Kristiano Ronaldo, të gjithë mbyllin derën

Askush nuk e do Kristiano Ronaldon, po përse? Këtë pyetje shtron sot Marka. E vështirë të gjesh arsye se përse klubet e mëdha të Europës nuk kanë vend në skuadrat e tyre për CR7. Sulmuesi portugez i Mançester Junajted kërkon të luajë në Ligën e Kampionëvë dhe ka ngarkuar menaxherin e tij, Horge Mendesh, t’i gjejë skuadrën e duhur. Mynihu, Parisi dhe Madridi kanë qenë disa nga qytetet europiane në të cilën emri i yllit portugez ka tingëlluar fort, por duket se askush nuk e do Kristianon.
Një sulmues që ka shënuar 815 gola si profesionist e që në 20 vitet e fundit ka patur një mesatare impresionuese 0.73 gola për ndeshje. Skuadra e parë që ishte si mundësi për Kristiano Ronaldon ishte Bajern Mynih. Administratori i deleguar, Oliver Kan, ka qenë i qartë: “Kemi arritur në përfundimin që, përtej respektit që kemi për të, nuk do të ishte i përshtatshëm për filozofinë tonë aktuale”. Tek Paris Sen Zhermen kanë kuptuar se nuk funksionon asgjë duke bërë koleksion figurash.
Presidenti Naser Al-Kelaifi, pikërisht në prezantimin e trajnerit të ri, Kristofer Galtier, ka thënë që skuadra është në kërkim të një impenjimi të madh sportiv dhe që Kristiano Ronaldo nuk është i përshtatshëm për idenë e re. Të kalojë nga të kuqtë e Junajted tek blutë e Çelsit? Ideja për të luajtur tek të parafundit Kampionë të Europës mund të jetë nxitëse, por sipas disa mediave portugeze nuk pëlqehet nga Tuhel dhe ky opsion ka rënë.
Kthim mes lotësh me Realin? Jo, nuk ishte parashikuar, sepse nuk ka patur as tratativa. Po Atletiko Madrid? Tifozët kanë qenë të parët që kanë thënë se CR7 nuk do të jetë i mirëseardhur. “Përfaqëson antitezën e vlerave që kanë lojtarët tanë”, kanë thënë ata. Presidenti Enrike Serezo ka mbyllur gjithçka me ardhjen e Nahuel Molinas nga Udineze. Përfundimisht, të gjitha dyert e mbyllura për Kristiano Ronaldon.