E Shtunë, 31 Tetor 2026

PE voton sot Rezolutën mbi Shqipërinë

Kriza politike do të jetë pjesë e diskutimeve mes europarlamentarëve. Pjesë e rezolutës edhe amendamentet shtesë


Parlamenti Europian do të diskutojnë sot mbi rezolutën e Kuntis mbi perspektivën europiane të Shqipërisë


BRUKSEL - Kriza politike do të jetë sërish në qendër të vëmendjes së faktorit ndërkombëtar, kur ditën e sotme europarlamentarët do të kalojnë për votim Rezolutën e raporterit për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Nikolas Kuntis, mbi perspektivën europiane të Shqipërisë.


Rezoluta e hartuar nga raporteri grek, specifikon në përmbajtjen e saj keqardhjen për vazhdimin e krizës politike, si dhe domosdoshmërinë e zgjidhjes së saj nëpërmjet një kompromisi politik midis forcave politike, duke nxitur dhe vazhdimin e dialogut parlamentar ndërmjet tyre.


Dështimi i pak ditëve më parë i negociatave në Bruksel dhe heqja dorë e dy krerëve të partive kryesore politike në Parlamentin Europian për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës politike, ka bërë që rezoluta, e cila do të miratohet nga Parlamenti Europian të përqendrohet tek nevoja për një marrëveshje politike midis mazhorancës dhe opozitës bazuar në elementët e përmendur edhe më parë, si respektimi i Kushtetutës dhe transparenca.


Vetë rezoluta e hartuar nga raporteri për Shqipërinë në PE, thekson një sërë problematikash me zgjedhjet e kaluara, probleme të cilat i ka evidentuar përgjatë këtyre muajve edhe vetë opozita, duke kërkuar transparencën e tyre.


Rezoluta thekson se zgjedhjet e fundit parlamentare edhe pse përmbushën një pjesë të standardeve, ato paraqitën mangësi të theksuara, që, sipas raportit të OSBE-ODIHR-it, fillojnë me transparencën e procesit, presionin dhe kërcënimin që u është bërë votuesve, problemet në regjistrimin e tyre, si dhe monitorimi i votave të numëruara.


"Përshëndesim përmirësimet e bëra në kuadrin ligjor dhe administrativ të zgjedhjeve dhe vëmë re, se sipas vlerësimit të OSBE/ODIHR-it, zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009 përmbushën shumicën e standardeve ndërkombëtare, megjithatë (OSBE-ODIHR) tërhoqën vëmendjen për një numër mangësish të identifikuara, në veçanti në lidhje me transparencën e procesit, presionin dhe kërcënimin e votuesve, regjistrimin e votuesve, dhe monitorimin e votave të numëruara, çështje të cila ende duhet të merren parasysh, dhe i bën thirrje të gjitha partive politike që të ndjekin një dialog konstruktiv politik për të eliminuar këto probleme, në favor të pluralizmit politik, përpara zgjedhjeve të ardhshme, duke përfshirë edhe zgjedhjet lokale të 2011, për më tepër, PE-ja thekson nevojën urgjente për hetim të shpejtë dhe efektiv të autorëve të parregullsive", - thuhet në Rezolutë.


Për këtë arsye, sipas këtij dokumenti, duhet një hetim i shpejtë dhe efektiv i të gjithë autorëve të parregullsive në zgjedhjet e kaluara.


Ky dokument kërkon gjithashtu nga forcat politike shqiptare vendosjen e një dialogu politik ndërpartiak për të kryer reformat politike, ekonomike dhe ato sociale, në mënyrë që të bëjnë të mundur integrimin e vendit në Bashkimin Europian.


Një tjetër fushë ku Shqipëria ka marrë kritika të ashpra dhe që mund të jetë në diskutimet e europarlamentarëve është edhe sistemi i drejtësisë.


Sipas Rezolutës që pritet të marrë miratimin e Parlamentin Europian theksohet se reforma në pushtetin gjyqësor është ende në fazat e para të zbatimit dhe sipas këtij amendamenti të hartuar nga raporteri Kuntis, nevojitet një strategji afatgjatë, si dhe miratimi i një legjislacioni, me qëllim që sistemi gjyqësor të ruajë efikasitetin e tij dhe pavarësinë nga qeveria, si dhe nga presionet që mund t'i vijnë nga pushtetet e tjera.


Rezoluta saktëson se një sistem gjyqësor i pavarur është kushti kryesor për integrimin e vendit në BE.


