E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, bizneset shqiptare ndihmë 30 milionë euro nga Italia

21/01/2009  Pala italiane do të financojë projekte nga 50 mijë euro deri në 500 mijë euro

Ministrat Bode dhe Ruli të shqetësuar për uljen e kreditimit nga bankat

Në kushtet kur bankat tregtare kanë shtrënguar dorën për huadhënien ndaj ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, Qeveria italiane ka hapur një dritë jeshile për këtë sektor. Me anën e një kredie të butë prej rreth 30 milionë euro këto ndërmarrje do të ndihmohen, duke u siguruar financimin e projekteve me vlerë nga 50 mijë euro deri në 500 mijë euro. Këto ndërmarrje përbëjnë edhe 95 për qind të bizneseve në vendin tonë dhe konsiderohen si shtylla për zhvillimin e ekonomisë. Në një kohë kur e gjithë bota është duke ndjerë pasojat e një krize të vazhduar ekonomike, falë kredisë së dhënë nga Italia, bankave tregtare që operojnë në vend do t’u jepen garancitë për të kredituar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, SME-të. “Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë subjektet që hasin më shumë vështirësi në gjetjen e financimeve. Duke pasur parasysh krizën financiare globale, ky program do të ndihmojë edhe bankat që të kreditojnë këto biznese”,- theksoi dje ministri i Ekonomisë, Genc Ruli. Këtë shqetësim e ka artikuluar edhe ministri i Financave, Ridvan Bode. “Ulja e nivelit apo rritja e kujdesit të bankave për të dhënë kredi sidomos ndaj ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme përbën një element që duhet të na shqetësojë të gjithëve dhe të gjithë së bashku duhet të jemi të interesuar për të gjetur instrumente që t’i mbështesin këto ndërmarrje në këtë periudhë të tronditjes së sistemit financiar botëror. Programi që ne iniciojmë përbën një instrument tepër të përshtatshëm për të mbajtur të lartë nivelin e kreditimit ndaj ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat kanë nevojë në këtë periudhë që të mbështeten në mënyrë më aktive jo vetëm me linja krediti, por mbi të gjitha linja të buta krediti”, - tha ministri i Financave. Bode i kërkoi Qeverisë italiane të disbursojnë kredinë sa më shpejt, në këtë periudhë të vështirë. “Në qoftë se kredia do të disbursohet në një kohë tepër të gjatë, mendoj që efekti i saj në kuadrin e kësaj krize financiare që ekziston sot në tregun botëror, do të ishte më i limituar dhe interesi e nevoja e ekonomisë shqiptare është për një disbursim të shpejtë të kësaj kredie të akorduar nga pala italiane”,- u shpreh ministri Bode. “Përveç linjës së kredisë me vlerë 25 milionë euro që do të shpërndahet nga pesë banka që operojnë në vend, do të krijohet edhe një fond garancie për kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme me vlerë 2.5 milionë euro”, nënvizoi Saba D’Elia, ambasadori italian. Një ndër kushtet është që jo më pak se 70 për qind e vlerës së financuar të projektit duhet të përdoret për blerjen e lëndës së parë, pajisjeve, teknologjisë, asistencës teknike, përfshirë trajnime, mirëmbajtje, pjesë këmbimi dhe licencë industriale me origjinë italiane. Tjetër kriter është që të gjitha këto të furnizohen nga prodhues italianë.

Komponentët e kredisë

Kredia për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ka tre komponentë. 25 milionë euro kredi e butë për një linjë kredie në favor të ndërmarrjeve të vogla e të mesme, 2.5 milionë euro kredi e butë për krijimin e fondit të garancisë, i cili mbështet NVM shqiptare për të marrë kredi dhe 1.7 milionë euro grant për asistencën teknike, që synon rritjen e kapaciteteve për zbatimin e këtij programi dhe në tërësi për hyrjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në tregun financiar. Kredia do të zgjasë 38 vjet dhe do të kthehet nga shteti shqiptar me norma interesi 0. Shteti shqiptar nuk do të paguajë kredi për një periudhë 18 vjet.

Përfituesit

Ndërmarrjet e vogla e të mesme që janë konsideruar prioritare për të përfituar nga programi janë ato të sektorit të prodhimit, bizneset eksportuese, SME-të e themeluara rishtas nga nënshtetas shqiptarë rezidentë në Itali; si dhe ato të përqendruara në zonat industriale. Ekspertët vlerësuan se sektorët që do të mbështeten nga ky program janë agrikultura dhe agroushqimi, projektet për prodhimin natyror të energjisë ose projekte për ruajtjen dhe eficiencën e energjisë, projektet me ndikim të ulët mjedisor ose që ulin ndotjen e mjedisit; projektet që krijojnë vende të reja pune; si dhe projektet e lokalizuara në zonat më pak të zhvilluara të vendit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›