E Diel, 1 Nëntor 2026

Marseja, tifozëve: Duartrokiteni Canën kur të vijë në "Velodrom"

Olimpik Marseja ka zyrtarizuar shitjen e Lorik Canës tek anglezët e Sandërlendit. Nëpërmjet një deklarate zyrtare, nënkampionët e Francës lajmëruan se të shtunën u përcaktuan të gjitha detajet e kontratës, të cilat do të finalizonin largimin e mesfushorit shqiptar. "Aktivizimi i së martës kundër Bordosë ka qenë ndeshja e fundit e Canës me Marsejën. Gjatë këtyre katër viteve me skuadrën ai e ka nderuar besimin e klubit, nëpërmjet impenjimit brenda dhe jashtë fushës së lojës", theksonte faqja elektronike e OM-së. "Me lojën dhe grintën që e karakterizonte, ai fitoi mbështetjen e publikut dhe u bë kapiteni i skuadrës, pavarësisht se erdhi nga rivalët historikë të PSG-së. Për këtë arsye, klubi u kërkon tifozëve që t‘i rezervojnë 25-vjeçarit një ‘standing ovation‘ kur ai të vijë për të ndjekur ndonjë ndeshje të skuadrës sonë". Te marsejezët Cana ka regjistruar 175 ndeshje dhe ka thyer rekordin si lojtari që është ndëshkuar më shumë me kartonë. Ndërkohë, me përkufizimin e të gjitha detajeve financiare, është mësuar se te "macet e zeza" shqiptari do të përfitojë 72 mijë euro (60 mijë sterlina) rrogë javore. Me 3 milionë e 456 mijë euro në sezon, ai është edhe lojtari më i paguar i Sandërlendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›