E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, Berisha-Rama neglizhojnë Brukselin

Edhe pas thirrjes së fuqishme të Bashkimit Europian për dialog politik ndërmjet mazhorancës dhe opozitës, dy liderët kryesorë të vendit kanë vazhduar përplasjen e fortë mes tyre, duke shkëmbyer akuza dhe kundërakuza të ndërsjella. Lideri i opozitës, Edi Rama, në një deklaratë të bërë në Bashkinë e Tiranës, e ka akuzuar Kryeministrin se po përshkallëzon sulmin barbar ndaj pronës private për të mbuluar gropën e madhe të korrupsionit. Ndërsa Berisha si kundërpërgjigje në një përshëndetje për pjesëmarrësit në mitingun e 8 dhjetorit e ka cilësuar Ramën si një "udhëheqës pa brekë".

Rama

Lideri i opozitës, Edi Rama, në cilësinë edhe të kryebashkiakut të kryeqytetit, ka deklaruar se përpjekjet e Berishës janë të kota dhe nuk i ikën dot çështjes së hapjes së kutive. Në deklaratën publike, Rama tha se "për të mbuluar gropën e madhe të korrupsionit ku ka rënë pushteti i tij familjar, Sali Berisha i është rikthyer armës së tij të vjetër, dosjeve të fabrikuara të korrupsionit të kundërshtarit dhe po shpërdoron turpshëm shtetin e Policinë e Shtetit, për të vënë në jetë një sulm barbar antikushtetues, antiligjor, antidemokratik, madje edhe antinjerëzor, me qëllim manipulimin e opinionit publik. E ka fare të kotë". Duke e cilësuar "gjoja Kryeministër", Rama i është drejtuar Berishës: "Hap kutitë, ose largohu" dhe harroje se në emër të një lufte politike, që për të fshehur qëllimin e ke quajtur me tamtame "kundër mafies", do të mund të mbijetosh në një pushtet që sillet e vepron si vetë mafia me interesat e me sipërmarrjen e lirë të këtij vendi. Këto sulme mesjetare, të papërfytyrueshme, në mes të Europës së vitit 2009, nxjerrin përditë e më në pah fytyrën e këtij pushteti të vjedhur e të falimentuar, të cilit i ka mbetur vetëm të hajë vetveten, ashtu siç po bën përditë, duke kafshuar me tërbim të vërtetën, Kushtetutën, ligjin dhe qytetarë të lirë e të pafajshëm të këtij vendi".

Berisha

Kryeministri Berisha i është kundërpërgjigjur menjëherë kreut të opozitës, duke mos kursyer sërish etiketimet personale. "Unë jam i vetëdijshëm se në sheshin ‘Skënderbej‘ nuk ishin të paktë, madje të shumtë, që ndjeheshin të lënduar, ndjeheshin të irrituar me të drejtë, sepse sot, pas 19 vitesh, një njeri, një udhëheqës i Partisë Socialiste, por do të më falni, se do të shprehem një udhëheqës pa brekë, sepse siç ka dalë zotëria e tij në plazhet publike, nuk ka një politikan të vetëm në botë që të ketë dalë, nuk ekziston një politikan që vazhdon karrierën politike pas një akti apo një gjesti të tillë, ai njeri deklaron se do të shkelmojë mbi votën tuaj, deklaron se nuk njeh vullnetin tuaj", deklaroi Berisha. Kryeministri, pasi ka akuzuar sërish babanë e ndjerë të liderit të opozitës, ka deklaruar se nuk do të lejojë që qeveria aktuale të rrëzohet me protesta. Madje Berisha ka shkuar më tej duke iu drejtuar shqiptarëve të kenë kujdes, pasi Rama mund ta zhveshë gjithë popullin. "E vërteta është se këtë ai është i gatshëm ta bëjë me fëmijët e gjithsecilit prej jush, me bashkëshortet e gjithsecilit prej jush, për fajin e vetëm se ato nuk zhvishen plazheve, siç i zhvesh ai të vetat", deklaroi Berisha, i cili e akuzoi Ramën se nuk ka asnjë interes opozitar, por kërkon të mbështesë vetëm mafien.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›