Kriza, Rama letër për Daul dhe Shulz

Kryesocialisti, letër europarlamentarëve pas dështimit të negociatave me PD: I gatshëm për zgjidhje përmes dialogut
TIRANË - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, shprehu dje gatishmërinë e opozitës për zgjidhjen e krizës përmes dialogut dhe u kërkoi ndërkombëtarëve që të mos heqin dorë nga nisma e tyre shpresëdhënëse, pavarësisht përfundimit negativ të përpjekjes së parë.
Përmes një letre të dërguar kryetarit të Grupit të PPE në Parlamentin Europian, Josef Doll, kryetarit të Grupit të PES, Martin Schulz, dhe për dijeni të Komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fule, kryesocialisti falënderoi tentativat e PE për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri, ndërsa nënvizoi se mesazhi që ata përcollën drejtpërdrejtë në Strasburg për pasojat e moszgjidhjes së krizës mbi Shqipërinë ishte i qartë.
Si shprehje e vullnetit për angazhimin mbi zgjidhjen e krizës, Rama kujtoi se "opozita ka lëvizur cilësisht në kërkim të zgjidhjes duke shkuar edhe përtej ofertës që ne vetë bëmë në darkën e Strasburgut". Më poshtë botohet letra e plotë.
Lejomëni t'ju falënderoj me gjithë zemër, për përfshirjen tuaj bujare në përpjekjen e vështirë për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri.
Keqardhja ime për përfundimin e kësaj përpjekjeje, e cila dëshmoi ndjeshmërinë tuaj të veçantë ndaj Shqipërisë në rrugën e demokracisë e të integrimit, është sinqerisht e madhe.
Por nuk është e vogël as shpresa ime, se ju nuk do të tërhiqeni nga kjo përpjekje dhe angazhimi e eksperienca juaj do të mbeten në shërbim të zgjidhjes së kërkuar me ngulm prej familjes europiane, të dëshiruar përditë e më shumë prej opozitës shqiptare dhe kaq shumë të domosdoshme për vendin tonë e qytetarët e tij në këtë moment delikat.
Nuk jam në gjendje të them sesa e dëshiron zgjidhjen qeveria e Shqipërisë dhe, pa dashur ta paragjykoj atë, nuk e fsheh çudinë e shqetësimin tim përditë e më të madh për qëndrimin e saj tërësisht të ngurtë e të pandryshuar qysh nga dita e parë.
Çuditem, sepse besoj që një qeveri e zgjedhur për të udhëhequr proceset e integrimit duhet të ishte natyrshëm forca më e angazhuar për të dalë nga rrethi vicioz i një krize si kjo që thellohet përditë.
Shqetësohem, sepse kjo krizë, të cilën kryeministri i vendit e mohon se ekziston, madje duke akuzuar çdo ditë opozitën si manipulatore e realitetit në zyrat e perëndimit, në të vërtetë po dobëson përditë demokracinë dhe ekonominë e vendit.
Me barrën e përgjegjësisë së detyrës për të përfaqësuar jo vetëm partinë time, as edhe thjesht koalicionin opozitar, i cili sot shtrihet majtas e djathtas në një grupim të madh partish në kërkim të transparencës së zgjedhjeve të shkuara, por aspiratën e madhe të Shqipërisë e të shqiptarëve pa dallim për lëvizjen e lirë dhe integrimin europian, unë dëshiroj t'ju bëj me dije se mbetem plotësisht i gatshëm të vazhdoj përpjekjen për gjetjen e zgjidhjes përmes dialogut.
Nuk dyshoj se përfaqësuesit tuaj në tryezën e bisedimeve ju kanë informuar hollësisht për ecurinë e tyre dhe ju kanë treguar për hapat që opozita ka hedhur drejt zgjidhjes.
Lejomëni që, duke ju shprehur mirënjohjen edhe për kontributin e tyre të çmuar, t'ju nënvizoj se opozita ka lëvizur cilësisht në kërkim të zgjidhjes duke shkuar edhe përtej ofertës që ne vetë bëmë në darkën e Strasburgut.
Në fund të bisedimeve që pasuan ne e pranuam pa ngurrim edhe atë që për ne ishte e pamundur atë darkë, ndërsa pala tjetër e refuzoi kategorikisht, siç refuzon tash 10 muaj çdo zgjidhje që garanton transparencën e kushtetutshmërinë.
Mesazhi që ju na përcollët drejtpërdrejtë në Strasburg për pasojat e moszgjidhjes së krizës mbi Shqipërinë ishte i qartë. Falë deklaratës suaj të përbashkët para pak ditësh është e qartë për të gjithë se për sa kohë nuk ka një zgjidhje, të cilën palët duhet ta gjejnë për të mirën e vendit të tyre, nuk ka as përparim të proceseve të integrimit tonë europian pavarësisht dëshirës së mirë të miqve e partnerëve të Shqipërisë.
Sot Shqipërisë i duhet me patjetër një zgjidhje për të hapur rrugën e integrimit, duke përmbushur denjësisht kriterin e Kopenhagenit dhe duke lënë pas një krizë që nuk mund të mbulohet pa u zgjidhur.
Shqiptarëve u duhet medoemos një përpjekje e posaçme, e të gjitha forcave politike, për të kapërcyer hendekun e hapur mes tyre dhe Europës, duke i hapur rrugë transparencës, si edhe një sërë reformash jetike për demokratizimin, modernizimin, integrimin.
Kjo letër falënderimi e mirënjohjeje për interesimin tuaj të veçantë ndaj Shqipërisë, është në të njëjtën kohë edhe një lutje për të mos hequr dorë nga nisma juaj shpresëdhënëse pavarësisht përfundimit negativ të përpjekjes së parë.
Duke ju siguruar për të gjithë gatishmërinë time e garantuar të gjithë vullnetin e opozitës shqiptare për zgjidhjen e kësaj krize me dialog e mirëkuptim, lejomëni të nderuar zotërinj t'ju shpreh konsideratat e mia më të larta e uroj të gjithë suksesin e dëshiruar në misionin tuaj shumë të rëndësishëm të drejtimit të dy grupeve të mëdha të Parlamentit Europian në një kohë sfidash kaq të mëdha për Europën.
Sinqerisht Juaji
Edi Rama