E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, PS: Gati për dialog, nuk heqim dorë nga kutitë

TIRANE- Pavarësisht mesazheve por edhe presioneve ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës në vend, politika në Tiranë vazhdon të qëndrojë në pozicionet e saj, opozita për hapjen e kutive dhe shumica e gatshme për dialog duke u kërkuar opozitës të heqë dorë nga kërkesa e saj. Socialistët , edhe sot nëpërmjet deputetit Namik Dokle deklaruan se janë gati të ulen në tryezën me Presidentin Topi por se ata nuk heqin dorë nga zbardhja e së vërtetës brenda kutive të votimit. Sipas Dokles, është mazhoranca ajo që po dredhon zbardhjen e së vërtetës. “Asambleja konfirmoi krizën politike të shkaktuar nga qeveria, kurse ata vërtiten për ta mohuar. Asambleja kërkoi hetimin e zgjedhjeve, kurse ata dredhojnë nëpër labirimte pa rrugëdalje. Përmes kryetarit të PS jeni shprehur të gatshëm për të qenë pjesë e një tryeze negociatore në praninë e Presidentit të Republikës, por deri tani ky vullnet nuk është parë nga PD. Me rrugë ligjore apo me protesta demokratike , opozita do ta cojë deri në fund aksionin e saj politik dhe emancipues, do ta cojë deri në fund realizimin e kërkesave të saj për hetim dhe transparencë të plotë të procesit zgjedhor në kuti dhe jashtë kutive për ti dhënë fund njëherë e mirë manipulimit të zgjedhjeve.” theksoi Dokle. Për zv.kryeministrin Ilir Meta, mazhoranca nuk ka asnjë problem të ulet për dialog në tryezën e presidentit, por sipas tij përsa kohë Rama nuk heq darë nga kërkesa antikushtetuese për hapjen e kutive, atëherë dhe kjo tryezë nuk do të sjellë asnjë rezultat në zgjidhjen e krizës. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›