E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pekini: Shitja e armëve kërcënon sigurinë tonë kombëtare

Përplasja SHBA-Kinë

Anulohet edhe vizita zyrtare e Presidentit Ju Hintao në Uashington
Vazhdon ende përplasja mes SHBA-së dhe Kinës pas vendimit të Uashingtonit për t’ shituar armë Tajvanit. Përveç ndërprerjes së marrëdhënieve ushtarake, Pekini ka kërcënuar për sanksione të rënda në bazë të zhvillimeve të mëtejshme të situatës. Edhe pse shkëndijat e para kishin nisur në fillim të këtij muaji për “Google”, gjithçka arriti kulmin kur SHBA-ja ka vendosur t’i shesë Tajvanit armë për një shumë prej 6.4 miliardë dollarësh, një paketë kjo “ngrirë” që prej vitit 2008. Sipas zyrtarëve të Uashingtonit, shitja e armëve konsiston në modernizimin legjitim të forcave të armatosura të Tajvanit dhe do të kontribuojë në vendosjen e ekuilibrave ushtarakë të rajonit. Por sipas Pekinit është krejtësisht e kundërta. Kina ka kërcënuar për sanksione kundër shoqërive amerikane, që do t’i shesin armë Tajvanit, duke krijuar kështu paralele me sanksionet e aplikuara nga SHBA-ja atyre kompanive që u shesin armë Teheranit apo Phenianit.
Ndërkaq, nga qeveria kineze së fundmi ka reaguar edhe ministri i Jashtëm, Yang Jiechi. Ai deklaroi për agjencinë e lajmeve në vend, “Xinhua”, se Kina dhe SHBA-ja kanë zhvilluar shumë takime rreth shitjes së armëve, por Uashingtoni ka injoruar kërkesën e Pekinit për ndalimin e tyre. “Shtetet e Bashkuara duhet të respektojnë interesat dhe shqetësimet më të mëdha të Kinës, madje duhet të anulojmë menjëherë vendimet e marra për të shmangur përkeqësimin në marrëdhëniet mes dy vendeve, tha Yang. Ai nënvizoi se ky veprim i SHBA ka vënë në rrezik sigurinë kombëtare kineze dhe se kjo çështje do të ketë një impakt negativ mbi marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin me tyre. Por, administrata Obama ishte në dijeni se shitja e armëve ndaj Tajvanit do të provokonte reagime të dhunshme kineze, kështu vendimi për t’i hapur rrugë kësaj nisme është një shenjë e qartë se politika e “dashurisë” së nisur nga administrata Obama nuk ka dhënë rezultat. Ky konsiderohet si një nga incidentet më të mëdha të të gjitha kohërave. Edhe ministri i Mbrojtjes e ka ftuar Uashingtonin që “të pranojë rëndësinë e këtij vendimi”. Pekini ka akuzuar hapur Barak Obamën se ka gënjyer publikisht dhe nuk ka mbajtur premtimet. Të gjitha gazetat dhe mediat shtetërore në vend kanë raportuar se Kina nuk do të lëshojë pe për këtë çështje. Edhe Presidenti i republikës së Tajvanit, Mao Ying-Jeou, ka thënë se “furnizimi me armë do e bëjë ishullin më të sigurt”. Shtetet e Bashkuara janë aleati më i rëndësishëm i Tajvanit dhe njëkohësisht furnizuesi i tij më i madh me armë. Kina, në fakt, reagon gjithmonë shumë ashpër ndaj çdolloj tentative, apo shitje armësh ndaj Tajvanit, jo vetëm nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Iniciativa amerikane, sipas zyrtarëve kinezë, është e destinuar të ketë “një impakt shumë negativ në bashkëpunimin” mes dy vendeve “në fusha të rëndësishme”. Në paketën prej 6.4 miliardë dollarësh përfshihet sistemi i mbrojtjes raketore “Patriot”, 60 helikopterë lufte të modelit "Black Hawk" dhe pajisje për komunikacionin për avionët luftarakë të Tajvanit F16.
Edhe pse nuk dihet ende se si do të zgjidhet kjo çështje kaq delikate mes dy superfuqive të botës, që tani janë pezulluar takimet më të rëndësishme në axhendë: takimi për të drejtat e njeriut, i parashikuar për në shkurt, është anuluar; po ashtu edhe vizita e Presidentit Hu Jintao në Uashington në muajin prill.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›