Rezoluta për Shqipërinë që, sipas axhendës së Parlamentin Europian, do t'u paraqitet për miratim eurodeputetëve në orën 15:00 të ditës së sotme do të shoqërohet me diskutime të shumta, duke nisur që nga kriza politike, mundësitë e zgjidhjes së saj, situata ekonomike në Shqipëri, si dhe faktin se përse Shqipëria bën pjesë në Konferencën Islamike.


Në diskutim do të hidhen edhe amendamentet e paraqitura nga eurodeputetët Eduard Kukan, Doris Pak dhe nënkryetari i socialdemokratëve në PE, Hanes Svoboda, për të cilat do të vendoset nëse do t'u bashkëngjiten ose jo Rezolutës së raporterit për Shqipërinë, Nikolas Kuntis.


Pikat kryesore të Rezolutës së rapoterit Kuntis që do t'i paraqiten sot për miratim PE-së:


1. Shpreh keqardhjen e krizës politike dhe institucionale pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009 në Shqipëri, si dhe konsideron se dialogu parlamentar është i nevojshëm për funksionimin demokratik të institucioneve shtetërore, si dhe për të çuar përpara reformat kryesore; mirëpret gjithashtu faktin që deputetët e Parlamentit bënë betimin dhe zunë vendet në Parlament dhe i bën thirrje të gjitha partive politike që të jenë të angazhuara në aktivitet të plotë dhe të pandërprerë parlamentare;


2. Përshëndesim përmirësimet e bëra në kuadrin ligjor dhe administrativ të zgjedhjeve dhe vëmë re, se sipas vlerësimit të OSBE/ODIHR-it, zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009 përmbushën shumicën e standardeve ndërkombëtare, megjithatë (OSBE-ODIHR) tërhoqën vëmendjen për një numër mangësish të identifikuara, në veçanti në lidhje me transparencën e procesit, presionin dhe kërcënimin e votuesve, regjistrimin e votuesve, dhe monitorimin e votave të numëruara, çështje të cila ende duhet të merren parasysh, dhe i bën thirrje të gjitha partive politike që të ndjekin një dialog konstruktiv politik për të eliminuar këto probleme, në favor të pluralizmit politik, përpara zgjedhjeve të ardhshme, duke përfshirë edhe zgjedhjet lokale të 2011, për më tepër, PE-ja thekson nevojën urgjente për hetim të shpejtë dhe efektiv të autorëve të parregullsive;


3. Thekson nevojën urgjente për vendosjen e një konsensusi ndër-partiak mbi reformat ekonomike, politike dhe sociale, në mënyrë që të përmirësojë mirëqenien e qytetarëve shqiptarë dhe të lejojë që vendi të përparojë në rrugën e saj për anëtarësim në Bashkimin Europian;


4. Konsideron se reforma në sistemin gjyqësor është një parakusht i domosdoshëm për integrimin e Shqipërisë në BE; thekson rëndësinë e një transparence, paanshmërisë dhe një gjyqësori efikas, pavarësinë nga kontrolli i qeverisë dhe presioneve të tjera, dhe nënvizon se reformat janë ende në një fazë të hershme të implementimit; dhe bën thirrje për miratimin e një strategjie gjithëpërfshirëse afatgjate në këtë fushë, duke përfshirë një plan për miratimin e legjislacionit të nevojshëm dhe masat për zbatimin e tij, për më tepër, thekson se duhet të sigurohen fonde të mjaftueshme për gjyqësorin në mënyrë që të mund të punojë në mënyrë efektive në të gjithë vendin;


5. Mirëpret faktin se zbatimi i ligjit të lustracionit u pezullua nga Gjykata Kushtetuese dhe se ligji është aktualisht në shqyrtim; kjo kërkon një konsultim të gjerë dhe mirëkuptim, sidomos me Komisionin e Venecias; duhet të përgatitet një projektligj i ri, ku të theksohet rëndësia e ruajtjes së pavarësisë së institucioneve kushtetuese;


7. Vëren gjithashtu se gjendja ekonomike e Shqipërisë është e karakterizuar nga një rritje e ulët ekonomike, ekonomi e madhe informale, e cila promovon pasiguri të punës dhe në thelb dëmton të drejtat e punëtorëve;


8. Bën thirrje për hapa të mëtejshëm në zbatimin e strategjisë për reformën e administratës publike; dhe tërheq vëmendjen e politizimit të administratës nga procedura rekrutuese jotransparente;

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›