Triumfi i jetës
Kush pati fatin ta njohë Pashko Gjeçin dhe kush pati prirjen e aftësinë ta kuptojë – e jo t’i kundërvihet – arriti të bëhet i vetëdijshëm për atë se ç’do të thotë të jetosh, cili është kuptimi i jetës. Prandaj Pashko Gjeçi mbetet në kulturën tonë, domethënë në jetën tonë – kaq të pabusull – si një pikë referimi e thjeshtë në madhështinë e vet dhe madhështore në thjeshtësinë e vet
“Në fund të fundit triumfon vdekja”. Kështu u përgjigj një burrë shteti, kur e uruan për një fitore të madhe, historike, të drejtë. Si të donte të thoshte që vdekja i mposht të gjithë, jo vetëm të mirët, por edhe ata më të ligjtë. Përpara forcës së vdekjes, të dyja këto kategori njerëzore, madje të gjitha kategoritë, janë të barabarta, janë barabar të pafuqishme. E megjithatë një dallim, madje thelbësor, mes të mirit dhe të gjitha kategorive të tjera, ka.
* * *
Para pak ditësh u nda nga jeta përkthyesi Pashko Gjeçi. Mjetet e informimit i bënë jehonë kësaj ngjarjeje të hidhur. Përciptazi, thatë e pa ngrohtësi, siç ndodh pikërisht atëherë, kur nuk duhet, por megjithatë i bënë jehonë. Madje i bënë aq jehonë P. Gjeçit, sa nuk i kishin bërë ndonjëherë në gjallje. Cila qe kjo forcë, që e shtyhu drejt një lëshimi të tillë një pushtet kaq këndngushtë dhe kaq pak të arsyetuar, siç është shtypi bashkëkohor? Jam i bindur se i vetmi shkak, e vetmja arsye për një reagim të tillë të jashtënatyrshëm të shtypit tonë – të prirë si rregull sa drejt një ngazëllimi fluturak për atë që është sipërfaqësore, aq edhe drejt një etjeje pothuaj të sëmurë për negativen – qëndron pikërisht te figura e përkthyesit Gjeçi. Ndihej, qoftë edhe me intuitë, nëse jo me arsye, fuqia e së mirës që vinte prej saj. Një fuqi e disafishtë. E pastër dhe e pasur. E kulluar dhe e thellë. E patëkeq. E butë. E ndritshme. E njerëzishme.
* * *
Duket e çuditshme. Duket diçka e parrokshme me mend. Sot vlerë ka mjeku e Pashko Gjeçi nuk ishte mjek. Sot vlerë ka juristi e Pashkoja nuk qe jurist. Sot vlerë ka bota e politikanëve dhe Pashkoja nuk i përkiste asaj. Sot vlerë ka bota e biznesit e Pashkoja nuk hynte as në atë radhë. Sot vlerë kanë mjetet e informacionit dhe biznesi i shfaqjeve, gazetarët, këngëtarët, menaxherët, regjisorët e konkurseve të bukurisë, producentët, ndërsa Pashkoja s’ishte pjesë e tyre. Nuk ishte as shkrimtar, as piktor, as figurë e shumëpaguar e sportit të sotëm. Askush nuk rendi t’i merrte një autograf. Fare të paktë janë ata të cilëve u përhihet ende para syve pamja e tij e viteve, kur ai ishte në kulmin e forcës së mendimit e të krijimit, pra edhe të bukurisë njerëzore. Sikurse fare të paktë qenë ata që e shoqëruan në udhëtimin e fundit. E megjithatë e përkundër të gjithave, Pashko Gjeçi i detyroi njerëzit t’i falnin disa rreshta e faqe të një shtypi pa yll polar, t’i kushtonin disa çaste minutazhi televiziv – aq të kursyer në të tilla raste (dhe aq të lirë, tmerrësisht të lirë, në gjëra të tjera, të cilat urtësia njerëzore i quan “kotësi e kotësive”). E tillë është forca e kulturës së mirëfilltë, shërbesëtar i së cilës qe Pashko Gjeçi. E tillë është fuqia kurdoherë e heshtur, por tërëpushtonjëse e punës së madhe të njeriut të vërtetë, e cila ngrihet përmbi zallamahinë e së përditshmes dhe kalimtares.
