E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA kundër bisedimeve të reja Kosovë- Serbi

Shtetet e Bashkuara janë kundër bisedimeve të reja mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e statusit, apo ndryshimit të kufinjve. Kështu deklaroi në Prishtinë Ndihmes Sekretari Amerikan i Shtetit, Philip Gordon, pas takimeve që zhvilloi me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryeministrin Hashim Thaçi dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, duke shtuar se SHBA-ja mbështet vetëm bisedimet teknike midis dy vendeve.

“Ne nuk shohim ndonjë arsye që të bisedohet për çështjen e statusit dhe ndryshimit të kufijve dhe kundërshtojmë fuqishëm diskutimet për çështje të tilla. Por kjo nuk do të thotë se nuk ka çështje shumë të rëndësishme për të cilat mund të bisedohet, si për shembull çështja e energjetikës, gjykatat, riatdhesimi, për personat e zhdukur etj” tha Gordon.

“Kosova vetëm do të kushtëzoje që sovraniteti dhe integriteti territorial i saj të mbrohet pa tjetër dhe të ruhet, ndërkohë që Kosova është e gatshme të ulët me Serbinë në çdo kohë që kërkohet nga ne, për të biseduar për tema të ndryshme të cilat do të sillnin një frymë të re në Ballkanin Perëndimor” tha Hyseni.

Ndihmes Sekretari Amerikan i Shtetit Gordon, ka shprehur mbështetjen ndaj EULEX-it në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Misioni i EULEX-it ka rëndësi të madhe për të garantuar sundimin e ligjit dhe kjo është shumë e rëndësishme për Kosovën, për të demonstruar se në këtë vend sundon ligji dhe se në këtë fushë janë bërë përparime dhe se korrupsioni nuk ka vend në këtë shoqëri” tha Gordon.

Ndërkaq duke folur për aspiratat e Serbisë për t’u integruar në Bashkimin Evropian, diplomati i lartë amerikan theksoi se kjo do të ndodhë vetëm atëherë kur Serbia do të zgjidhë të gjitha mosmarrëveshjet me Kosovën.

Bul Salihu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›