Kriza e Eurozonës, BSH: Të rritet përdorimi i lekut
Qytetarët dhe bankat këshillohen nga Banka e Shqipërisë që ta shohin lekun si një mundësi për kredi dhe depozita, si një masë për uljen e riskut dypalësh
Shqiptarët duhen të marrin në konsideratë përdorimin e lekut në një spektër më të gjerë se aktualisht, për shkak të krizës në të cilën po kalon Eurozona dhe rrezikut që mund të vijë nga kursi i këmbimit. Në fakt, rekomandimin në formën e një këshille e ka dhënë Banka e Shqipërisë në raportin e fundit të Stabilitetit Financiar. Qytetarët dhe bankat këshillohen që ta shohin lekun si një mundësi për kredi dhe depozita, si një masë për uljen e riskut dypalësh. Nga ana tjetër bankat janë më të avancuara në këtë drejtim, për shkak se shumë prej tyre kanë nisur të rekomandojnë produktet e kredisë për shtëpi në lekë. Mirëpo përveç sigurisë që ofron monedha jonë në këto momente edhe interesi që ofrojnë bankat në favor të saj, janë më të leverdishme, sidomos për depozitat, pasi për shkak të politikave që ka ndjekur Eurozona dhe ShBA me interesin bazë të euros dhe USD, aktualisht interesi i depozitave për këto valuta është në nivelin më të ulët historik. Ndërsa për monedhën vendase, lekun, interesi mesatar që ofrohet nga bankat është rreth 5%. Mirëpo për shkak të marrëdhënieve tregtare dhe monetare me vendet e Euros, kjo valutë është më e përdorura në transaksione, në depozita dhe në kredi. Ndërkohë që edhe shërbimet kryesore në vendin tonë, si tregu i pasurive, shërbimet e turizmit, arsimit dhe shërbimeve mjekësore private ofrohen në euro. Ulja e çmimit të lekut që u aplikua nga Banka e Shqipërisë pak ditë më parë ende nuk është përcjellë nga ana e bankave në uljen e interesave të kredive në lekë. Kështu, bankat e nivelit të dytë nuk e kanë përcjellë ende vendimin e Bankës së Shqipërisë për uljen me 0.25% të normës bazë të interesit për lekun, i cili synonte t’i bënte më të lira kreditë në monedhën vendase, duke i dhënë kështu nxitje kreditimit të ekonomisë. Në muajin shtator, portofoli i kredisë për ekonominë është rritur me ritme më të ulëta krahasuar me muajt e mëparshëm. Ngadalësimi i kredisë është thuajse tërësisht pasojë e tkurrjes së kredisë në valutë, ndërkohë që kredia në lekë u rrit në terma vjetorë. Agjencitë ndërkombëtare të lajmeve pohuan dje se asnjë nga ekspertët e ekonomisë nuk mund të përcaktojë sesi mund të shkojë kursi i këmbimit të euros, ndaj qëndrueshmëria e euros vihet në rrezik për shkak se Greqia tashmë ndodhet përballë falimentit. Euro po bën 10 vite që është prezantuar fizikisht në tregje. Më 1 janar 2002 u vunë në qarkullim njësitë e bankënotave dhe monedhave. Ky është fillim i periudhës gjatë së cilës bankënotat dhe monedhat e valutave nacionale u tërhoqën nga qarkullimi. Kjo zgjati deri më 28 shkurt 2002. Prej atëherë, vetëm euroja është valutë e vlefshme në BE. Mirëpo duke qenë se BE nuk i ka të unifikuara të gjitha institucionet si një shtet me vendimmarrje të unifikuar, euro po gjen vështirësi të mbrohet nga krizat. Në mbledhjen e Brukselit nga 1 deri 3 maj 1998, liderët politikë të unionit vendosin se 11 shtete të BE-së plotësojnë kërkesat për anëtarësi në euro hapësirën. Ata shpallën kurset e këmbimit, përcaktuese mes shteteve pjesëmarrëse. Nga 1 janari 1999, njëmbëdhjetë valuta të vendeve pjesëmarrëse u zhdukën dhe u zëvendësuan me euron, që u bë valutë e përbashkët e Austrisë, Belgjikës, Finlandës, Francës, Gjermanisë, Irlandës, Italisë, Luksemburgut, Holandës, Portugalisë dhe Spanjës. (Greqia bashkohet më 1 janar 2001). Nga ky moment, Banka Qendrore Europiane merr përsipër nga EMI të gjitha obligimet dhe është përgjegjëse për politikën monetare, që definohet dhe implementohet në euro. Transaksionet në euro filluan më 4 janar 1999, me kurs këmbimi 1 euro për 1.18 dollarë amerikanë. Ky është fillimi i periudhës tranzicionale, që vazhdoi deri më 31 dhjetor 2001.
