E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kritika e Orwellit kundër shtypit prostalinist

Ishte dikur një kohë kur Xhorxh Orwellit nuk i botoheshin artikujt dhe librat që kishin nën shenjestër krimet staliniste, të zbrazëta fare në akuzat absurde të Vishinskit. Libri i Orwellit “Liria e Shtypit” po i jepte autorit argumentet dora-dorës që pretencat kundër të akuzuarve të ish-bashkëpunëtorëve të Leninit, me arsyetime të trasha, bëheshin kurdoherë e më të pabesueshme në gjyqet staliniane. Logjika fillestare dhe arsyetimi parësor psikologjik të çon në deduksionin se njeriu i lirë është i prirur në vetëmbrojtjen instinktive. Nëse i pandehuri pohon se është spiun, është komplotist, është terrorist, kërkon të rrëzojë pushtetin, shkurt është kriminel politik, atëherë kuptohet se pohimet janë bërë nën dhunë dhe me tortura.
Libri që përmendëm nuk iu pranua autorit që më vonë u bë i famshëm, nga katër botues. Ministria e informacionit në Angli ishte institucioni kryesor që pengonte botime të tilla. Sollzhenicini kishte treguar vështirësitë e publikimit të “Arkipelagut Gulak”. Shtypi i majtë kundërveproi ashpërsisht edhe ndaj këtij. Kohë më vonë, në vitin 1986, Thierry Wolton paraqiti spiunazhin sovjetik, tepër demaskues, me titullin “ KGB-ja në Francë” (1987). Kishte zbuluar dosjen sekrete “Farewell” (Lamtumirë). Jemi tepër larg nga shkurti i vitit 1944, kur u botua kritika e Orwellit për lirinë e shtypit. Ndaj kësaj kritike, jo vetëm shtypi i majtë qé rebeluar, por edhe Ministria britanike e Informacionit u trondit. Duke ndjekur lëshimet që i ishin bërë Stalinit që në kohën e Luftës II Botërore, veçanërisht nga Ruzvelti, Perëndimi u mundua të mbajë njëfarë ekuilibri ndaj sovjetikëve, edhe në rastet kur këta të fundit e shfrytëzuan këtë drejtpeshim duke e shtrirë në mënyrë të pacipë spiunazhin e tyre politik dhe ekonomik. Kundërveprimi shfaqej vetëm në dëbimin e spiunëve në dobi të BRSS-së, të kapur me presh në dorë. Megjithatë, jo në mënyrë të bujshme evidentohej kjo në shtypin e kohës. Por Shtetet e Bashkuara u bënë më të çiltër për dëmet që kishte shkaktuar Ruzvelti dhe u treguan më të paduruar edhe në veprimtarinë e paligjshme të spiunazhit sovjetik. Kur u ekzekutua për dhënien e sekreteve të bombës atomike çifti bashkëshortor Rozenberg, të gjithë komunistët shpërthyen egërsisht, madjé duke i quajtur të pafajshëm Rozembergët. Koha përforcoi përfundimisht fajësinë e tyre.
Kështu Lufta e ftohtë u bë e pashmangshme.
Po përse demokratët u treguan kaq lëshues, veçanërisht në fillim, ndaj propagandës agresive sovjetike, ndaj komunizmit global subversiv, ndaj skandaleve të spiunazhit cipëplasur të agjenturës sovjetike? Në opinionin e shumëkujt B.S. quhej ish-aleat në Luftë. Stalini i kishte dyfishuar në propagandën e tij të vrarët e ushtarëve sovjetikë ( si të 28.000 dëshmorët tanë, në përkitje të dukurisë se ishim imitues të përpiktë të propagandës staliniane). Përgjigjja në mjaft libra historianësh është se B.S. ishte fitues në luftë. Pra, Vea victis (Mjerë të mundurit). Veçse, edhe në Luftë, kundërspiunazhi i aleatëve të Bashkimit Sovjetik, ka qenë i flashkët dhe i prapambetur. Tanimë janë zbuluar mjaft dokumente, sipas të cilave Stalini do ta kishte humbur Stalingradin dhe Moskën, po të mos hiqeshin të gjitha forcat sovjetike në Lindjen e Largët, dhe t’u bashkoheshin trupave të Stalingradit. Spiuni Sorge e kishte qartësuar Stalinin se Japonia nuk do të sulmonte në brigjet sovjetike. Desantët shqiptarë u bënë mish për top, nga informatat e sakta përmes KGB-së, nga spiuni anglez Filbi. Ja, disa nga pasojat e tolerancës. Revolta e Orwellit ishte parashikuese.