* * *
Pashko Gjeçi ishte thjesht një përkthyes.Tek ai përkthimi ishte një shkrirje e plotë, e përkryer, e dashurisë, dhurëtisë, ndjenjës estetike, mendjes së ndritur dhe vullnetit, shkrirje që e kthen atë nga profesion në mision, nga mund në lumturi, nga vdekje në jetë. Një dashuri e painteres për përkthimin dhe për gjuhën e kulturën amtare. Një dhurëti e ndjenjë estetike për të kryer dallimin thelbësor ndërmjet artit dhe zejtarisë. Një mendje e ndritur për të depërtuar pa vetëgënjim në botën e fjalëve të një gjuhe dhe për ta rindërtuar pastaj me besnikërinë e së vërtetës në një gjuhë tjetër këtë botë dhe mesazhet e saj. Një vullnet për të ecur në këtë rrugëtim të gjatë pa u mekur e pa e humbur kthjelltësinë. Dhe nuk ka asnjë forcë, asnjë motiv, asnjë arsye tjetër veç tyre, që ta shtyjë njeriun të qëmtojë e mbledhë në shpirt pikë pas pike e ta kthejë pastaj në hoje mjalti esencën e rrallë të 40 mijë vargjeve nga poetët më të shquar të kohërave: Homer, Dante, Shekspir, Gëte. Dhe nuk ka asnjë forcë ta shmangë nga ky mision. Ja përse Pashko Gjeçi kapërceu vitet, kapërceu kohën, kapërceu edhe ndokënd që kështu apo ashtu u përpoq ta pengonte në përmbushjen e një misioni kaq fisnik, siç është pasurimi dhe fisnikërimi i kulturës sonë.
* * *
Pashko Gjeçi iu kushtua përkthimit të veprave shumë të njohura, klasike, të letërsisë botërore të të gjitha kohëve. Thënë në mënyrë të figurshme, ai gdhendi vetëm në mermer. Ky veprim nuk ishte thjesht një pasqyrim i prirjes së kohës kur ai jetoi e përktheu, prirje e përqafuar nga pjesa më e madhe e përkthyesve të atëhershëm dhe aq e largët, e huaj për kohën e sotme thelbësisht tregtare. E vërteta është që në të gjithë veprimtarinë e vet intelektuale, jo vetëm përkthimore, por edhe arsimore, Pashko Gjeçi u udhëhoq vetëm nga parimi i përhapjes në vendin tonë të vlerave letrare e kulturore të qëndrueshme dhe jo eksperimentale, vlerave që kaluan provimin e shekujve dhe jo produkteve të oportunizmit politik, qoftë ky edhe i fshehur nën petkun e titullimeve të bujshme. E vërteta është që në përzgjedhjen e veprave për përkthim dhe në punën e vet përkthimore, ashtu sikurse edhe në veprimtarinë e vet arsimore, Pashko Gjeçi nuk pati asnjëherë si kriter orientues komercializmin, fitimin. Nuk mund të përkthehet për para një vepër si “Komedia hyjnore”, duke respektuar vlerat estetike, formale dhe ideore të saj deri në përkryerje, ashtu siç i respektoi ai. Pikërisht kjo është arsyeja që askush nuk mund të parashikojë se kur do të kemi një përkthim të ri, në gjuhën zyrtare shqipe, të kësaj kryevepre. Pashko Gjeçi ishte mjeshtër në përzgjedhje e në përkthim, ndërsa koha e sotme e ka lënë gjithçka në dorë të parasë. Në të tilla kushte nuk ka më vend për mjeshtra, për artistë. Pashko Gjeçi në veprimtarinë përkthimore, si veprimtari tërësisht ideore e gjuhësore, u nis nga ndjenja e nderimit të thellë për gjuhën amtare, pavarësisht se në përputhje me formimin e vet ai përdori variantin veriperëndimor të gegërishtes (shkodranishten letrare). Ky nderim për gjuhën shqipe shfaqet në faktin që gegërishtja e Pashko Gjeçit jo vetëm është poetike, bukurtingëlluese dhe funksionale në shkallën më të lartë, por edhe ruan në tërësinë e vet lidhje të qarta e të qëndrueshme strukturore me shqipen zyrtare. Shtrati i gjuhës poetike të Pashko Gjeçit mbetet gjuha shqipe e kuptueshme për të gjithë shqiptarët e arsimuar, nga veriu deri në jug. Pikërisht kjo shpjegon ndër të tjera qartësinë kuptimore të saj përtej trajtës fonetiko-morfologjike të caktuar. Dhe kjo në një kohë që si rregull në poezi shfaqet një ndër pamjet më të ndërlikuara të gjuhës.
