzistencës, që duhet eksploruar në mënyrë frymëzuese, pa barriera ndrydhëse.

Kështu kuptojmë se në total, përmes këtyre poezive, poeti ka ngritur një sistem të çuditshëm vetëmbrojtje, ku i kuptohet ankthi, frika, klithja, njeriu i shqetësuar - janë ndjesi shpirtërore dhe psikologjike, që i përgjigjen absurdit në një surealitet të pashmangshëm. Të gjitha poezitë e Shllakut na vijnë heshtje dhe gjendje, si trajta të ekzistencës nga duhet menduar pse e shtyjnë poetin të krijojë, e për më tepër t’i ekspozojë sot këto poezi. Është dëshmi, njohuri si zbulim, denoncim i një heshtjeje të gjatë.

Eduarto De Filipo, i pari në kalendarin e teatrit ‘09

Për të besuar regjinë e një vepre në Teatrin Kombëtar, anëtarët e bordit miratuan një formulë të re të aplikimit. Vjeshta e këtij viti shënoi fillimin e sezonit të ri artistik, ku veç pikave të tjera, u diskutua edhe mbi kriteret bazë që do t’u nënshtroheshin regjisorët e shfaqjeve teatrale, si një prej titujt e mundshëm të kalendarit. Është plotësimi i një formulari më të detajuar, trajta e re e aplikimit të një regjisori për sezonin e ardhshëm. “Si një prej diskutimeve më të rëndësishme, bordi artistik ka ditur të gjejë konsensusin në përcaktimin e një formulari të ri për regjisorët, si për veprat me dramaturgji shqiptare, ashtu edhe ato të huaja, i cili tashmë ka kohë që është shpërndarë”, - shprehet drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami. Ai tregon se formati i ri i konkurrimit të regjisorëve është ende në proces zbatimi për ata regjisorë, që janë të interesuar në këtë kategori klasifikimi, duke vënë theksin edhe tek arsyet më të rëndësishme, që kanë ngacmuar më tepër anëtarët e bordit. “Kjo lloj metode tashmë ka filluar, pasi një pjesë e formularëve janë shpërndarë para disa kohësh dhe jemi ende në zbatim e sipër për ata regjisorë, që janë të interesuar në këtë lloj aspekti. Është miratuar kjo lloj praktike, sepse na ndodh që autori të sjellë një vepër pa regjisorin, por kjo është një lloj përzgjedhjeje, e cila për mua nuk ka asnjë lloj kuptimi dhe e papranueshme. Gjithnjë është e detyrueshme që duhet të ketë një bashkëpunimi të mirëfilltë edhe me regjisorin, e sidomos kur është fjala për të vënë në skenë një vepër me dramaturgji shqiptare”, - thotë Skrami, duke shtuar se “për të seleksionuar sa më mirë vlerat që do të paraqiten në Teatrin Kombëtar është një tjetër arsye që na ka çuar në këtë lloj edicioni për selektimin e veprave skenike”.

Sipas drejtorit, disa nga pikat e parashtruara në formularin që duhet të plotësojnë detyrimisht regjisorët për sezonin e ardhshëm artistik në këtë institucion janë përshkrimi i projektit, qëllimi i vënies së këtij projekti në skenën e Teatrit Kombëtar, synimet e vetë regjisorit, si dhe të stafit të tij. Po ashtu, në këtë lloj fletushke është e nevojshme që të bëhet e ditur edhe një përshkrim i shkurtër i platformës regjisoriale, duke mos u lënë mënjanë edhe paraqitja e sinopsit të veprës e përmbledhur shkurtimisht, si dhe dy apo tre aktorët që mbajnë peshën kryesore, të cilët regjisori i ka përzgjedhur në projektin e tij teatral. Gjithashtu, do të përmendet edhe numri i saktë i aktorëve të brendshëm dhe ato të jashtëm, gjë që në metodën e “vjetër” këto pika nuk ekzistonin. “Kjo është e vlefshme për të pasur një shpërndarje dhe një përshkallëzim të punëve sa më të thjeshtëzuara dhe më të mirëdetajuara”, - argumenton Skrami. Këtyre pikave u është shtuar edhe një lloj përshkrimi mbi përkthyesin e veprës së projektit, nëse bazohet mbi penën e huaj, ku drejtori thekson se “përkthyesi duhet të posedojë një eksperiencë dhe background-i të gjerë. Ai nuk duhet të vijë thjesht si një përshtatës i një vepre letrare, por shumë më tepër duke qenë se një vepër dramaturgjie duhet t’i përgjigjet një niveli të lartë profesionalizmi”.

Theksin Skrami e vë edhe mbi aplikimin e regjisorëve të rinj, të cilët veç përmbushjes së pikave të mësipërme, si element plotësues, duhet të paraqesin edhe punët e tyre të mëparshme në një DVD.

Për pasqyrimin e një vepre dramaturgjike në një shfaqjeje skenike, regjisorët duhet t’u nënshtrohen disa kritere ku sipas drejtorit Skrami, tashmë janë të njohura. Fillimisht ajo duhet të jetë një vepër e mirëideuar dhe e menaxhuar mirë nga ana artistike, duhet të jetë një vepër dinjitoze për të zënë skenën e TK-së, qoftë shqiptare, apo e huaj, ku në bazë të ligjit të teatrit është sërish bordi artistik ai që do të vendosë për kalendarin, repertorin e tij. Ai tregon se deri më tani janë sjell vepra të një repertori të larmishëm, por ajo çfarë ka rënë në sy është se nuk është shënuar asnjë lloj vepër e nga antikitetit. “Do kisha dëshirë, sepse është një ndërmarrje shumë e madhe për teatrin, ashtu siç mund të kujtojmë në këtë rast edhe premierën “Trojanët””, - pohon Skrami, i cili shton se “nuk është përcaktuar ndonjë datë për dorëzimin e tyre, por besoj se deri nga fundi i këtij muaji dhe deri në fillimin e vitit të ri 2009, ata duhet t’i paraqesin të plotësuara, ku menjëherë pas grumbullimit të tyre do të zhvillojmë edhe mbledhjen e parë. Ndërsa, sasia e projekteve që do të miratohen do të varen edhe nga buxheti i teatrit”. Së fundmi, Skrami zbulon se një nga veprat që do të çelë sezonin ri artistik në Teatrin Kombëtar është “Filomena Maturano” me regjisor Albert Mingën dhe dramaturgji të Eduarto De Filipo, e cila sapo ka filluar punën përgatitore për shfaqjen e parë të kalendarit të ri 2009.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›