E Shtunë, 31 Tetor 2026

Puna e pambaruar e Ramës për 2009

Ylli Asllani* “Të ndodhemi në të njëjtin mjet udhëtimi dhe në të njëjtën kohë, nuk do të thotë detyrimisht se jemi së bashku.” Sidoqoftë, për rrethana të njëjta sigurie, të mos themi klimë mirëkuptimi do të duhet që gjithsesi të paramendojmë një drejtpeshim të përbashkët për të shmangur çdo eventualitet.  Kjo do të thotë se krahas disponimit dhe respektit ndaj rregullave të pranuara bashkarisht, duhet edhe gatishmëria për të rivendosur ekuilibër, kur gjysma tjetër papritur braktis barkën para mbërritjes në “tokën e premtuar”. Z. Rama ka 6 muaj që deklaron se kjo zhytje e tij në llucë bëhet për të pastruar ekipin fitues dhe gjithë politikën e vendit në përgjithësi. Përbaltjen e vet ai e prezanton para gjithë opinionit të kulturuar si gjest bojkoti. Agjentit të tokave irlandeze, Charles Boycott, sigurisht që nuk i kishte shkuar nëpër mend që me sjelljet e tij dashakeqëse ndaj fermerëve në vitin 1879, do t’i lakohej aq shumë mbiemri në enciklopedinë botërore sa të personifikohej si sinonim i largimit prej të keqes, i bllokimit dhe minimizimit të saj për të risjellë një situatë të re më pozitive për të gjithë shoqërinë.  Në këndvështrimin e bojkotit, gjatë gjithë këtij intervali shekullor refuzimi i lirisë apo të drejtës për të ushtruar një mandat, për të marrë pjesë në zgjedhje, në aktivitete apo në konsumimin e shërbimeve, është pranuar si një sjellje brenda normave demokratike për të ridemensionuar pozitivisht një marrëdhënie të deformuar nga rrethana dhe vullnete të pakontrolluara. Me një fjalë në bojkotin real aplikohet një dëmtim në atë masë që garanton një të mirë më të madhe se dëmi i kryer. Por as agjenti i tokave irlandeze, Charles Boycott dhe as pasardhësit e tij të natyralizuar, nuk do të besonin se do të ndodhte që mbiemri i tyre do të rikthehej si alibi pas 130 vjetësh në Shqipëri, por tashmë në kuptimin e kundërt të kësaj fjale, pra kur i bojkotuari është shndërruar në bojkotues.  Pra z. Rama mund të kryej çfarëdo veprimi që t’i shkrepet në mendje dhe që ai e gjykon se i jep avantazh, por, kjo në bazë të normave demokratike që ai pretendon, nuk i jep të drejtën të luajë rolin e bojkotuesit kur vetë ai është bojkotuar nga shumica e shqiptarëve në zgjedhjet e qershorit.  Ai është autobojkotuar nga të qenit deputet, është bojkotuar nga 20 mijë numëruesit e tij të votave, është bojkotuar nga përfaqësuesit e tij në KQZ, është bojkotuar nga statuti i PS dhe nga përfaqësuesit më të spikatur të kësaj force dhe po bojkotohet gjithmonë e më qartë nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë.  Por le të kthehemi te dalldisja ose “bojkoti” i z. Rama dhe të verifikojmë me gjakftohtësi se cila është dobia që ai do të sillte për shqiptarët nga baltosja (dëmtimi) që hedh mbi përpjekjet dhe aspiratën e tyre evropiane. Në këtë aspekt duke vlerësuar si metodë eficente pyetësorin, do isha kureshtar të dija: A është normal bojkoti kuvendit, kur PS ka pranuar zgjedhjet? A e stabilizon demokracinë funksionimi i opozitës jashtë parlamentit? A e forcon shtetin ligjor braktisja pambarim e institucioneve të tij kushtetuese? A e rrit imazhin e vendit dhe a e paraqet më të pjekur e më dinjitoze klasën politike? A po ndihmon vendin duke krijuar imazhe të rreme për kriza të paqena? A e rrit sigurinë për mbarëvajtjen e biznesit, duke tjerrë histori të pavërteta? A e përshpejton liberalizimin e vizave përpjekja për destabilizim? A po lufton frymën e intolerancës që ka përfshirë organet e PS rreshtimi me urdhër? A po e bën me konstruktiv aksionin e PS dhe a po e nxjerr atë nga izolimi? A mund të përdorë në dobi të qytetarëve taksat kur të zgjedhurit e tyre të majtë po vetkeqpërdoren?.... Dhe a mund që me kodin e tij elektoral, me të cilin përjashtoi Ngjelën, Gjinushin, Milon apo dhe të riun Veliaj, t’i rikthejë ata përsëri në Parlament? Në çdo rast do ta vlerësoja aksionin dëmtues të z.Rama n.q.s dikush do t’i përgjigjej pozitivisht pyetjeve të mësipërme…! Por kushdo e kupton që kjo do të ishte një retorikë e pavlerë. Ndërkohë që përfaqësues të komunitetit evropian konstatojnë se raporti për qeverinë shqiptare është më pozitiv se viti i kaluar. Shqetësimi që ata shprehin është se: “Bojkoti i opozitës nuk po sjell asnjë efekt pozitiv, por përkundrazi është negativ, si për procesin integrues të Shqipërisë, ashtu dhe për procesin e liberalizimit të vizave. Ky proces duhet përshpejtuar, jo vetëm për të mirën tuaj, por dhe për ne”. Në këtë mënyrë gjykoj se z. Rama, megjithë pengesat që po tenton të krijojë, nuk e frenon as qeverinë dhe as shqiptarët të ecin përpara në rrugën e integrimit, jo sepse është një “bojkotues” i dobët, as se i mungon këmbëngulja, por për një arsye të thjeshtë dhe objektive, atij i mungon një kauzë e drejtë. Kështu, pavarësisht se ai e ka ndjekur me përpikmëri ciklin e një BOJKOTI REAL dhe po konsumon i vendosur të gjitha etapat e tij, duke filluar prej DISTANCIMIT, DëMTIMIT, IZOLIMIT, ai dita-ditës për mungesë motivi dhe argumentesh ndjehet pa mbështetje ose e thënë ndryshe i bojkotuar.  Z. Rama nuk i përgjigjet ftesave për bashkëpunim sepse nuk do të pranojë logjikën e kthjellimit. Ai po i beson në mënyrë skematike vetëm ciklit të bojkotit si proces dhe jo si përmbajtje, megjithëse në brendësi të tij ka filluar ta klasifikojë këtë aksion politik, si një punë të pambaruar të vitit 2009.  I ndodhur në këtë dilemë, çdo ftesë për dialog e çorienton. Ai tashmë po pret sipas skemës të hyjë “natyrshëm” në etapën përmbyllëse të bojkotit, që quhet etapa e AFRIMIT.*Këshilltar i Kryeministrit për Pushtetin Vendor dhe Decentralizimin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›