E Shtunë, 31 Tetor 2026

A po marshon Mitt Romney drejt kandidimit kundër Obamës?

Share

Republikani Mitt Romney ka siguruar edhe një tjetër fitore në rrugën drejt kandidimit kundër presidentit amerikan Barack Obama.

Në shtetin federal New Hampshire ai ka siguruar fitoren e dytë- kësaj here me një shumicë më të qartë prej 39 përqind të votave.

Kjo është nata kur ne shkruajmë historinë, tha Romney përpara përkrahësve të tij. Në zgjedhjet e nëntorit do vendoset për shpirtin e Amerikës, u shpreh ish- guvernatori i Massachusetts. Ai e quajti Obamën një president të dështuar.

Një javë më parë, Romney kishte fituar edhe në shtetin Iowa.

Multimilioneri Romney, që ka qenë për një kohë të gjatë në fushën e financave, mendohet se do jetë për këtë shkak kundërshtari më i fortë për Obamën.

Megjithatë ai nuk e ka ende kandidimin në xhep.

Në rrugë janë edhe 47 votime të tjera. Statistikat tregojnë se kush ka fituar në New Hampshire nuk ka pasur sukses në total. Por kjo është vetëm statistikë. Romney, pasuria e të cilit vlerësohet në 250 milion dollarë, do shpenzojë shumë për reklamat sidomos në shtetet e Karolinës së Jugut dhe në Florida, që cilësohen si të vështira.

Brenda vetë republikanëve nuk ka ndonjë entuziazëm për kandidaturat e përzgjedhura. Vetëm 51 përqind e republikanëve thonë se u pëlqejnë kandidatët. Kjo shifër ishte 68 përqind katër vjet më parë, kurse për demokratët shifra ishte 78 përqind.

Në përballje direkte me Obamën, sipas një sondazhi të Reuters, Romney qëndron pesë pikë prapa. Megjithatë ai e ka ngushtuar diferencën nga tetë në pesë pikë. Aktualisht 48 përqind e votuesve do zgjidhnin Obamën dhe 43 përqind Romney-n.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›