E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, diplomatë e presidentë thirrje për konsensus

Nuk ka munguar apeli për të gjetur konsensus edhe gjatë pritjes së tij në Ditën e Europës. Ambasadori i KE-së në vendin tonë Helmut Lohan gjatë ceremonisë ku ishin të pranishëm të tre krerët e shtetit dhe diplomatë të huaj në vend, i ka kujtuar politikës shqiptare se duhen arritje konkrete në kuadër të integrimit. Për këtë ai ka cituar dhe shtetarin francez Robert Shuman, nje ndër themeluesit e Bashkimit Europian.

“Robert Shumani flet për arritje konkrete dhe kjo më sjell ndërmend arritjet konkrete që duhet të bëjë Shqipëria si kusht për integrimin e saj në BE. Robert Shumani flet për eleminimin e konfliktit mes armiqve të vjetër edhe kjo përmban kuptim për zgjidhjen e konflikteve të brendshme të Shqipërisë. Jo më kotKëshilli i Stabilizim- Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së që u zhvillua dje, theksoi rendësinë e një dialogu politik konstruktiv ndërmjet aktorëve dhe partive politike më të mëdha në vend” tha Lohan.

Thirrjes për dialog i janë bashkangjitur dhe ish- presidentët. Sipas Alfred Moisiut, pasardhësi i tij, Topi, nuk mund të bëjë më shumë se kaq për të detyruar palet të dialogojnë. “Ne jemi një republikë parlamentare dhe presidenti ka mundësinë për t’i ftuar, por tango kërcehet në dy. Pra duhet të ketë dhe dëshirën dhe vullnetin e palëve të tjera” tha Moisiu.

Ndërsa për ish- presidentin Mejdani gjetja e dialogut mbetet domosdoshmëri.“Ndaj dhimbjen dhe vuajtjen me grevistët, por nga ana tjetër nxis dialogun, kontaktin midis drejtuesve politikë për të arritur në mbylljen e kësaj greve dhe njëkohësisht për të stabilizuar institucionet politike në Shqipëri, për të stabilizuar jetën parlamentare” tha Meidani.

Cdo vit Këshilli i Europes zhvillon një ceremoni për 9 majin, ditën kur Robert Shuman bëri deklaratën që i hapi rrugën krijimit të Bashkimit Europian dhe që sot kujtohet si dita e Europës.

Elona Gjylmi
< I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›