E Shtunë, 31 Tetor 2026

Piramidat financiare, Krimi dhe Ndëshkimi

Prof. Dr. ANASTAS ANGJELI Nuk bëhet fjalë për histori mijëravjeçare të piramidave të faraonëve të Egjiptit të lashtë, as për zbulimet e fundit të piramidave në Meksikë. Fjala është për një lloj të veçantë piramidash, ato financiare, që i përkasin një historie jo më shumë se 200 vjet dhe që fillon në mënyrë të spikatur me emrin e Charles Ponzit. Nuk la pa prekur edhe Shqipërinë në mes të viteve ‘90 dhe vjen në ditët tona tek emri, i cili jo më pak se një vit më parë konsiderohej si njohësi dhe “lojtari” më me famë i tregjeve financiare, Bernard Mardoof. Pas botimit të një sërë librave, tashmë të ofruara opinionit publik shqiptar, si Ligjeratat Nobel në Ekonomi, Tregjet Financiare, analiza ekonomike financiare e njësive të biznesit, Prof.Dr. Aristotel Pano, një nga korfejtë e mendimit ekonomik dhe financiar shqiptar, vjen në publik me një punim tjetër, ndonëse këtë radhë i një natyre pak më të veçantë, më modeste (në formën e një libërthi-broshurë) por tepër aktual, interesant dhe shumë i rëndësishëm: “PIRAMIDAT FINANCIARE”(Krimi dhe Ndëshkimi), botim i Universitetit Mesdhetar Shqiptar, e cila ka në thelb trajtimin shkencor, profesional dhe kronologjik të historisë së këtij fenomeni, skemave piramidale, financiare, mashtruese, të ndërtuara e zbatuara nga këta personazhe në kohë dhe në vende të ndryshme dhe fundin e tyre. Botimi vjen pranë publikut shqiptar në një kohë që ekonomia globale vazhdon të “lëngojë” ende pasojat e një prej krizave ekonomike e financiare më të rënda të Pasluftës së Dytë Botërore, pasojat e të cilës kanë lënë gjurmë edhe në ekonominë e vendit tonë. Në këtë krizë u pleksën faktorë të ndryshëm ekonomikë e financiarë, bankarë dhe hipotekarë, sistemi i kreditit dhe i sigurimeve, psikologjikë dhe socialë etj,. Në më pak se tre vjet në shkallë botërore falimentuan 130 banka, miliona njerëz u gjendën të papunë, ekonomitë e vendeve më të zhvilluara ranë në recension (e tashmë kanë filluar të dalin prej tij), tregjet financiare ndërkombëtare u tronditën rëndë, një katrahurë e vërtetë globale. Në këtë mori faktorësh dhe ngjarjesh, një rol, ndikim dhe një “zhurmë” jo pak të madhe pati dhe zbulimi dhe ndëshkimi i një prej skemave mashtruese, piramidale financiare që lidhet me emrin e Bernard Mardoof, skema Mardoof. I shkruar me një stil të thjeshtë, ky punim, me një përmbajtje të lartë profesionale e shkencore në fushën financiare, është konkret, mjaft i kuptueshëm, i adresohet jo vetëm lexuesit profesionist, ekonomist, financist, bankier, etj, por edhe një rrethi më të gjerë lexuesish, pse jo gjithë opinionit publik. Padyshim që ky botim do të “shkundë” kujtesën e mijëra qytetarëve shqiptarë, të cilët humbën paratë e tyre (kursimet) në skemat famëkeqe piramidale, që ishin ngritur në mes të viteve ‘90 në vendin tonë dhe u shembën në fundvitin e 1997-ës.Njohja me këtë punim është një ndihmëse për ndërgjegjësimin më të madh të mbarë opinionit publik, ndaj dëmeve dhe pasojave të shkaktuara nga “veset” e natyrës njerëzore dhe rreziku i shfrytëzimit të tyre, nga elementet spekulantë dhe kriminalë në tregjet financiare. Kjo, siç e theksuam, bëhet dhe më aktuale në kushtet e spekulimeve të mëdha financiare që ndodhen në tregjet financiare ndërkombëtare edhe gjatë krizës së tashme globale, që tronditën rëndë ekonominë dhe financat botërore.Punimi në mënyrë shumë konkrete dhe të kuptueshme prezanton jo vetëm lidhjet dhe raportet e ngushta mes nivelit të rentabilitetit dhe të riskut të investimit financiar, por dhe llojet konkrete të skemave financi-are piramidale të aplikuara, veçanërisht në shekullin e 20 dhe 21, pavarësisht “përsosjes” apo “kamuflimit” në forma të ndryshme e “bashkëkohore” të prezantimit të tyre,(Tregjet financiare, bursat, sistemi bankar, shoqëritë e sigurimit apo pensioneve, industria e ndërtimit, etj), ndaj të cilave çdo njeri duhet t’i njohë, të jetë ”vigjilent” dhe të dijë si të mbrohet.Në këtë këndvështrim, lexuesi përmes këtij botimi njihet si me ndër të parat skema piramidale (sipas numrit të pjesëmarrësve të mundshëm) të Charles Ponzit (1920), ashtu edhe me ato të modelit të tetë topave, piramidave të përbëra nga disa