E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës, stuhia e borës bllokon udhëtarët

 

KUKES/ JONUZ HALLAÇI

Bllokohet sërish verilindja. Një stuhi bore, ndonëse e paralajmëruar gjatë ditëve të shkuara ka zënë të papërgatitur udhëtarët e rastit. Reshjet e dëborës nisën rreth mesditës, por shkaktuan menjëherë probleme në zonat ku ende nuk ka shkrirë ajo e rënë në fillim të javës.
Udhëtarët
Alarmet e para u dhanë nga pasagjerët e mjeteve që udhëtonin në rrugët nacionale, ku më në rrezik ishin ata në aksin Kukës-Peshkopi, pasi makinat nuk mund të çanin mes dëborës. Sipas policisë, rasti më i rëndë deri në mbrëmje ishte ai i rreth 60 udhëtarëve të furgonëve të linjës Bushtricë-Kukës. Ata ishin nisur rreth orës 13:00 nga fshati Bushtricë, i cili ndodhet 40-45 km larg Kukësit, në drejtim të qytetit. Kur kishin bërë gjysmën e rrugës, pranë fshatit Lusën ata janë bllokuar nga bora që aty arrin rreth 1 metër. Nga burime të policisë drejt tyre u nis një borëpastruese, por errësira dhe bora që vazhdon të bjerë e vështirëson punën e saj. Për këtë arsye u vendos që ata të strehohen në familjet e fshatit Lusën, i cili ndodhet afër rrugës nacionale Kukës-Peshkopi, në pritje që ditën e sotme të hapet rruga. Vështirësi të mëdha ka pasur mbrëmë dhe në zonën e Qafë-Malit, pika kyçe që lidh Kukësin me Tiranën e anasjellas. Dhjetëra makina, vetura e të tonazhit të rëndë, nuk kanë mundur të lëvizin normalisht në këtë zonë. Mësohet se policia ka urdhëruar ndalimin e qarkullimit të mjeteve të rënda, për t'i lënë mundësi kalimi veturave dhe ato të pajisura me zinxhirë. Nën dëborën që rinisi dje është zënë sasia e skorjeve dhe kripës së hedhur ditët e fundit. Edhe pastrimi i dëborës së rënë nga mjetet borëpastruese është më i vështirë, pasi në dy anët e rrugës është dëbora e larguar më parë dhe rruga ngjason me një tunel.
Ushqimet
Në fakt, ende rezervat e banorëve në zonat e thella raportohen se janë të mira, ndonëse helikopterët kanë sjellë disa ngarkesa me ushqime. Autoritetet vendore janë kategorikisht kundër kësaj praktike, që zgjat agoninë dhe nuk zgjidh asnjë problem, kur për katër mijë banorë të izoluar dërgon 100 kg vaj, disa thasë miell dhe dhjetëra pako me makarona. Sipas tyre, në këtë mënyrë vetëm pështjellohen banorët dhe shtohen mundësitë për abuzime në ndarjen e tyre. Për Shtabin e Emergjencës Civile dhe Drejtorinë Bujqësisë dhe Ushqimit, rezervat janë deri në majin mars, rezerva që kryesisht janë marrë në tregun e Kosovës. Mirëpo burime nga dogana e Morinit, e vetmja pikë doganore më Kosovën ku lejohet kalimi i mallrave, bëjnë të ditur se asnjë ton ushqime apo miell nuk është zhdoganuar për këtë vit. Kamionët me mall e kanë pasur të pamundur lëvizjen për shkak të kohës së keqe. Zbrazëti vihet re dhe në tregun e Kukësit.
Mësimi
Duket se dhe dita e sotme dhe ato të javës që vjen do të jenë pushim për nxënësit e fshatrave në qarkun e Kukësit dhe për rrethet Has dhe Tropojë. Me një vendim të Drejtorisë Arsimore të miratuar dhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës mësimi u ndërpre këtë javë. Drejtoria Rajonale Arsimore ka deklaruar se në të gjitha shkollat janë të siguruar drutë e zjarrit, por rrugët drejt këtyre shkollave janë të bllokuara prej ditësh. I vetmi lajm i mirë, që vjen në këto ditë të vështira është se nuk mungon energjia elektrike.
Drutë e zjarrit shënojnë rekordin
Në këto ditë emergjence nuk mungojnë dhe spekulimet. Të parët që po e shfrytëzojnë këtë mot të ftohtë e me reshje janë tregtarët ambulantë të druve të zjarrit, të cilët janë të palicencuar. Shumica prej tyre vijnë nga Hasi me zetorët e ngarkuar me dru dhe shesin në qendër të qytetit, me çmim të dyfishuar, duke mashtruar me sasinë e druve. Ata krijojnë hapësira të zbrazëta në brendësi të ngarkesës, e cila duket e plotë. Mesatarisht një metër kub dru, që mund të jetë në një zetor kushton 4500 lekë. Këta spekulantë nuk shqetësohen as nga tatimorët dhe as nga Policia Financiare. Madje, as nga ajo Pyjore që ka për detyrë të kontrollojë dokumentacionin e prerësve të pyllit .

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›