E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kritere të reja komunikimi ALUIZNI–ZVRPP

22/04/2010 Vendim Qeverie

Qeveria ka vendosur që Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme duhet të bashkërendojnë punën duke respektuar disa norma të reja. Sipas vendimit, ALUIZNI bën verifikimin në terren të njësive të ndërtuara menjëherë pas paraqitjes së kërkesës dhe pas kryerjes së parapagesës së tarifës nga subjekti i interesuar apo personi i stimuluar. Po ashtu, Agjencia për verifikimin e gjendjes juridike të pronës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga përfundimi i verifikimit në terren i njësisë ndërtimore, kërkon nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP) informacion për gjendjen juridike të zonës së stimuluar, të shoqëruar me kopjen e dokumentacionit që disponohet (kartelë apo regjistër hipotekor, hartë treguese të pasurisë, dokumentacioni ligjor i regjistrimit të pasurive dhe i transaksioneve të mundshme). Në vendimin e miratuar në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, nënvizohet se në rastin kur ZVPP-ja konfirmon se zona e stimuluar është pronë shtetërore, ALUIZNI bashkërendon punën edhe me Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP) për të evidentuar, kur është e mundur, nëse ka vendime të ish-komisioneve të kthimit dhe kompensimit të pronës, pranë bashkive ose këshillave të qarkut ose të AKKP-së, për njohje, kthim ose kompensim të pronës. Gjithashtu, për të evidentuar nëse ekzistojnë kërkesa në proces shqyrtimi, të depozituara nga subjekte të cilat pretendojnë të drejtën e pronësisë mbi zonën e stimuluar. Në vendim saktësohet se kërkesa për marrjen e informacionit i dërgohet AKKP-së, pas përfundimit të afatit të parashikuar në ligj, për paraqitjen e kërkesave nga subjektet e interesuara apo personat e stimuluar. Nga ana e tyre, institucionet dërgojnë informacionin e kërkuar pranë drejtorisë qendrore të ALUIZNI-t, brenda 30 ditëve nga data e marrjes së kërkesës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›