Kristi Vangjeli: Dua të fitoj tituj me Arisin, të fillojmë me Kupën e Greqisë
Pasi ka rinovuar kontratën me Arisin, tashmë Kristi Vangjeli ëndërron të fitojë një trofe në sezonin e ri me skuadrën nga Selaniku. Afro tri javë nga firma në kontratë, ku parashikohet të luajë edhe tri vjet nën urdhrat e trajnerit brazilian Mazinjo, si dhe do të përfitojë 250 mijë euro në sezon, mbrojtësi i Kombëtares zbuloi objektivat nga grumbullimi në veri të Italisë. "Dëshiroj ta kombinoj qëndrimin tim në Arisi me fitimin e trofeve. Synimi im është që të festojmë fitimin e një titulli sa më shpejtë që të jetë e mundur, pse jo edhe që prej këtij sezoni", deklaroi 23-vjeçari. "Gjithsesi, objektivi i skuadrës duhet të jetë që së pari të hyjmë në zonën ‘play-off‘ dhe që të ecim sa më larg në Kupën e Greqisë. Në fakt, këtë aktivitet do të më pëlqente ta fitonim dhe mendoj se kemi shanse të mira". Ndeshja e parë miqësore për Arisin ishte me Barin dhe paraqitja e skuadrës ishte mjaft e mirë. "Sinjalet ishin shumë pozitive, por nuk duhet të harrojmë se kjo ishte vetëm ndeshja e parë miqësore. Më pas besoj se do të paraqitemi edhe më mirë. Është e kuptueshme që ishim disi të lodhur prej ngarkesës fizike dhe loja nuk ishte shumë e rrjedhshme. Megjithatë, mendoj se gjatë pjesës së dytë u paraqitëm më mirë", theksoi Vangjeli. Në skuadër, e cila u klasifikua e gjashta në Superligën helene, janë afruar edhe dy lojtarë të rinj, sulmuesi uruguaian Sebastian Abreu dhe mesfushori argjentinas Leandro Gracian. Kuqeziu dha vlerësimet e tij për përforcimet e merkatos së verës: "Blerjet e reja që kërkoheshin për të krijuar një ekip konkurrues u realizuan dhe ata janë lojtarë mjaft cilësorë. Kjo është arsyeja përse më duket logjike që gjatë sezonit të ardhshëm do të shihni një paraqitje krejt të ndryshme të Arisit. Shpresoj realisht që në fund t‘i gëzohemi fitimit të një titulli". Më tej Vangjeli foli edhe rreth rinovimit të kontratës, duke dhënë arsyet përse vendosi të qëndronte: "Klubi donte me patjetër që të më mbante. Përse duhej të transferohesha diku tjetër, kur e dua skuadrën dhe këtu ndihem si në shtëpinë time. Tashmë e kam të qartë që përgjegjësia ime tek Arisi është rritur dhe ndjej më shumë entuziazëm për të ngritur lart ngjyrat e skuadrës".