Krishtlindjet, politikanët mesazhe urimi për besimtarët

Presidenti Begaj : Zoti bekoftë familjet tuaja me shëndet, gëzim e paqe
Me rastin e festës së Krishtlindjes, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka zgjedhur rrjetet sociale të uroj gjithë shqiptarët.
Me anë të një kartoline Presidenti Begaj shkruan , Gëzuar Krishtlindjen!Zoti bekoftë familjet tuaja me shëndet, gëzim e paqe!
Rama : Ju uroj bekime dhe festa të bardha
Me rastin e festës së Krishtlindjes kryeministri Rama ka zgjedhur të postojë një tablo të rrallë të lindjes së Krishtit, pikturuar në atelienë e Çetirëve.
Kryeministri shprehet se , “Me këtë tablo të rrallë të lindjes së Krishtit, pikturuar në atelienë e Çetirëve, si simbol i dashurisë së Perëndisë ndaj njerëzimit, ju uroj bekime dhe festa të bardha si simbol i dashurisë së Perëndisë ndaj njerëzimit, ju uroj bekime dhe festa të bardha”.
Nikolla uron Krishtlindjen: Jezusi, frymëzimi drejt jetës, dritës, paqes e shpresës
Kryetarja e parlamentit Lindita Nikolla uroi sot besimtarët për festën e Krishtilindjes.
“Në Bethlehem, në një koritë të thjeshtë, në thellësi të errësirës dhe në zemër të të ftohtit, një Bir e At na u dha të gjithëve dhe, prej asaj dite, fryma dhe supet e tij u bënë mbështetja jonë. Me rastin e festës së bukur të Krishtlindjes, u uroj të gjithë besimtarëve të krishterë dhe të gjithë shqiptarëve shëndet, mbarësi e bekime në familjet e tyre”, u shpreh Nikolla.
“Besimi ndaj Jezusit është frymëzimi për të ecur drejt Dritës që mund errësirën, drejt Paqes që mund luftën, drejt Shpresës që mund dëshpërimin, drejt Jetës që mund vdekjen”, theksoi Nikolla.
“Sot, toka ku lindi Krishti, nuk ka qetësi. Në prag të Krishtlindjes, uroj e dëshiroj që qytetarët dhe fëmijët palestinezë dhe izraelitë të shpëtojnë nga tmerret e luftës dhe të gëzojnë frytet e paqes. Që qytetarët e Ukrainës dhe të kombeve të pushtuara të çlirohen dhe të jetojnë të lirë në shtëpitë e tyre. Shëndet e bekime për të gjithë”, përfundoi urimin e saj kryeparlamentarja Nikolla.
Basha uron Krishtlindjen: Zoti na udhëheqtë drejt mirësisë, paqes dhe begatisë
Kreu i PD-së Lulzim Basha, uroi të gjithë besimtarët e krishterë, për Krishtlindje.
“Të dashur besimtarë të krishterë, ju uroj nga zemra Gëzuar Krishtlindjen!”, shkroi Basha në rrjete sociale.
Basha u shpreh se, “drita që lind nga errësira e kësaj nate të shenjtë i mbushtë me shpresë dhe besim zemrat tuaja”.
“Zoti na udhëheqtë drejt mirësisë, paqes dhe begatisë për çdo shqiptar”, tha ai, teksa uroi besimtarët e krishterë “Krishtlindje të bekuar dhe nga mot gëzuar!”
Festa e Krishtlindjes, Meta uron besimtarët: Bekimet dhe ngrohtësia e dashurisë së Zotit qofshin gjithmonë me ju
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, përmes një postimi në Facebook, ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë dhe shqiptarët, për festën e Krishtlindjes.
Meta uron bekimet dhe ngrohtësinë e Zotit për të gjithë, veçanërisht ata që përballen me varfërinë, sëmundjet dhe padrejtësitë.
“Krishtlindja është lindja e shpresës, burimi i paqes, fuqia e dritës mbi errësirën dhe konfirmimi më i qartë i dashurisë së Perëndisë ndaj njerëzimit.
Gëzuar të gjithë besimtarëve, gëzuar të gjithë shqiptarëve.
Bekimet dhe ngrohtësia e dashurisë së Zotit qofshin gjithmonë me ju e veçanërisht për të gjithë ata që sot përballen me varfërinë, sëmundjet dhe padrejtësitë. Gëzuar”, thuhet në mesazhin e kreut të PL-së.
/rtsh.al/