E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Garantoj 24 orë ujë, por duhet qëndrim i ri ndaj kësaj pasurie

TIRANË-Kryeministri Sali Berisha tha sot gjatë konferencës vjetore për ujin se, "shoqëria shqiptare ka nevojë për një ndryshim thelbësor të qëndrimit ndaj kësaj pasurie shumë të madhe".

“Mbështes me admirim të madh këtë nismë të mrekullueshme për të cilën shoqëria shqiptare ka nevojë të madhe. Ka nevojë dhe për një ndryshim thelbësor në qëndrim ndaj kësaj pasurie shumë të madhe që është uji”.

Më tej kreu i qeverisë bëri të ditur se 98% e familjeve shqiptare furnizohen me ujë të pijshëm dhe kjo falë projekteve të huaja që kanë investuar në ujësjellësat në vend.
“Përshëndes projektet e huaja që realizojnë furnizimin me ujë, donatorët e shumtë që jane ata austriakë, Banka Botërore. Falë tyre, sot 98% e familjeve marrin ujë rubineti, të rrjedhshëm, jo 24 orë sic duhet ta merrnin, por theksoj se 2% nuk marrin fare ujë. Ju garantoj se së shpejti do të ketë ujë të rrjedhshëm 24 orë në të gjitha familjet shqiptare”.

Kryeministri tha gjithashtu se, "qeveria e konsideron zgjidhjen e problemit të furnizimit me ujë të qytetarëve si një ndër përparësitë më madhore të saj”.

Sa i përket pastrimit të ujërave të zeza, Berisha tha se me projektet po punohet që të pastrohet deti dhe liqenet në vend.
“Do bëjmë gjithcka për një menaxhim të merituar të potencialit të madh ujor që ne kemi, që në liqen dhe në detrat tona të mos derdhet asnjë litër ujë i papastruar. Në këtë kontekst janë 300 e ca milionë euro për investim, po punohet me impiantet e ujërave të zeza. Dua të përmend këtu se impianti i parë i ujrave të zeza është i vitit 2005, investim i qeverisë gjermane, sot i dyti në Pogradec, si dhe 14 të tjera që po ndërtohen në zonën bregdetare dhe së shpejti detrat e Shqipërisë do të jenë më të pastërtit në rajon dhe më gjerë”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›