“Kristal”, bursa të plota për të rinjtë jetimë dhe të Gërdecit
Universiteti “Kristal”, pjesë e Kompanisë Arsimore “Kristal”, në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptar në Ndihmë të Fëmijëve “Domenick Scaglione” dhe Bashkinë Vorë, organizoi ceremoninë e dhënies së bursave të studimit për të rinj, të cilët kanë humbur familjarët e tyre nga tragjedia e Gërdecit dhe të rinj jetimë, pjesë e fondacionit. Zonja Liri Berisha, në emër të Fondacionit falënderoi universitetin për mbështetjen që i ka dhënë këtyre të rinjve, duke ua lehtësuar sadopak dhimbjen. Ajo, gjithashtu, përgëzoi stafin cilësor të universitetit dhe shprehu urimet më të mira për suksese të mëtejshme. Në fjalën e tij përshëndetëse, nënkryetari i Bashkisë së Vorës, zoti Aqif Muça, i shprehu mirënjohjen presidentit të kompanisë, zotit Ahmet Muçaj, për dhënien e këtyre bursave dhe për ndihmesën që stafi akademik ka dhënë për lehtësimin e pasojave katastrofike të ngjarjes së Gërdecit. 10 bursat e dhëna, ndër këto 5 për të rinj të Gërdecit dhe 5 për fëmijët jetimë, i shtohen totalit prej 30 të dhëna një vit më parë të rinjve në nevojë dhe atyre të komuniteteve të marxhinalizuara. Këtyre të rinjve, duke u bërë pjesë e komunitetit të studentëve të “Kristal”-it, iu hapet një perspektivë e shkëlqyer për të ardhmen e tyre. Në të ardhmen kompania do të vazhdojë të mbështesë të rinj në nevojë, si shprehje e përgjegjësisë dhe misionit që kjo kompani ka për edukimin e të gjitha brezave.