Shpërthejnë virozat e stinës, Pediatria pa krevate dhe kushte për të vegjlit
Ditët e nxehta të pranverës, kanë sjellë me vete edhe virozat e stinës, të cilat duket se janë përhapur shumë ditët e fundit. Vetëm këtë fundjavë në pediatrinë e QSUT-së kanë mbërritur rreth 100 vizita vetëm për fundjavën. Si shkak i mbipopullimit të urgjencës
e mungesës së krevateve në pavijonet e këtij spitali, mjekët janë detyruar që në shumë raste të plotësojnë recetat përkatëse e ti përcjellin pacientët e vegjël në shtëpi. Mungesa e kushteve e mbipopullimi në pavijonet e pediatrisë në QSUT ka shkaktuar nga ana tjetër edhe pakënaqësitë e prindërve të fëmijëve të cilët në disa raste edhe kanë debatuar ashpër me mjekët. Por jo vetëm kaq, edhe pritjet e gjata për orë të tëra të prindërve me të vegjlit e sëmurë në krah, kanë sjellë reagimet e kontestimet e prindërve. Nga ana tjetër vetë mjekët e pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza kanë pohuar ditën e djeshme për gazetën SOT se pediatria është mbipopulluar nga rastet e fëmijëve që vijnë me viroza të stinës e për këtë shkak janë tej mbushur edhe krevatet në pothuajse të gjitha pavijonet e spitalit. Por sipas mjekëve edhe mungesa e ilaçeve apo dhomat gjithë lagështirë. I pyetur ditën e djeshme një prej mjekëve roje Fatmir. Sh., ka deklaruar për gazetën se Edhe pse janë bërë vazhdimisht ristrukturime, pediatria vazhdon të jetë në kushte të mjeruara, ka mungesa të theksuara mjetesh, medikamentesh, sidomos në këtë periudhë ku shënohen edhe rastet më të mëdha të shtrimeve e të urgjencave Sipas tij në pavijonet e pediatrisë shumica e shtretërve janë të zëna e për këtë shkak vetëm për këtë fundjavë nuk kanë qenë të pakta rastet e fëmijëve të sëmurë që e kanë marrë mjekimin në shtëpi. Ndërkohë vetë prindërit e fëmijëve të sëmurë kanë deklaruar ditën e djeshme për gazetën se kushtet në pediatrinë e QSUT-së janë skandaloze e nuk ofrojnë për të vegjlit asgjë më shumë se sa masat që marrin prindërit në shtëpi. Kështu Drilon Guri prind i një prej fëmijëve që ishte me simptoma temperature e gjendje të fikti tha dje për gazetën se kishte më se dy orë që e kishte sjellë me urgjencë fëmijën e tij dhe për gjithë këtë kohë ende nuk i ishte vënë një serum. Kam rreth një orë e gjysmë që e kam sjellë me urgjencë fëmijën, shkova i bleva vetë gjilpërat për uljen e temperaturës, ska as kushte dhe as gatishmëri nga mjekët, kjo gjendje është skandaloze, i jam lutur dy orë infermiereve për një serum ka thënë ditën e djeshme qytetari Guri. Sipas tij fëmija ka simptoma të forta të virozave të stinës dhe vuan edhe nga sëmundje kronike e për këtë arsye duhet të shtrohet disa ditë, por kjo gjë nuk është e mundur për shkak se shtretërit në pavijonet e pediatrisë janë të mbipopulluar.
Simptomat e këshillat
Për trajtimin e duhur dhe pa efekte të këtyre virozave këshillohet mbajtja e një regjimi të rreptë higjieno-sanitar. Gjithashtu është e nevojshme kryerja e vizitave te mjeku specialist, i cili në varësi të simptomave përcakton edhe kurën që duhet të ndjekë pacienti. Këshillohet shmangia e ambienteve ku ka përqendrim të lartë njerëzish, pasi mund të përhapet edhe më lehtë. Kjo, pasi përhapja e infeksionit mundësohet në rrugë ajrore nëpërmjet prekjeve, kontakteve apo spërklave. Njëkohësisht është e domosdoshme që të konsumohen sa më shumë lëngje dhe sa më pak ushqime, që shpërbëhen me vështirësi. Për rastet kur nëna me gji është e prekur nga virusi i gripit, duhet që të mbajë një higjienë shumë strikte personale, si dhe të përdorë maskë në fytyrë kur i jep fëmijës për të pirë. Simptomat tek të vegjlit të cilët preken nga virozat e stinës janë temperaturë e lartë, djegie fyti, dhimbje koke, dhimbje gjoksi, dhimbje gjymtyrësh, ethe, kollë e thatë, sekrecione, diarre, e të vjella. Përsa i përket këshillave që mjekët u japin prindërve ndaj fëmijëve të tyre janë ato që kanë të bëjnë me evitimin e ambienteve me shumë njerëz. Shmangia e përdorimit të antibiotikëve . Marrja e sa më shumë lëngjeve. Konsumi i sa më shumë vitaminave në përbërje të ndryshme. Marrja e të katërtës së paracetamolit, një herë në katër orë në rastin kur nuk i zbret temperatura. Mbajtja e higjienës së rreptë personale. Mbulimi i gojës e hundës kur teshtin. Shmangia e kontakteve me njerëz të tjerë të prekur. Ndalohet kategorikisht përdorimi i antibiotikëve Pjesa dërrmuese e pacientëve të vegjël të prekur nga virozat e stinës dhe gripi sëmundjen e manifestojnë me temperaturë të lartë, e cila mund të zgjasë për ditë të tëra. Sipas mjekëve, është normale që në tri ditët e para temperatura të jetë e lartë, madje në raste të caktuara mund të shkojë edhe në 5 ditë. Por është kategorikisht e dëmshme që në këto raste të përdoren antibiotikë për të qetësuar simptomat, pasi antibiotiku nuk jep efekte kuruese, sepse nuk e lë organizmin të reagojë. Ndaj është e nevojshme që kjo sëmundje të mbahet nën kontroll. Përdorimi i antibiotikëve apo qetësuesve të tjerë mund të aplikohet vetëm në rastet kur jepet rekomandimi i mjekut
Arta AGOLLI