E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, KESH siguron energjinë e dhjetorit

SHKRUAN: Blerina Hoxha 30-11-2011 14:11

Drejtori i KESH-it, Engjëll Zeqo ka shpjeguar dje se është siguruar importi i energjisë elektrike për muajin dhjetor, porse fatura 45 milionë euro duhet të shlyhet nga buxheti, nëse CEZ nuk paguan borxhin 55 milionë euro

Korporata Elektroenergjetike premton se do të sigurojë vetëm energjinë e dhjetorit, pa shpjeguar se si mund të shkojë furnizimi në muajt e tjerë të dimrit. Drejtori i KESH-it, Engjëll Zeqo ka shpjeguar dje për mediat situatën më të fundit për furnizimin e vendit me energji, duke shpjeguar se ajo është mjaft e rënduar. Ai tha se janë lidhur kontratat e importit edhe për muajin dhjetor. Por nga ana tjetër, prodhimi nga hidrocentralet është në kuota minimale për shkak të mungesës së reshjeve, ndërkohë që kanë shteruar fondet edhe për import. Zeqo ka pranuar se ka vështirësi sa i takon gjetjes së importit, pasi situata paraqitet problematike për gjithë rajonin. "Për muajin dhjetor kemi lidhur kontratat për të pasur një import së bashku me CEZ rreth 17.5 milionë kilovat/orë, ku pjesa më e madhe, rreth 13.5 milionë, sigurohet nga KESH-i. Edhe në sigurimin e importit ka vështirësi, pasi i gjithë rajoni ndodhet në një thatësirë të pazakontë. Dhe kjo ka bërë që të gjitha vendet e rajonit të kalojnë në import", - deklaroi Zeqo. Ai theksoi se edhe në Fierzë rezervat ujore kanë rënë bashkë me prurjet, për shkak të thatësirës. Drejtori i KESH-it konfirmoi se kanë nisur procedurat për vënien në punë të TEC-it të Vlorës. "E bëjmë këtë shkallë të lartë të importit për të ruajtur atë rezervë që ne kemi sot në HEC-in e Fierzës, duke pritur gjithsesi që edhe shirat të fillojnë, sepse për ne do të ishte një problem shumë i madh nëse kjo do të zgjaste akoma me javë dhe muajt e tjerë", - sqaroi drejtori i KESH-it. Aktualisht, niveli i Fierzës është poshtë kuotës 260 metër dhe shuma pak metra larg pikës së vdekjes. HEC –et e kaskadës së Drinit punojnë vetëm pak orë në ngarkesën pik gjatë darkës. Zeqo foli dhe për konsumin ditor që arrin në 20 milionë kwh dhe për ndërprerjet e energjisë në vend. Sipas tij, këto ndërprerje kanë ardhur për shkak të avarive në rrjetin e furnizimit, që menaxhohet nga kompania CEZ, dhe jo nga mungesa e energjisë elektrike. Sipas të dhënave të KESH-it, aktualisht 1 megavat blihet në import mesatarisht 65 -70 euro, ndërsa energjia që KESH i shet CEZ-it është me 1.48 lekë për kilovat/orë. Përveç mungesës së prodhimit, diferenca ndërmjet çmimit të blerjes dhe çmimit të shitjes e vështirëson edhe më shumë situatën. Ndërkohë që qeverisë për herë të parë këtë vit i duhet të menaxhojë krizën, kur sistemi i shpërndarjes administrohet nga privatët. Sipas të dhënave të KESH-it, deri në fund të shtatorit niveli i Fierzës ka qenë 272 metër, që konsiderohet një kuotë shumë optimale për periudhën, duke pasur parasysh se ndodhemi në vitin më të thatë në dekadën e fundit. Kjo e bazuar në statistikat shumëvjeçare, por edhe nga sinoptikanët. Sipas KESH-it, që nga dhjetori i 2010-ës nuk ka pasur reshje. “Por edhe pse vendi po kalon një periudhë të vështirë energjetike për shkak të thatësirës, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare do të garantojë furnizimin me energji për të plotësuar të gjitha nevojat e konsumatorit”, - është shprehur drejtori i KESH-it, Engjëll Zeqo.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›