E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërmet në Kërrabë, paniku deri në Elbasan

Lëvizjet sizmike

Një tërmet me epiqendër në qytezën minatore të Kërrabës ka krijuar panik edhe në Qarkun e Elbasanit, lëkundjet e të cilit janë ndier nga shumica e të pagjumëve.

Ka qenë ora 00.10 minuta, pak pas mesnatës së mbrëmshme, kur toka është lëkundur lehtë nga tërmeti. Sipas specialistëve të institutit të sizmologjisë në kryeqytet, tërmeti është regjistruar 4.3 ballë e shkallës Rihter. Epiqendra e tërmetit në fjalë ka qenë pikërisht Kërraba, poshtë së cilës qëndrojnë të mbyllura të gjitha galeritë e minierës së qymyrgurit. Më të forta këto lëkundje janë ndier në fshatrat rreth Kërrabës, në dy anët e rretheve Tiranë e Elbasan, si në Bërzhitë, Ibë, malësinë e Kllojkës dhe të zonës së Funarit. Por edhe qytetet e Elbasanit, Cërrikut e Belshit, nuk u kanë shpëtuar lëkundjeve, sado të papërfillshme për nga dëmet materiale. Lëkundjet nuk kanë zgjatur më tepër se 2-3 sekonda. Për shkak të panikut jo pak banorë janë detyruar të dalin nga shtëpitë. Ndërkaq, lëkundjet e tërmetit në fjalë janë ndier më tepër mbi katet e pesta të ndërtesave, por nuk konfirmohet asnjë dëm material.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›