E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familja e të akuzuarit denoncon prokurorin dhe policin

Vjedhja me armë

Prokurori: Akuzat, pjesë e lojës së avokatëve për të hedhur poshtë aktet hetimore


TIRANË- Një familje nga Dibra me banim në Kamëz, dy ditë më parë depozitoi në Prokurorinë e Përgjithshme një kallëzim penal ndaj prokurorit të Dibrës Ramadan Troci dhe oficerit Akil Kalo.


Sipas kallëzimit me numër protokolli 195, të 19 shkurtit 2010, familja Nikolla akuzon prokurorin Troci dhe oficerin Kalo për hakmarrje personale ndaj pjesëtarit të familjes së tyre, Shaqir Nikolla, duke përdorur funksionin shtetëror për të akuzuar atë për një ngjarje të vitit 1996.


"Gjithçka ka filluar ndaj familjes tonë, në nëntor të 2004 në Itali, kur kushërinjtë e prokurorit Ramadan Troci, shtetasit Jonuz dhe Hajrie Troci dhe dhëndri i tyre, Din Jata, bashkë me një mikun e tij, akuzuan djalin tonë Shaqir Nikolla për vrasjen e Shkëlqim Trocit më 6 nëntor 2004 në Itali. Pas tre viteve paraburgim dhe proces gjyqësor, djali ynë është shpallur i pafajshëm në dhjetor të 2007.


Menjëherë sapo u mësua vendimi i Gjykatës italiane për pafajësinë e djalit tonë, familja Troci me ndihmën e kushëririt të tyre, prokurorit Ramadan Troci dhe oficerit Akil Kalo përfshinë Shaqir Nikollën në një ngjarje të vitit 1996, konkretisht më 19 nëntor 1996 ku janë vjedhur me armë paratë e komunës Rec të Dibrës dhe kanë mbetur të vrarë shtetasit Rasim Elezi dhe Asllan Meçi"-thuhet në kallëzimin që tashmë i është drejtuar edhe institucioneve shtetërore, si kryeministri, presidencë, Ambasadave të huaja e Avokatit të Popullit.


Sipas këtij kallëzimi, për këtë ngjarje, prokurori Troci ka përdorur një kushëririn e tyre me emrin Emin Troci të deklarojë se në vjedhjen e asaj dite ka qenë edhe shtetasi Shaqir Nikolla. "Prokurori Troci duke pasur konflikt direkt në këtë çështje, ka sajuar prova dhe e ka dërguar dosjen për gjykim ndaj shtetasit Nikolla.


Veprimet e prokurorit Troci në interes personal të kushërinjve të tyre duke shfrytëzuar detyrën, rrezikon të sjellin një gjakmarrje mes familjes tonë dhe atyre Elezi e Meçi pasi nga kjo ngjarje kanë mbetur të vdekur këta dy shtetas",-thonë familjarët Bekim, Fitije, Fitnete, Festime Nikolla dhe Milite Lleshi në kallëzimin e tyre duke i kujtuar prokurorisë se në atë kohë djali i tyre ka qenë në Greqi.


I pyetur për këtë fakt, vetë prokurori Troci mohon pretendimet e familjes Nikolla. "Nuk ka asnjë lidhje përveç mbiemrit me familjen e dëmtuar në Itali, por, këto janë pretendime dhe taktika e mbrojtjes për të shpallur të pavlefshme aktet hetimore"-tha prokurori Ramadan Troci.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›