E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti i “Rrugës së Elbasanit” përfundon pas 22 muajsh

30-06-2012 / Gazeta 55

Projekti parashikon mbjelljen e 3410 pemëve dhe shkurreve

Rruga e Elbasanit cilësohet një arterie e rëndësishme kombëtare si porta kryesore hyrëse dhe dalëse për linden dhe juglindjen e vendit dhe një prej rrugëve urbane të Tiranës, që prej kohësh ndjen nevojën e zgjerimit për të akomoduar nevojat e komunitetit dhe banorëve të komunave fqinjë. Punimet e nisura për zgjerimin e saj kanë ngjallur debate ku sipas zërave kundër, projekti nuk është bërë publik. Por drejtoria e përgjithshme e rrugëve e kundërshton duke sqaruar se të gjitha proceduarat e realizuara deri më tani janë të publikuara edhe në faqen zyrtare të agjencisë së prokurimeve publike.
Zgjerimi i rrugës nga 2 në 6 korsi do të prekë parkun e Liqenit, por sipas projektit jo vetëm do ti zëvendësojë pemët e prera por do ta shtojë hapësirën e gjelbër edhe me bimësi të tjera duke parashikuar mbjelljen e 3,410 pemëve dhe shkurreve.
Kjo rrugë, nga Fakulteti Ekonomik deri tek rrethrrotullimi i Saukut, me gjatësi 1.7 km, do të jetë me gjerësi 2 x 8m me trafikndarëse prej 1.5 m ku është parashikuar dhe gjelbërim si dhe me trotuare në të dy anët e rrugës.
Ndërhyrja në ambientin e Pallatit të Brigadave do të jetë nga 4.5-7.8 metër pa prekur aspak vlerat historike që mbart ky pallat.
Në ambientin e varrezave të dëshmorëve ndërhyrja do të jetë 6.5-11 metër. Kjo rrugë pritet të përfundojë brenda vitit të ardhshëm.
Zgjerimi i Rrugës së Elbasanit pritet të lehtësojë ndjeshëm trafikun, të ulë koston e lëvizshmërisë, dhe të ndikojë në reduktimin e ndotjes.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›