Kriteret e reja për punësimin e akademikëve
Projektligji për disa ndryshime në ligjin e arsimit të lartë ka parashikuar edhe disa pika lidhur me punësimin e personelit akademik. Risia lidhur me këtë çështje ka të bëjë me ruajtjen e vendit të punës për pesë vjet, për ata profesorë që largohen në detyra të rëndësishme shtetërore dhe politike. Për sa i takon dhënies së gradave dhe titujve të akademikëve, kjo kompetencë është e Akademisë së Shkencave. Për të qenë lektorë në një auditor të universitetit, në Shqipëri duhet të kesh medoemos titullin “master shkencor”, përveçse duhet të përmbushen kriteret e vendosura nga qeveria.
Sipas ndryshimeve të kërkuara, në Fakultetet e Mjekësisë të institucioneve publike të arsimit të lartë, që kanë spitale universitare, përgjegjës i shërbimit është titullari i shërbimit. Ai duhet të jetë figurë e spikatur në fushën e shërbimit dhe të ketë së paku titullin akademik “profesor i asociuar” ose gradën shkencore “doktor”, të fituar në një universitet të njohur jashtë vendit.
Lektorët“Në kategorinë ‘lektorë’ janë anëtarët e personelit akademik që zhvillojnë veprimtari mësimore kërkimore. Lektorët duhet të kenë të paktën diplomën master të shkencave ose ekuivalenten me të dhe të përmbushin kriteret që përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave me propozim të ministrit të Arsimit dhe Shkencës, në kolegjet profesionale dhe në programet e studimeve jouniversitare. Lektorët duhet të kenë diplomën “master” sipas përcaktimit të nenit 26 të këtij ligji”, thuhet në projektligjin për disa ndryshime në ligjin e arsimit të lartë.
Sipas pikave të ndryshuara, ku flitet për punësimin në institucionet e arsimit të lartë, për emërimin e personelit akademik, autoriteti drejtues i njësisë kryesore i paraqet autoritetit drejtues të institucionit IAL kandidatin e renditur të parin në klasifikim. Kjo e bërë nga komisioni ad-hoc i konkursit publik, i krijuar nga autoriteti drejtues i njësisë kryesore. Autoriteti drejtues i institucionit të arsimit të lartë, lidh kontratë pune me kandidatin e përzgjedhur mbështetur në këtë ligj dhe në Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë. Kontrata duhet të përmbajë përshkimin e vendit të punës dhe detyrimet e personelit akademik, sipas përcaktimeve.
Kompetencat“Autoritetet drejtuese të njësive kryesore, me propozimin e përgjegjësve të njësisë bazë dhe të titullarit të grupit mësimor kërkimor për të plotësuar nevojat e institucionit, punësojnë personel akademik me kohë të plotë për veprimtari mësimore e kërkimore, për periudha semestrale ose njëvjeçare të përsëritshme sipas kërkesave të vendit të punës”, thuhet në projektligj. Modalitetet e punësimit përcaktohen në statusin e institucioneve të arsimit të lartë.
Po ashtu, lidhur me ruajtjen e vendit të punës, projektligji i diskutuar ditën e mërkurë me përparësi, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, sqaron: “Personeli akademik me titull profesor mund të shkëputet përkohësisht nga institucioni i arsimit të lartë për një periudhë maksimale prej pesë vjetësh, të rinovueshme, për t’u angazhuar në detyra të rëndësishme shtetërore dhe politike. Këtu përfshihen edhe pozicionet drejtuese të agjencive të rëndësishme të sistemit të arsimit dhe shkencës. Për periudhën e shkëputjes, ky personel akademik mund të zëvendësohet nga personel akademik, me kontratë të përkohshme ose me personel akademik të ftuar”.
#