E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enver Hoxha: “Kushtetuta e re është shprehje e vetë popullit shqiptar”

Gazeta “ZP” boton fjalën e Enver Hoxhës me rastin e miratimit të Kushtetutës. Hoxha: “Ja ku ndryshon Kushtetuta jonë nga ato të vendeve të tjera”

Të dashur shokë dhe shoqe deputetë, Komiteti Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë dhe komiteti i posaçëm i krijuar nga ky Kuvend për hartimin e Projektkushtetutës së re të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, më kanë ngarkuar t’ju paraqes, në emër të tyre, projektin përfundimtar të ligjit të ri themeltar të shtetit tonë socialist, që juve iu takon nderi dhe iu bie përgjegjësia e madhe ta diskutoni e miratoni. Pas hartimit të projektit fillestar që u shpall publikisht nga Kuvendi Popullor në janar të këtij viti, masat e gjëra punonjëse, në qytet e në fshat nën udhëheqjen e drejtpërdrejtë të Partisë dhe të Komitetit Qendror të saj, u njohën me dispozitat e tij dhe zhvilluan diskutime jashtëzakonisht të gjera, revolucionare, në forma nga më demokratiket, për plotësimin, saktësimin dhe përmirësimin e projektit në drejtimet politike, ideologjike, juridike, organizative etj. Njohja e masave me projektin e Kushtetutës dhe diskutimi i tij i zhvilluar me një metodë e stil pune nga më të efektshmit, jo vetëm i dha vendit tonë socialist një kontribut të madh për hartimin e një kushtetute nga më demokratiket e nga më revolucionaret, por shërbeu njëkohësisht si një shkollë e madhe teorike-politike e morale. Ky aktivitet i gjerë u ka dhënë e do t’u japë një shtytje të paparë prodhimit, mendimit përfundimtar dhe veprimit revolucionar. Të gjitha këto do të hapin perspektiva të shkëlqyera për ndërtimin më me vrull të socializmit në Shqipëri. Duke marrë parasysh numrin e madh të diskutantëve në tërë Shqipërinë dhe diskutimet e tyre të shumta, të thella e të dobishme, mund të thuhet me siguri se projekti që ju paraqitet për aprovim, mban plotësisht vulën e mendimit të urtë e revolucionar popullor. Projektkushtetuta është vepër e madhe e partisë dhe e popullit tonë, tregon pjekurinë e madhe politike e ideologjike të Partisë e të popullit, si dhe vitalitetin, guximin, vendosmërinë dhe konsekuencën e tyre të palëkundshme për të çuar përpara, forcuar, lulëzuar, begatur dhe mbrojtur Atdheun socialist. E tërë puna e gjithanshme që u zhvillua për diskutimin e madh popullor të Projektkushtetutës së re në kuadrin e 35-vjetorit të themelimit të Partisë e të Kongresit të saj, u kurorëzua me sukses. Kongresi i 7-të i Partisë, me një entuziazëm të papërshkuar, e vlerësoi lart njëzëri projektin e Kushtetutës së re socialiste. Komisioni i posaçëm për hartimin e projektit të Kushtetutës, duke e çmuar drejt detyrën që iu ngarkua nga Kuvendi Popullor, pasi u njoh mirë me materialet e përgatitura nga Komiteti Qendror, me plotësimet saktësimet dhe përmirësimet e shumta të propozuara nga masat e gjera punonjëse, nga kuadro, institucione, organizata dhe organe shtetërore e partie, si dhe me vlerësimin e lartë që i bëri projektit Kongresi i 7-të i Partisë dhe, pasi i sistemoi e studioi me kujdes, i pasqyroi në projektin përfundimtar. Ju, shokë dhe shoqe deputetë, jeni të njohur me përmbajtjen e dispozitave të projektit të Kushtetutës, sepse bashkë me popullin, edhe vetë u aktivizuat në diskutime dhe në tërë procesin e hartimit të Projektkushtetutës. Në raportin e Komitetit Qendror të Partisë që iu paraqit Kongresit të 7-të, një kapitull i veçantë iu kushtua tërësisht Kushtetutës. Kongresi përcaktoi vijën e Partisë në fushat politike, ekonomike e organizative, për çështjet e politikës sonë të jashtme dhe qëndrimet tona ndaj problemeve të lëvizjes punëtore e marksiste-leniniste ndërkombëtare. Vendimet historike të Kongresit, që janë udhërrëfyese për mbarë Partinë e popullin tonë, kanë ngritur peshë masat punonjësve të vendit dhe kanë ngjallur kudo një frymë të lartë entuziazmi e mobilizimi në punë. Në këtë sesion të Kuvendit Popullor do të ndalem në disa nga problemet thelbësore e parimore të Projektkushtetutës. Projektkushtetuta e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë pasqyron në mënyrë të sintetizuar realitetin tonë socialist dhe tendencën e zhvillimit të tij, vijën e Partisë, mësimet dhe përvojën revolucionare të saj, ajo përshkohet fund e krye nga ideologjia marksiste-leniniste dhe nga parimet bazë të socializmit shkencor. Është për këtë arsye që përmbajtja e projektit jo vetëm është miratuar nga masat tona punonjëse, të cilat kanë gjetur të shprehur besnikërisht në vijën e drejtë të Partisë sonë gjatë zhvillimit të pandalshëm të revolucionit socialist dhe të ndërtimit e mbrojtjes së socializmit, por ka bërë një jehonë pozitive edhe në botë. Kushtetuta e vendit tonë socialist është shprehje e vullnetit të vetë popullit shqiptar dhe i askujt tjetër. Ajo është ligji themeltar, bazë mbi të cilën zhvillohet gjithë jeta e popullit. Kjo Kushtetutë, nga njëra anë i përgjigjet një realiteti konkret të vendit, të arritur me gjak, me punë e me djersë dhe nga ana tjetër i hap Shqipërisë socialiste perspektiva të shkëlqyera dhe të sigurta nga çdo pikëpamje. Qartësia është karakteristika e saj që vihet re në çdo nen që trajton probleme të strukturës a të superstrukturës, të organizimit a të të drejtave dhe detyrave të shtetasve shqiptarë.

Shkrimi është botuar në gazetën “Zëri i popullit” më datë 28 dhjetor 1976
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi

Në numrin e së martës do të lexoni:

Si u sanksionua në Kushtetutë shteti i diktaturës së proletariatit

Si pasqyrohet teoria marksiste-leniniste në Kushtetutën e re të Shqipërisë

Për më shumë na ndiqni në numrin e radhës

14 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›