Kriza, Europa Lindore është prekur rëndë
Në vendet e tyre shumë banka europiano-perëndimore luftojnë për të mbijetuar. Kësaj i shtohet tani rreziku i degëve të tyre në Europën Lindore, pasi edhe atje numri i kredive të këqija është në rritje. Keq për bankat, por keq edhe për Europën Lindore.
Nëse atje puna do të arrijë deri në bllokimin e procesit kredidhënës, rritja ekonomike do të ulet në masë drastike. Sipërmarrjet europiano-perëndimore në të kaluarën kanë realizuar atje fitime të majme. Për këtë arsye vendet europiano-lindore tani kërkojnë që Perëndimi dhe BE-ja t’i ndihmojnë për kapërcimin e krizës.
Kush e pyet kristiandemokratin hungarez Zsolt Becsey se përse Gjermania, Franca apo Holanda duhet t’u vijnë në ndihmë me kredi vendeve në nevojë në Europën Qendrore dhe Lindore, merr një përgjigje befasuese. “Vendet e pasura nga Perëndimi janë sjellë pjesërisht si kolonialistët në Afrikë”, - thotë anëtari i Parlamentit Europian. Bizneset perëndimore gjatë viteve të kaluara kanë shënuar fitime përrallore në Europën Lindore, por asgjë nuk është rikthyer në këto vende. “Për këtë duhet të mendohet Europa. Po kështu edhe qeveria gjermane duhet të reflektojë, pasi firmat gjermane kanë fituar shuma të mëdha në këto vende”.
Në Komisionin e BE-së, në Bruksel, ky zemërim nuk kuptohet. Në fund të fundit Europa ka ndihmuar.
Rreth 25 miliardë është fondi i emergjencës për kredi për vendet të cilat rrezikohen nga mungesa e likuiditetit. Plot 10 miliardë nga ky fond i janë dhënë tashmë Hungarisë dhe Letonisë. Por, kur edhe Rumania trokiti javën e kaluar në dyert e BE-se për ndihmë, komisari i politikës monetare, Joaquin Almunia, u shpreh me qetësi: “Ka burime të mjaftueshme disponibël për të ndihmuar në raste të tilla edhe nëse do të paraqiten kërkesa nga vende të tjera”.
Janë bllokuar kreditë
Megjithëse Komisioni i BE-së nuk pranon ende ta thotë zyrtarisht, duket se një ndihmë shtesë në miliarda për Europën Lindore pothuajse është vendosur. Por vetëm kjo nuk është e mjaftueshme, mendon Zsolt Darvas.
Të shohësh rast pas rasti dhe të presësh derisa situata të bëhet emergjente në një vend, nuk është menaxhim i mirë krize, mendon ekonomisti nga qendra për rrahjen e mendimeve Bruegel në Bruksel: “Një konferencë e të gjitha bankave që janë aktive në këto vende do të ishte shumë e dobishme. Pjesëmarrësit mund të bien dakord për një kurs të përbashkët dhe kjo do t’i qetësonte tregjet”.
Kështu, deri tani mungon një panoramë e përgjithshme për seriozitetin e vërtetë të situatës në vendet e veçanta europiano-lindore. Sipas ekspertëve, vendimtare është që filialet e bankave perëndimore të furnizojnë me kredi bizneset europiano-lindore.
Por paketat e shpëtimit për bankat në Gjermani apo Britaninë e Madhe për momentin nuk duket se kanë ndikim në Poloni, Çeki apo Hungari. “Ekziston një rrezik shumë i madh që bankat perëndimore të reduktojnë angazhimin e tyre në Europën Lindore. Kjo do ta ashpërsonte edhe një herë dukshëm krizën”.
Monedhat vendase në zhvlerësim të madh
Por problemi në pjesën më të madhe është i brendshëm. Shumë vende nga Europa Qendrore dhe Lindore gjatë viteve të lulëzimit ekonomik kanë marrë kredi të lira në euro, por monedhat vendase, në kuadër të krizës financiare, kanë humbur ndjeshëm në vlerë dhe këto vende duhet të paguajnë gjithnjë e më shumë për të shlyer kreditë.
Edhe Banka Qendrore Europiane duhet të ndihmojë në këtë situatë, mendon europarlamentari Zsolt Becsey, duke këmbyer p.sh. euron kundrejt fiorintës. Por këto të ashtuquajtura marrëveshje “shkëmbimi” nuk u ofrohen vendeve europiano-lindore.
Me gjithë anëtarësimin e tyre në BE, hungarezëve u duhet të ndihen si jashtëtokësorë kundrejt Bankës Qendrore Europiane ose të paktën si turkmenë, ankohet deputeti: “Unë jam po aq ‘alien’ sa dikush nga Turkmenistani. Kështu duket po të dëgjosh presidentin e Bankës Qendrore Europiane”, - thotë kristiandemokrati hungarez, Zsolt Becsey.
3 Prill 2009