E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, biznesi mësyn Ministrinë e Financave

Lumë kërkesash për ndryshimin e politikës së taksave. Propozimet e fasonëve

Kriza ekonomike vijon ta dëmtojë biznesin, duke ndikuar në tkurrje të aktivitetit, mbyllje të ndërmarrjeve dhe rritje papunësie. Përtej deklaratave të Kryeministrit për rritje të prodhimit vendas, realiteti i treguar nga vetë biznesi tregon të kundërtën. Fasonët janë sektori që po preket direkt nga kriza, ndërsa paralajmërimet e tyre për ndryshimin e skemave fiskale kanë nisur një vit më parë. Pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë janë në vështirësi dhe zgjidhjen e shikojnë te Ministria e Financave, si politikëbërësja e sistemit të taksave. Për këtë qëllim kanë nisur negociatat nga biznesi, ku të parët janë fasonët. Burime zyrtare nga industria e tekstileve njofton se është zhvilluar një takim mes shoqatës dhe zv/ministrit të Financave, Alfred Rushaj, duke i parashtruar një sërë kërkesash në lidhje me sektorin.

Flamur Hoxha, kryetar i Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve, i pranishëm në takim, u tha drejtuesve të ministrisë, se “pavarësisht disa përmirësimeve të pandjeshme në treguesit e punës dhe të biznesit në këtë sektor, gjendja vijon të jetë problematike, ka një numër të konsiderueshëm ndërmarrjesh me paaftësi të dukshme paguese ndaj shtetit dhe ndaj punëmarrësve, ka mungesa kontratash me kontraktorët e huaj, mbyllje të ndërmarrjeve fasoniste dhe pushim nga puna apo reduktim të numrit të të punësuarve në sektorin e veshjeve dhe të këpucëve”.

Vetëm një apo dy ndërmarrje, nga rreth 450 ndërmarrje në rang vendi, kanë tentuar të ndryshojnë ciklin e prodhimit, nga prodhim me mall porositësi, në prodhim “Made in Albania”. Sipas Hoxhës, gjatë vitit 2009 eksportet e këtij sektori janë ulur me rreth 15,4 për qind, sipas deklarimit zyrtar, ndërkohë që janë shqetësues treguesit e importit të lëndës së parë që janë në ulje, jo vetëm për 2009-ën, por edhe për muajt e parë të vitit 2010.

Në këto kushte, fasonët kërkojnë heqjen e tatim-fitimit për një periudhë 3-5 vjeçare, si dhe heqjen e plotë të TVSH-së e taksave doganore për importin e linjave të prodhimit. Tjetër kërkesë lidhej me shtyrjen e afatit të deklarimit online të detyrimeve tatimore, si dhe rimbursim të shpejtë të TVSH-së. Pasi dëgjoi kërkesat, zv/ministri Rushaj tha hapur se jo të gjitha kërkesat mund të plotësohen, siç ishte deklarimi online etj. Ai theksoi gjithashtu se nuk do të ketë ndryshim për sa i përket heqjes së tatim-fitimit për këtë sektor, si dhe heqjes së taksës së TVSH për importin e makinerive dhe pajisjeve për përmirësime teknologjike në sektorin e rieksportuesve. Megjithatë palët kanë rënë dakord të vijojnë me diskutimet për të gjetur një zgjidhje në interes të qeverisë dhe biznesit.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›