E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, biznesi jep alarmin. Qeveria mohon

Ndërsa komuniteti i biznesit jep alarmin për efektet e krizës ekonomike globale, qeveria paraqitet optimiste. Z.ministri I Financave, Florjon Mima dhe ai I Ekonomisë, Eno Bozdo kanë deklaruar se shifrat e bilancit tregtar për dy muajt e parë të këtij viti tregtojnë se ekonomia nuk është në krizë. Madje, sipas numrit dy të financave, edhe pretendimet e fasonistëve për problemet që po hasin, si pasojë e krizës nuk qëndrojnë. 

TIRANE- Qeveria mbetet optimiste për efektet e krizës ekonomike globale, pavarësisht alarmit të lëshuar nga biznesi, rënies së të ardhurave nga emigrantët apo përkeqësimit të tregtisë. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave gjatë muajit janarë 2009 eksportet arritën në 6.6 miliardë lekë duke shënuar një rënie prej 11.6 për qind kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë dy zëvendësministrat ai i Financave Florion Mima dhe i Ekonomisë Eno Bozdo kanë deklaruar se shifrat e bilancit tregtarë për dy muajt e parë të këtij viti tregojnë se ekonomia shqiptare nuk ndodhet në krizë.

“Eksportet shqiptare po performojnë në të njëjtin ritëm si në vitin 2008. Niveli ngelet pothuajse i njëjtë në rangun e rreth 17 miliardë lekëve me një rënie të papërfillshme -0.8 për qind për vitin 2009. Rënie vërehet në eksportet mallrave të prodhuara në territorin e Shqipërisë kryesisht minerale, gurë dekorativ, bimë medicinave, lëndë drusore. Rënie e lehtë kjo e cila kompensohet totalisht nga eksporti i energjisë elektrike”, u shpreh zëvendësministri i Financave Mima.

Madje numri dy i financave Mima i ka konsideruar të pavërteta pretendimet e eksportuesve dhe veçanërisht të fasionistëve për krizën në sektorin e tyre.

“Fasonët, po performojnë me të njëjtin ritëm, frika që kemi pasur për uljen e kërkesës nga porositësit e tyre jashtë territorit të Shqipërisë rezultoi i pavërtetë. Volumi i eksporteve është në rangun e 12.7 miliardë lekëve si në 2008 ashtu edhe në 2009”- shtoi më tej Mima.

Gjatë muajve të fundit komuniteti i biznesit ka paralajmëruar qeverinë për problemet që po has nga kriza ekonomike globale. Madje Shoqata e Ndërtuesve, Dhoma Kombëtare e Veshjeve dhe Konfindustria i kanë paraqitur ekzekutivit edhe plane antikrime, të cilat deri më tani nuk janë marrë parasysh. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›