Dividenti çon 8 milionë USD në buxhet këtë vit
Ndarja e fitimit në ndërmarrjet ku shteti ka aksione ka çuar të ardhurat në buxhet për 8-mujorin në vlerën e 807 milionë lekëve. Vlera më e lartë, sipas të dhënave të thesarit në Ministrinë e Financave, i përket kompanive INSIG dhe Albpetrol dhe përfitimi nga dividenti i aksioneve të shtetit në aeroportin “Nënë Tereza”. Gjithashtu, Posta Shqiptare, Porti i Durrësit dhe ai i Shëngjinit kanë kontribuar në buxhet nëpërmjet aktivitetit të tyre me fitim. Kështu të ardhurat e shtetit nga ndërmarrjet e veta kanë arritur në 8 milionë dollarë, si e ardhura nga dividenti, duke dhënë një kontribut të konsiderueshëm në krahasim me një vit më parë. Mirëpo disa taksa të tjera të rëndësishme për të ardhurat në buxhet, si TVSH dhe akciza, duket se këtë vit kanë patur ecuri mjaft të dobët në raport me parashikimin. Kështu që mosrealizimi i planit edhe pas shkurtimit të buxhetit në muajin korrik, pritet të vërë buxhetin e shtetit për periudhën e mbetur përballë dy skenarëve, sipas burimeve në Ministrinë e Financave. Skenari i parë do të jetë një tejkalim i deficitit buxhetor përtej parashikimeve ligjore 3.5 për qind dhe skenari i dytë do të jetë shkurtimi i mëtejshëm i shpenzimeve publike. Me ecurinë e deritanishme të ritmeve të mbledhjes së të ardhurave, zbatimi i njërit prej skenarëve është i pashmangshëm. Mirëpo, sipas burimeve në Ministrinë e Financave, qeveria pritet të marrë në konsideratë një mosrealizim tjetër të shpenzimeve publike, sesa të rrisë kufirin e deficitit, pasi, për shkak të krizës që po kalon eurozona, ky do të ishte varianti i palejueshëm. Mirëpo burimet nga Ministria e Financave dhe ekspertë të mazhorancës në komisionin parlamentar të Ekonomisë sugjerojnë se qeverisë i duhet të mbyllë këtë vit buxhetor me mosrealizim të ardhurash dhe shpenzimesh në të njëjtën kohë. Deficiti buxhetor këtë vit është 3.5% ose 46 miliardë lekë, ndërkohë që deri më tani qeveria ka konsumuar nga kjo shumë mbi 30 miliardë lekë.
Të ardhurat nga dividenti sipas kompanive
Emërtimi gusht 2011
Disko Bar LUX 78.00
Qendra Tregtare për Zhvillim 7,522.00
Regjistri Detar Durrës 1,234.00
Porti Detar sh.a. Shëngjin 6,096.00
Porti Detar Vlorë 5,857.00
Porti Detar Sarandë 1,125.00
Ndërmarrja e Trajtimit të Studenteve Shkodër 89.00
Ndërmarrja e Trajtimit të Studenteve Elbasan 14.00
INSIG sh.a. 259,277.00
Albpetrol sh.a. 147,963.00
AMC 18,900.00
Qendra e Regjistrimit te Aksioneve 2,879.00
Trans-Albania shpk 4,125.00
Posta Shqiptare sh.a. 26,783.00
Foralb Alabaster 390.00
TIA - Aeroporti i Rinasit 324,830.00
Totali: 807,162.00