* * *
Veprimtaria e shquar përkthimore e Pashko Gjeçit pasqyron formimin e tij qytetar, i cili u shpalos edhe në një veprimtari më pak të dukshme, ndonëse po aq publike në formë dhe synime, siç është veprimtaria arsimore. Edhe në këtë fushë Pashko Gjeçi u udhëhoq nga parimet më të mira të arsimit tonë: përhapja e dijes dhe e edukatës së nxënies – domethënë të edukuarit e nxënësve me aftësitë e punës së pavarur dhe me guximin krijues – krahas edukimit të përgjithshëm qytetar, tipari themelor i të cilit është shërbimi ndaj shoqërisë, ndaj përparimit të saj. Pashko Gjeçi nuk shquhej për një rigorozitet metodik të mësimdhënies. Ai shquhej për aftësinë- e rrallë edhe për atë kohë, jo më për kohën e sotme – për të ngjallur te nxënësit interesin dhe etjen për dije, interesin dhe etjen për vetëdije dhe mëvetësi të shëndetshme të gjykimit, për të zhvilluar tek ata aftësitë intelektuale. Pashko Gjeçi dinte ta bënte të këndshme atë që ishte e mërzitshme, të lehtë atë që ishte e vështirë, të mundur atë që ishte e pamundur. Ai i mësonte dhe i udhëhiqte pa kurrfarë shtrëngimi nxënësit të gjenin të bukurën në çdo gjë, edhe në zgjidhjen e një nyje të vështirë në përkthim, edhe në recitimin përmendësh – për më se 15 minuta, pra sa një rol i mirë dramatik – të pothuaj 10 faqeve me hekzametra. Për Pashko Gjeçin shkolla dhe jeta nuk ishin të bukura vetiu, ato duhej të bëheshin të tilla. Dhe të tilla mund të bëheshin vetëm përmes punës së secilit. Puna ishte për Pashko Gjeçin fillimi dhe mbarimi i gjithçkaje, virtyti më i lartë i njeriut, prej të cilit rridhnin të gjitha virtytet e tjera dhe pa të cilin të gjitha këto ishin të pajeta. Nxënësi që punonte ishte i nderuar për të, ndërsa një klasë e shtruar në punë ishte për të qetësia më e madhe shpirtërore gjatë orës së mësimit. Duke nxitur aftësitë e nxënësve për punë, Pashko Gjeçi nxiste besimin e tyre te forca e madhe e saj, për pasojë edhe dashurinë për të. Kush pati për mësues Pashko Gjeçin, mësoi të punonte. Dhe, nëse nuk pati vullnetin dhe bazën e duhur për t’ia arritur kësaj, së paku arriti të ndiente se ç’bukuri të fshehtë dhe të fuqishme kishte puna.
* * *
Pashko Gjeçi ishte qytetar dhe njeri shembullor. Për të ishin të shenjtë edhe përkthimi, edhe mësimi, edhe marrëdhëniet me njerëzit, bashkëpunëtorë a nxënës qofshin. Madje pikërisht ky formësim i përgjithshëm i tij si njeri e qytetar i përgjegjshëm përbën bazën e vërtetë të arritjeve të tij të shquara në përkthim e mësimdhënie.
Kush pati fatin ta njohë Pashko Gjeçin dhe kush pati prirjen e aftësinë ta kuptojë – e jo t’i kundërvihet – arriti të bëhet i vetëdijshëm për atë se ç’do të thotë të jetosh, cili është kuptimi i jetës. Prandaj Pashko Gjeçi mbetet në kulturën tonë, domethënë në jetën tonë – kaq të pabusull – si një pikë referimi e thjeshtë në madhështinë e vet dhe madhështore në thjeshtësinë e vet. Ne nuk mund ta dimë nëse do të studiohet ndonjëherë – dhe, nëse po, sa e si – veprimtaria kulturore e Pashko Gjeçit. Por një gjë është e sigurt: vlera e saj nuk do të tretet, sa kohë të rrojë gjuha shqipe. Kështu, në fund të fundit, jeta, domethënë veprimtaria krijuese e njeriut, arrin të triumfojë mbi vdekjen. “Vita brevis, ars longa” (“Jeta shuhet, arti rron”).
#