Berisha: Infrastruktura rrugore, kyçe për zhvillimin e vendit

Kryeministri Berisha ka deklaruar sot se infrastruktura rrugore është kyçe për zhvillimin e vendit.
Duke folur në takimin e Kongresit të rrugëve, kryeministri Berisha ka vlerësuar punën që është bërë vitet e fundit për infrastrukturën rrugore ndërsa ka shtuar se rrugët janë jetike për zhvillimin e vendit dhe si e tillë është primare për qeverinë.
Sipas tij, qeveria ka konsideruar dhe konsideron infrastrukturën rrugore si jetike dhe vendimtare për zhvillimin e Shqipërisë.
“Rruga dhe ndërtimi i saj ka të bëjë dhe është e lidhur me dy nga të drejtat themelore të njeriut, lirinë e lëvizjes. Pa rrugë kjo liri është e dënuar. Ka të bëjë me lirinë e tregut. Energjia e tregut lëviz në rrugë, pa të ajo është e ndëshkuar të mos arrijë kurrë produktin e saj. Rrugët janë jetike për bashkimin kombëtar të shqiptarëve” tha Berisha.
Ai ka theksuar më tej se në periudhën e krizës, në Shqipëri jënë bërë ndërtimet më të mëdha duke shtuar se do të vijohet edhe me vendosjen e një sistemi eficent të mirëmbajtjes së tyre.
“Kemi pasur ndërtimet më kulmore dhe do të vazhdojmë me të gjithë potencialin tonë deri në komplemtimin dhe më pas vendosjen e një sistemi eficent të mirëmbajtes së tyre i cili do të jetë partneritet publik dhe privat” tha Berisha.
Kryeministri theksoi më tej se projekti ambicioz i qeverisë është shkurtimi i distancave nëpërmjet tre tuneleve.
"Projekti ynë është ambicioz. Ne synojmë që me tre tunelet, tunelin e Kalimashit, tunelin e Krrabës dhe atë të Qafë Murrizit të shkurtojmë distanca nga skajet e vendit. Në këtë mënyrë hapen potenciale të mëdha turistike, minerare, bujqësore për zhvillimin e zonave të vendit” shtoi kryeministri.