Kriza, Bashkimi Evropian deklaron se mbështeten përpjekjet e Greqisë
“Komisioni Evropian plotësisht e mbështet Greqinë në përpjekjet” për dalje nga situata e vështirë financiare, tha sot presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso në Bruksel. Sipas tij, Komisioni Evropian konsideron se korrigjimi i debalanceve dhe ripërtrirja e konkurrencës është esenciale që Greqia të kthehet në rrugën e qëndrueshmërisë. Këto komente u bënë pasi qeveria e Greqisë i shpalli masat e reja të kursimit në vlerë prej 4,8 miliarda euro.
Kryeministri i Greqisë, George Papandreou, tha se vendi i tij “po pret solidaritet evropian”, për ndihmë në implementimin e masave të kursimit për shkak të krizës financiare.
Greqia ka deficit të buxhetit në lartësi prej 12.7%, që është katër herë më i madh se kufiri i lejuar sipas rregullave të eurozënës dhe ka borxh prej afro 300 miliarda euro.