E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, Greqia mbyll doganën e Rripsit e Sajadhës

ATHINË- Kriza detyron shtetin grek të mbyllë edhe doganat në pikat kufitare me Shqipërinë. Me urdhër të Ministrisë së Ekonomisë Greke, prej 1 shkurtit në gjithë Greqinë do të pushojnë së funksionuari disa pika kufitare e dogana. Urdhri i ministrit grek të ekonomisë prek edhe dy pika doganore që ndodhen në kufirin shqiptaro-grek, që lidh Sarandën me gjithë rajonin e Thesprotisë.

Këtu bëhet fjalë për pikën e kalimit kufitar të hapur së fundmi, atë të Abelonës, në afërsi të fshatrave Karroq e Zminec e njohur nga ana shqiptare si pika e kalimit kufitar të Rripsit, e hapur katër vite më parë,dhe që ka funksionuar vetëm për këmbësorë, kjo për arsye se pala shqiptare nuk ka qenë  ende e përgatitur për të kryer shërbime edhe për automjetet.

Ndërkohë mësohet se do të pushojë së funksionuari dhe dogana e Sajadhës, ku mjaft shtetas kryenin zhdoganimet pas kalimit të kufirit shqiptaro-grek. Sipas mediave greke, mbyllja e pikave doganore, kryhet me qëllim zvogëlimin e kostove operative duke lënë të funksionojnë vetëm doganat e mëdha.

Me urdhrin e fundit të ministrisë greke të ekonomisë, e vetmja pikë kufitare dhe doganore që do të funksionojë mes Shqipërisë jugore, Sarandës me Thesprotinë dhe Igumenicën, do jetë ajo e Qafë-Botës nga pala shqiptare dhe Mavromatit nga pala greke.

Shpresa Dine

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›