Mirosllav Llajçak ka planin për Kosovën
Novi Sad, 1 Maj - Shefi i diplomacisë sllovake, Mirosllav Llajçak, ka thënë për të përditshmen “Dnevnik” të Novi Sadit se ka të përgatitur planin se si të zgjidhet çështja e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë, pas shpalljes së mendimit të GJND-së lidhur me pavarësinë e Kosovës.
Llajçak ka dashur që këtë plan ta prezantojë në Luksemburg, në takimin e fundit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm, por homologët e tij vendosën që ta lënë për një herë tjetër këtë prezantim, shkruan gazeta. Llajçak do ta prezantojë planin më 10 maj në Bruksel, shton gazeta dhe thekson se nga ajo që ka thënë ministri i Jashtëm sllovak, plani ka të bëjë me zgjidhjen e çështjeve konkrete, jo vetëm ndërmjet Serbisë e Kosovës, por në të gjithë rajonin. Me fjalë të tjera, çështja e raporteve Kosovë–Serbi do të vihej në kornizë më të gjerë të zgjidhjes së kontesteve në Ballkanin Perëndimor, gjë që do të mundësonte që rreth së njëjtës tavolinë të ulen të gjitha bashkërisht – edhe shtetet e rajonit dhe të BE-së. “Mund të them se na nevojitet dinamika rajonale dhe komunikimi për gjërat praktike e që do të mundësojnë që mbarë Ballkani Perëndimor të përparojë”, u shpreh Llajçak.
Sipas mendimit të tij, BE-ja duhet të dëshmojë rolin udhëheqës dhe të shfrytëzojë faktin se edhe Beogradi, edhe Prishtina, kanë ambicie europiane dhe duan të bëhen pjesë e BE-së. Llajçak theksoi se Sllovakia nuk e njeh Kosovën, por njëkohësisht është edhe kundër ndarjes së saj. Ai shfaqi shpresën se në konferencën e Sarajevës do të vijnë të gjithë. “Shpresoj të vijnë të gjithë. Ai që angazhohet për përparim të mbarë rajonit nuk do të mungojë, sepse mungesa e cilitdo nga aktorët do të ishte mossukses për të gjithë Ballkanin Perëndimor. “Vetëm nëse do të jemi të gjithë rreth një tavoline në Sarajevë, do të kemi legjitimitetin që është i domosdoshëm të tregojmë se BE-ja e dëshiron Ballkanin Perëndimor në gjirin e saj”.
#