Xhorxh Orwelli fillimisht çau me vështirësi për demaskimin e të gjitha këtyre të këqijave të totalitarizmit majtist, siç do t’i shohim në kritikën e tij për lirinë e shtypit, të cunguar nga botëkuptimi i së majtës së skajshme të kohës.
***
Kishte gjetur belanë me librin e tij të mëparshëm “Ferma e kafshëve”. Një libër alegorik me simbole, në të cilin nuk ishte e vështirë të dallohej se “derrat” ishin sovjetikët e Stalinit. Orwelli nuk e shihte kundërveprimin ndaj tij aq te censura zyrtare në Angli, sesa tek ajo që ai e quante “paburrëria intelektuale”. “Shtypi anglez është jashtëzakonisht i përqendruar”, - shkruan ai. - “Dhe, në pjesën më të madhe, është në duar të njerëzve të fuqishëm, që i kanë të gjitha të dhënat për të qenë të pandershëm. Cilido që i bën karshillëk konformizmit të rëndomtë, ndjehet se i mbyllet goja me shtupë. Me vështirësi dikush mund të botojë një mësymje kundër Stalinit. Por nuk ia ha fare qeni shkopin nëse dëshiron të kritikojë, sa të mundet madje, për shembull çërçillin”. “Pikëpamja ruse për një çështje apo për një tjetër, pranohet pa asnjë verifikim nga gazetat” - shkruan më tej autori ynë. Dhe jep një shembull: - “Bibisí-ja kremtoi 25-vjetorin e Ushtrisë së Kuqe, pa folur për Trockin (eksponentin e saj kryesor, - shënim). Kjo do të ishte si në festimin e betejës së Trafalgarit, pa përmendur Nelsonin! Por është i rëndësishëm edhe fakti se nga ana e inteligjencies angleze nuk pati ndonjë kundërvënie...”. Një tjetër shembull interesant: “Pak kohë para se të vdiste, Trocki kishte shkruar një biografi të Stalinit. Kjo u la në heshtje nga shtypi britanik”. Një faqe më tej duket sikur është fraza pasardhëse në atë çka sapo thamë: “Stalini na qenka i pacenueshëm dhe shumë pamje të politikës së tij nuk u dashkan vënë seriozisht në diskutim”. Dhe, ironikisht, një faqe më tej: “ Ekzekutimet e pambarueshme gjatë spastrimeve në vitet 1936-’38, u miratuan nga kundërshtarët e hershëm të dënimeve me vdekje; e, ndërkaq, pati publicitet të madh kriza ushqimore në Indi, por u mbajt e fshehur zia e bukës në Ukrainë. Nëse kjo, para Luftës, ishte gjendja e shtypit tonë në Angli, atmosfera intelektuale nuk është shumë më e mirë tani, në mbarim të Luftës”.
Ajo që na intereson më tepër në këto vërejtje të Orwellit, është kritika ndaj “Left Book Club-it”. është fjala për Klubin e Librit të së Majtës. Anëtarët e këtij klubi “janë të gatshëm të botojnë jo vetëm palavira, por edhe artikuj me fjalí të përçartura, mjafton që shkruesit të thonë çka ne duam të dëgjojmë”. Ka rrjedhur shumë ujë nën urë, që nga kritikat, disa nga të cilat po i parashtrojmë në këtë shkrim. Me rënien e mitit të Stalinit, në gjysmën e viteve pesëdhjetë, me destalinizimin që bëri Krushovi në Kongresin XX të PK(b) të Bashkimit Sovjetik, dolën jo vetëm libra të shumtë për mizoritë e Stalinit, por edhe fakte arkivore për cenimin flagrant të të drejtave të njeriut. Mendimet e Orwellit për lirinë e të menduarit e të të shkruarit, triumfuan. Ndërsa në Europë, De Gasperi, Adenaueri dhe Shumani projektuan dhe jetësuan Bashkimin Europian me një evolucion të vrullshëm të mendimit demokratik, vetëm ne shqiptarët mbetëm në një zymti primitive të nostalgjisë për diktaturën që lamë pas. Në të gjithë Europën e Lindjes, qemë të parët që ngritëm flamurin tonë kombëtar, pa yllin e kuq internacionalist në krye të shkabës dykrenore. Dhe këtë e bëmë në njërin nga burgjet më të tmerrshme të diktaturës enveriste, në atë të Spaçit. është një dëshmi se totalitarizmi ynë ka qenë nga më të padurueshmit. Megjithatë, sot jemi ndër më të prapambeturit, të ngërthyer në nostalgjinë e së keqes, që na është ngjitur si një këpushë asfiksuese. është një paradoks.