rrjete apo të skemës matricë, etj, ashtu edhe me ato të Dona Brancas në Portugali (1970-1984), të Adriaan Nieuwoudt në Afrikën e Jugut (1984), të Ioan Stoicau-t në kompaninë “Caritas” Cluj-Napoca në Rumani (1991-1994), të Sergey Mavrodi në Rusi (1990), e kështu me radhë, në Gjermani(1994), në Haiti në 2001, në Kosta Rica në 2002, në Kolumbi, Ukrainë, Filipinë, në SHBA, disa herë 1995, 1996, 2000, 2005, 2007, 2008, etj, etj. Me këto skema mashtruese piramidale financiare janë të lidhur emrat e mashtruesve më të mëdhenj të tyre, si Ivan Frederick Boesky, Samuel Israel III, Michael Robert Milken, Samuel Waksal, Jon Rigas, Jeffry Skiling, Denis Kozlovski, Bernard Ebbers, Alen Stanford, dhe deri tek ato“moderne” që ndodhen gjatë kësaj krize globale e që lidhen me emrin e të “famshmit” Bernard Mardoof në SHBA. Me këto emra dhe veprimtarinë e tyre lidhen ngjarje nga më të bujshmet, që lidhen me “nisma dhe operacione të guximshme”, me “spekulime dhe veprime financiare të suksesshme”, por që në thelb kanë qenë vepra kriminale dhe që kanë pasur një fund të tmerrshëm, ndëshkimin e pafalshëm.është kjo një arsye më shumë që nga mendja e çdo njeriu nuk duhet të hiqen fjalët e ekonomistit të shquar amerikan John Golbrait, i cili theksonte se “...natyra e njeriut vuan jo vetëm nga vesi i pangopësisë, por edhe nga sindroma e amnezisë ekonomike...”.  Kjo thënie, aktuale për të gjitha kohërat, është një thirrje, një mesazh edhe për qytetarët shqiptarë, mesazh, i cili në këtë punim përkthehet në atë se askush nuk duhet të harrojë ngjarjet e hidhura dhe pasojat e skemave piramidale në fillim të viteve ‘90, dhe nuk duhet të mashtrohet dhe të bjerë përsëri në “grackën” e çdo lloj spekulanti të pamëshirshëm. Kjo sepse efekti psikologjik i këtyre skemave, “çuditërisht mbetet shumë joshës”. Jo më kot, Sam Vaknin, një nga autoret amerikanë më në zë në fushën e analizës së tipologjisë së skandaleve dhe piramidave financiare, ka theksuar për psikologjinë e pjesëmarrësve në skemat piramidale financiare se “megjithëse ata (pjesëmarrësit në piramidat financiare) dinë se dikur dhe diku skemat piramidale kanë pësuar kolaps, ata përsëri e përsëri vazhdojnë të rendin pas tyre me të njëjtin rezultat të fluturave që rendin drejt zjarrit”.Nga ana tjetër, ky punim, krahas ndërgjegjësimit qytetar ndaj spekulimeve financiare, është dhe një sinjal për vazhdimin e mëtejshëm të reformave strukturore, për forcimin e mëtejshëm të institucioneve dhe rregullave të mbikëqyrjes në tregjet financiare dhe bankat, (krahas masave të marra në vazhdimësi pas vitit 1997) për evitimin e mashtrimeve financiare kriminale. Këtij qëllimi i shërbejnë jo vetëm masat mbikëqyrëse që janë marrë e po merren ndaj sistemit financiar-bankar e jobankar, por në veçanti edhe kuadri ligjor i krijuar (dhe sidomos zbatimi i tij) lidhur me përsosjen e ekspertizave kontabël, krijimin e bordit të ekspertëve kontabël të autorizuar,(që do të shërbejnë si një ndihmesë për përmirësimin e mëtejshëm cilësor të hartimit dhe ekspertimit të bilanceve kontabël të njësive ekonomike në vendin tonë) si dhe përsosja e mëtejshme e akteve ligjore tatimore sidomos, të Kodit të Procedurave Tatimore dhe vetë rritja e rolit dhe eficencës së punës së Administratës Tatimore etj.Ky botim është gjithashtu, në veçanti, një instrument i rëndësishëm profesional për t’u përvetësuar e përgatitur nga rrethi i ekonomistëve, financierëve dhe juristëve duke u zgjeruar atyre njohuritë dhe horizontin jo vetëm për anët pozitive të tregjeve të lira por, dhe të rreziqeve të mundshme që mbartin ato.Përshkrimi në këtë botim, jo vetëm profesional i skemave piramidale financiare, por edhe ai, kronologjiko-historik dhe fundi i tyre padyshim që ka domethënien e vet shumë të vërtetë, e cila mund të përmblidhet në: “Skema të tilla mashtruese e kriminale (piramidat financiare) kanë gjetur dhe mund të gjejnë terren vazhdimisht. Pavarësisht nga ndryshimi dhe “përsosja” apo “kamuflimi “i tyre,ato në thelb mbeten skema mashtruese dhe përbëjnë një krim financiar. Prandaj kujdes! Rreziku i tyre nuk duhet harruar asnjëherë!. Gjithnjë ka një fund për to! Ndëshkimi i tyre është i pashmangshëm!”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›