E Diel, 1 Nëntor 2026

Konkluzionet e Brukselit: Luftoni krimin dhe bëni reformën zgjedhore

Brukseli vlerëson lëvizjet e fundit politike si pozitive, por në të njëjtën kohë kërkon zbatimin e detyrimeve, që rrjedhin nga 12 rekomandimet

BRUKSEL Këshilli i Bashkimit Europian për Çështjet e Përgjithshme në konkluzionet e tij për Ballkanin, tek kapitulli për Shqipërinë vlerëson lëvizjet e fundit politike, por në të njëjtën kohë thekson parregullsitë e zgjedhjeve lokale të majit, si dhe mospërmbushjen e asnjërit prej 12 prioriteteve kyçe. "Këshilli mirëpret hapat e fundit pozitivë lidhur me bashkëpunimin midis qeverisë dhe opozitës, në krijimin e një komisioni parlamentar për reformën zgjedhore dhe të një grupi pune për reformën e Rregullores së Kuvendit, si edhe të një kalendari për miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicën me 3/5-at, e cila ka çuar në miratimin e parë të tri ligjeve të tilla. Këto zhvillime pozitive duhet të ndihmojnë për të kapërcyer ngërçin që ka dominuar skenën politike të vendit. Zgjedhjet lokale në maj u vlerësuan përgjithësisht si konkurruese dhe transparente. Megjithatë, procesi zgjedhor u shënua bindshëm nga parregullsi, të cilat duhet të adresohen në kuadrin e një reforme të plotë zgjedhore. Në përgjithësi, Shqipëria ka bërë progres të kufizuar në përmbushjen e kriterit politik për anëtarësim dhe të dymbëdhjetë prioriteteve kryesore për hapjen e negociatave të anëtarësimit", - thuhet në dokument. Bashkimi Europian veçon rëndësinë e funksionimit të duhur dhe në mënyrë të pavarur të Kuvendit dhe gjyqësorit. "Këshilli inkurajon qeverinë dhe opozitën për të ndërtuar mbi këto zhvillime të fundit pozitive, rivendosjen e plotë dhe të qëndrueshme të një dialogu konstruktiv politik, që të mbështesë funksionimin e duhur dhe pavarësinë e institucioneve kryesore demokratike, sidomos të parlamentit dhe të gjyqësorit. BE mbetet e angazhuar për perspektivën Europiane të Shqipërisë dhe do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e vendit në këtë proces",- thuhet në konkluzionet përfundimtare. Duke iu referuar rekomandimeve të BE-së, Shqipërisë i kërkohet të ndërmarrë masa konkrete që nga lufta kundër korrupsionit, e drejta e pronës, mbrojtja e minoriteteve e deri tek dakordësia për të përmbushur të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. "Në përputhje me përfundimet e 20 qershorit 2011, Këshilli gjithashtu inkurajon autoritetet shqiptare për të intensifikuar përpjekjet me axhendën e reformave, në veçanti për zbatimin e dymbëdhjetë prioriteteve kryesore. Përpjekje të mëtejshme janë të nevojshme, sidomos në fushat kyçe, duke përfshirë gjyqësorin, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, mbrojtjen e të gjitha minoriteteve, si dhe të drejtat e pronës. Dakordësia midis qeverisë dhe opozitës, në bashkëpunim me shoqërinë civile, mbi një reformë të plotë zgjedhore, duke trajtuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it që nga viti 2007, përpara zgjedhjeve të ardhshme mbetet vendimtare. Vetëm pas përmbushjes së çështjeve të mësipërme, Shqipëria do të jetë në gjendje për të ecur përpara në drejtim të BE-së, në përputhje me konkluzionet e Këshillit të Dhjetorit 2010", - thuhet ne dokument. Këto konkluzione do t'i kalojnë Samitit Europian që mbahet më 8-9 dhjetor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›