Ndoka: Prokuroria po zvarrit Bushatin
Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, akuzoi dje Prokurorinë e Rrethit të Shkodrës, e cila sipas tij po zvarrit hetimin e parregullsive të konstatuara nga PDK në zonën e Shkodrës. Në një komunikim për mediat, Ndoka theksoi se me këtë qëndrim kjo prokurori po tregon se është e paaftë të shqyrtojë këtë rast të vjedhjes së votave. “Kanë kaluar më shumë se pesë muaj prej denoncimit tonë dhe prokuroria në vend që të hetojë në përputhje me ligjin dhe të çojë para përgjegjësisë personat e implikuar, vazhdon ta zvarrisë çështjen, duke u treguar e paaftë që të kryejë funksionet e saj kushtetuese”, theksoi kryetari i PDK-së. Sipas Ndokës, tashmë kjo parti disponon informacione se prokurorët e çështjes, të vënë përballë presionit të gjithanshëm të pushtetit, po e zvarrisin çështjen pafundësisht, duke mos i dhënë asnjë përgjigje për denoncimin e Partisë Demokristiane. Po kështu, PDK thekson se ka informacione që KQZ ka refuzuar të vejë në dispozicion të prokurorëve tri kutitë e votimit të qendrave të denoncuara prej nesh, ku mbahen të mbyllura dëshmitë e pakundërshtueshme për vjedhjen e votës.
#