E Diel, 1 Nëntor 2026

Specialistët, projekti “ENEL” asnjë mbrojtje për mjedisin

Ekspertët europianë evidentojnë 25 pika me gabime dhe deformime. TEC-i, rrezik potencial për qytetarët që banojnë në këtë zonë

Emanuela Sako

Ambientalistët kërkojnë që Ministria e Mjedisit të mos japë leje për ngritjen e TEC-it me qymyr në Porto Romano pa marrë në konsideratë studimin e ekspertëve europianë mbi efektet mjedisore që do të ketë ky TEC. Ambientalisti Xhemal Mato sqaroi se nga ky studim janë evidentuar 25 shkelje dhe deformime në studimin mjedisor të kompanisë “ENEL”. “Nuk mund të futet një investim për termocentral me qymyr 16 herë më i madh se TEC-i i Vlorës kur nuk është i saktë se cili është impakti”, - u shpreh Mato. Sipas këtij studimi rezulton se nuk ka asnjë plan menaxhimi për mbetjet e rrezikshme apo për emergjencat dhe aksidentet që mund të ndodhin.
Studimi
Ekspertët Europianë zbulojnë plot 25 shkelje dhe mangësi me pasoja në studimin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM) të Termocentralit (TEC) me qymyr në Porto Romano. Gjatë studimit lidhur me këtë çështje ata kanë vërejtur gabime dhe mangësi në vlerësimit të ndikimit mbi mjedis të termocentralit me qymyr në Porto Romano. Specialistët sqarojnë se nuk ka një plan menaxhimi për mbetjet e rrezikshme, as një plan për emergjencat dhe aksidentet. Këto duhet të jenë pjesë e brendshme integrale e VNM-së. Gjithashtu, sipas tyre, projekti i propozuar rrit varësinë energjetike të Shqipërisë për lëndët djegëse të importuara (qymyri do të merret nga jashtë). Problemet mjedisore janë parashikuar që të jenë tepër të mëdha, duke iu referuar mangësive që janë bërë nga ky projekt. Specialistët ambientalistë pretendojnë se strategjia është interpretuar në mënyrë të njëanshme. Ata theksojnë se projekti kufizohet më shumë në përfitimet ekonomike të investitorëve, ndërsa pasojat e impakteve negative sociale dhe ambientale i përcillen popullsisë lokale.
Problemet
Specialistët theksojnë se problemet mjedisore që do të shkaktojë ngritja e TEC-it janë të mëdha për popullsinë që jeton në këtë vend. Sipas tyre, nuk ka asnjë masë për ta përballuar mbrojtjen e tokës nga ndotja e qymyrit të depozituar, pasi qymyrguri do të grumbullohet në dy vende grumbullimi, ku secili rreth 450 herë 60 metra, me një kapacitet prej 220 000 tonësh. Po kështu, mbetjet që do të grumbullohen nga vënia në punë e TEC-it janë tepër të rrezikshme dhe për grumbullimin e tyre nuk është parashikuar asnjë plan. Ekspertët europianë kanë vënë re se trajtimi i CO2 është i rremë sepse nuk ka ende një metodë të kapjes dhe trajtimit të CO2 të planifikuar për këtë projekt.

Box
Shkeljet
Edhe pse kapitulli i 8-të i VNM-së titullohet “Plani i monitorimit ambiental”, ai nuk përmban një plan real as për monitorimin, implementimin apo për veprimet menaxhuese ambientale.

Nuk ka një menaxhim për impaktet sociale. Për më tepër nuk ka një plan menaxhimi për mbetjet e rrezikshme, as një plan për emergjencat dhe aksidentet. Këto duhet të jenë pjesë e brendshme integrale e VNM-së.

Nuk arrin të sigurojë të dhëna për imputet natyrore dhe outputet e gjeneruara gjatë fazës operative të TEC-it: konsumimi i ujit, sasia e ujërave të ndotura industriale dhe karakteristikat termale, si dhe më e rëndësishmja emetimin e CO2.

