E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reshjet, rrezik për shembjen e ndërtimeve

 

Reshjet e shumta të shiut, të cilat kanë përfshirë Gjirokastrën dhe zonën përreth kanë shtuar ndjeshëm frikën e rrëshqitjeve të zonave me përbërje shtufore. Këto të fundit përbëjnë gati 30 % të territoreve, ku janë ndërtuar objekte banimi. Kaosi urban në Gjirokastër dhe ndërtimet vend e pa vend, shpeshherë pa marrë parasysh mendimet e specialistëve, mund të shkaktojnë të tjera ngjarje të pakëndshme, si ajo e 9 nëntorit të kaluar ku humbën jetën 3 vetë dhe u plagosën 6 të tjerë. Sipas specialistëve, të tjera territore janë të rrezikuara dhe aty nuk duhet të ndërtohet, pasi mund të krijohen probleme. Të paktën, kështu mendojnë specialistët gjeologë, pasi sipas tyre është mjaft e nevojshme dhe e domosdoshme, që një gjeolog të jetë anëtar i Këshillit të Rregullimit të Territorit në njësitë vendore, gjë që deri tani në fakt nuk ka ndodhur. Sipas njërit prej specialistëve i cili nuk do të bëhet publik, dy zona të konsiderueshme në qytetin e Gjirokastrës, si ajo e Kodrës së Shtufit dhe zonat përfund lagjeve "11 janari" dhe "Punëtori", paraqesin rrezik shkarjeje masive, për shkak të përbërjes gjeologjike të zonës. Po kështu, disa lagje të qytetit të Libohovës, që vazhdimisht kanë paraqitur probleme si dhe në fshatin Llongo të komunës Dropull i Sipërm, ku rreth dy vjet më parë disa shtëpi u shembën pikërisht si rrjedhim i shkarjes masive të tokës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›