Mbyllen shkollat deri më 12 janar për zonat e bllokuara
Situata e rëndë me dëborë në veri të vendit, mblodhi dje Shtabin Qendor të Emergjencave Civile, i kryesuar nga Zëvendëskryeministri Genc Pollo, Ministri i Brendshëm, ai i Shëndetësisë, Arsimit, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm etj. Ministria e Brendshme raportoi rifillimin e dëborës në disa krahina të vendit. Në takim u diskutua nevoja për ndërhyrje për të mbajtur të hapura akset rrugore dhe për të siguruar furnizimet kryesore. Me vendim të shtabit u vendos që 6 automjetet borë- pastruese të Xhenjos që disponojnë Forcat e Armatosura të dislokohen në segmentin Pukë - Fushë Arrëz- Shën Mëri - Kukës, Rrëshen - Lurë, Bulqizë - Maqellarë e komunat e Librazhdit. Ndërsa Ministria e Arsimit vendosi që një pjesë e konsiderueshme e shkollave në zonat e bllokuara të vijojnë të qëndrojnë të mbyllura deri më 12 janar. Kështu, në Dibër, me përjashtim të qytetit Peshkopi dhe komunës Maqellarë, shkollat e tjera nuk do të zhvillojnë mësim. Gjithashtu do të vijojnë të mbyllura shkollat në komunën Fan dhe Rubik në Mirditë. I njëjti vendim u dha për 16 shkolla në Kukës, të komunave Kolsh, Malzi, Zapot, Ujmisht, Bushtricë, Grykë-Caje, Arrën. Në Has, 7 shkolla në komunat Golaj, Perollaj, Kostur, Tregtan, Metaliaj, Gjinaj, Kishaj. Në Elbasan do të qëndrojnë të mbyllura 6 shkolla në komunës Shmill. Në Tropojë 20 shkolla në komunat Margegaj, Bytyç, Tropojë, Llugaj, Fierzë, Bujan, Lekbibaj ndërsa në Librazhd ndërpritet mësimi përveç shkollave në qytetin e Librazhdit e komunave Rajcë, Qukës, Polis dhe Hotolisht. Ministria e Shëndetësisë vendosi të dërgojë medikamente e ndihmë mjekësore në të gjitha krahinat e bllokuara.