Nuk ka një analizë reale dhe krahasim alternativash. Në vend të kësaj ka një tentim për të justifikuar projektin aktual si dhe zgjedhjen më të mirë (VNM, kapitulli 2). Në vend të krahasimeve reale për zgjidhje të ndryshme me efektet përkatëse ekonomike, sociale dhe ambientale, projekti aktual po promovohet si zgjidhja më e mirë. Nuk ka një krahasim ndërmjet skenarëve për energjinë mikse në nivel kombëtar.

Projekti i propozuar rrit varësinë energjetike të Shqipërisë për lëndët djegëse të importuara( qymyri do të merret nga jashtë).

Strategjia shqiptare për energjinë keqinterpretohet për të justifikuar zhvillimin e impianteve fuqi-djegëse të qymyrit në Shqipëri. Strategjia Shqiptare për Energjinë duhet të ishte analizuar dhe interpretuar në mënyrën e duhur. Gjithsesi, Strategjia është interpretuar në një mënyrë të njëanshme. Asnjë nga kuotimet e dhëna të VNM-së nga strategjia e energjisë të çojnë në të vërtetë në konkluzionin e TEC-it me qymyr, që do të ishte zgjidhja më e mirë, por teksti i VNM-së përpiqet ta shikojë në këtë mënyrë. Nuk ka pasur analiza alternative dhe krahasuese për këtë projekt, as në nivelin strategjik, as në nivelin lokal.

VNM-ja promovon në supozimet e tij se impaktet social-ekonomike do të jenë përfituese për popullsinë lokale dhe në nivel kombëtar pa asnjë analizë thelbësore, pa asnjë analizë kosto-përfitim, pa asnjë analizë vëzhguese për projektin, të realizuar në vendndodhjen apo në qytet, pa asnjë analizë apo plan që me qëllim zgjerimin e impakteve social-ekonomike lokale, ai kufizohet më shumë në përfitimet ekonomike të investitorëve, ndërsa pasojat e impakteve negative sociale dhe ambientale i përcillen popullsisë lokale.

Vetëm 30 për qind e mundësisë hidro është përdorur. Ky ishte supozimi për një argument për ndërtimin e impianteve të fuqishme me lëndë të parë qymyrgurin dhe mbetjeve të tjera fosile. Sidoqoftë, në opinionin tonë është aktualisht një argument që Shqipëria ka potenciale të tjera për prodhimin e energjisë sikur edhe vetëm nga sektori i hidrocentraleve, dhe duhet të përdoren si raste për të stimuluar këtë sektor.

Në seksionin “Objektivat e projektit të propozuar” është përcaktuar që qëllimi kryesor i projekt- propozimit është ndërtimi i një impianti të ri duke përdorur burime të energjisë me kosto më të lirë (qymyrguri). Meqenëse atje nuk ka ndonjë informacion që mund të konfirmojë që përdorimi i qymyrgurit për këtë TEC do të jetë i lirë.

Në raport duhet të ketë edhe një analizë e kostos së fitimit që do të vërtetojë pretendimin që ky burim energjie do të jetë i lirë dhe përfitimet nga prodhimi i energjisë do t’i ketë ekonomia lokale dhe ajo kombëtare. Analiza e kostos-përfitimit duhet të ketë në konsideratë se si ndikon importi i qymyrgurit në ekonominë kombëtare.

Asnjë nga objektivat specifikë nuk mund të justifikojë promovimin e ndërtimit të impiantit me qymyrgur.

Kapja dhe trajtimi i CO2 është i rremë, sepse nuk ka ende një metodë të kapjes dhe trajtimit të CO2 planifikuar edhe për këtë projekt.

Është gjithashtu një argument i gabuar pa asnjë impakt mbështetës që transporti dhe përdorimi i gazit natyral mund të ketë më shumë impakt negativ në mjedis sesa transporti dhe përdorimi i qymyrgurit në këtë rast.

Qymyrguri do të grumbullohet në dy vende grumbullimi, ku secili rreth 450 herë 60 metra, me kapacitet prej 220 000 tonësh. Nuk ka asnjë masë për ta përballuar mbrojtjen e tokës nga ndotja e qymyrit të depozituar.

3 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›