Nëse mundem të jap një mendim për këtë gjendje anormale, shkaqet janë tri: 1.Varfëria gjer në mjerim ekonomik talonash, që na la si trashëgim regjimi satrap i Enver Hoxhës. Një popull që mezi mban shpirtin gjallë, është e vështirë që të orientohet si duhet (“Varfëria është nëna e të gjitha të këqijave, - është një lokucion i popullit tonë). 2. Te ne nuk pati vend destalinizimi. Jetuam diktaturën më të gjatë e më të egër, në krahasim me vendet e Lindjes komuniste në Europë. Më shumë se tridhjetë vite plus, me statujat e Stalinit nëpër këmbë. Indoktrinimi na ra si një çekan, për shpëlarjen e trurit, që të ndjeheshim të lumtur në skamje. 3. 1997-a, ai rebelimi antidemokratik bolshevik i vonuar, me tre gishtat lart nëpër podiume dhe në sheshe, me flamujt e huaj kërcënues, me masakrat e kallashëve, e me djegiet e institucioneve - gjer te hotelet, kadastrat e tapitë, - e çoi në zero progresin e afrimit në BE dhe solli në fuqi një tetëvjeçar rrënimtar. Ky tetëvjeçar u pikturua ashtu siç duhet nga demagogu EdRama, para këpëdarëve që talleshin si “kongresmenë”. Sa për të marrë në dorë kryesinë e PS-së. Pastaj, pasi e nxori përtej ringut paraardhësin, e harroi korrupsionin që pasuroi abuzivisht një kupolë të tërë në krye të PS-së, por edhe injorantët që kërkonin shpërblim për kontributin e tyre të ’97-s. Kolaboracionizmi me kryeprokurorin Theodhori Sallaku i vajti paq; dhe tanimë u kujtua për varfërinë, që e kishim trashëgim nga diktatura dhe nga ’97-a!
Tani na duhen shkrimet e Orwellit, për të treguar se kush e ka në dorë medien dhe shtypin tonë, cilat janë më të pasuruarat, sesi gazetat që e thonë më açik të vërtetën, si “55-a”, në ndonjë stacion televiziv të frymëzuar nga Edvini, përjashtohen nga paraqitja e gazetave, në emisionin e mëngjesit. Në pamfletin e Orwellit, citohet Volteri: “Nuk më pëlqen çka thua; por do ta mbroj gjer në vdekje të drejtën tënde për ta thënë”. Por, meqë çdo rregull ka edhe përjashtime, sot në të gjithë territorin e Komunitetit Europian ka një liri të pakufizuar të të shprehurit, me përjashtim të panegjirizmit të diktaturave. Ai emision që nuk nxjerr në mëngjes titujt tanë të gazetës, bën të kundërtën: Ndalon gazetën tonë, por i ka hapur dyert Nexhmijes që të bëjë apologjinë e Enver Hoxhës! Ja një argument më tepër për të vërtetën se nostalgjia totalitariste është zhdukur kudo në Europë, ndërsa te ne stimulohet!
Ashtu sikundër nuk ka asnjë gramatikë që të mos ketë përjashtim nga rregulli, po ashtu edhe ai “Left Book Club-i “ që e cekëm në këtë shkrim, ka lëshuar hijen e tij katran në ndonjë organ të panevojshëm si apendiciti, madje edhe anakronik. I tillë na paraqitet një “Institucion” i huaj shtypit i emërtuar, nëse nuk gaboj, “ Free House”, që i ka dhënë argument opozitës së Edvinit që të shprehet se shtypi nuk është i lirë në Shqipëri! Përkundrazi! është i lirë tejmase, gjer në ovacionet për Enverin në Pezë (me organizimin e EdRamës), e gjer në mburrjet e çunakëve-deputetë, të caktuar nga E.Rama, që i bëjnë karshillëk popullit se e kanë për nder që ati i tyre ka vënë firmën për masakrat komuniste. Siç ka vënë firmën edhe Kristaq Rama, nga lartësitë e Presidiumit të Kuvendit Popullor, për ekzekutimet e të dënuarve politikë. Siç është përjashtim nga rregulli edhe ai i vetmuari që pohon se numërimi i votave është bërë keq. Një vox clamantis in deserto.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›