Kriza e Italisë

Futbolli italian ka ngelur në të kaluarën, sipas Giuseppe Rossit dhe për këtë arsye klubet spanjolle dhe angleze kanë dominuar në garat evropiane në vitet e fundit.
Rossi, sulmues nga New Jersey, i cili luan për Kombëtaren e Italisë, ka luajtur në skuadra nga këto tri liga. Gjatë një interviste për The Associated Press, ai tha se futbolli italian ende luan sikur të ishin vitet e vona ‘80 ose fillimi i viteve ’90, kur Marco van Basten udhëhoqi Milanin, ndërsa Juventus përfaqësonte shtetin në kulm të garave kontinentale.
“Koha ndryshon dhe ju duhet të ndryshoni me kohën. Ju nuk mund të mbeteni me ide të njëjtë që kishit në të kaluarën. Futbolli italian nuk e ka bërë ende këtë evolucion”, tha Rossi, i cili ka shënuar katër gola në 17 paraqitje për Italinë dhe ishte kapiten i Azzurrëve kundër Rumanisë në nëntor.
“Ju gjithmonë do t’i shikoni ndeshjet angleze ose spanjolle para Serie A dhe kjo është për shkak se ato të dyja kanë evoluar”, shtoi ai.
Triumfi i Interit në edicionin e kaluar të Ligës së Kampionëve ishte i treti për Italinë – Milan fitoi më 2003 dhe 2007 – nga viti 1997 në garën e dominuar nga klubet spanjolle dhe angleze.
Edhe pse Spanja mori pesë tituj, ndërsa Anglia tre gjatë periudhës së njëjtë, klubet italiane së fundmi kanë hasur në vështirësi edhe të kalojnë në fazën përfundimtare të garës ku vetëm Inter kaloi në gjysmëfinale në tri vitet e fundit.
Ekipet angleze dhe spanjolle kanë kaluar në finale në katër prej nëntë edicioneve nga 2008-ta, ndërsa Serie A humbi pozitën e katërt për në Ligën e Kampionëve nga Bundesliga gjermane, prej sezonit 2012-2013.
Asnjë klub italian nuk e ka fituar Kupën UEFA-Europa League prej triumfit të Parmës 12 vjet më parë, ndërsa nga ajo kohë kanë festuar katër skuadra spanjolle. Rossi, adhurues i lojës teknike të Spanjës mbi taktikën tradicionale italiane, ka thënë se selektori i Italisë, Cesare Prandelli është i vetëdijshëm për këtë dhe duhet të marrë shembullin e Spanjës që fitoi Kampionatin botëror 2010.
“Prandelli e sheh se ekipet që tani fitojnë janë ekipe që mbajnë topin në posedim. Ai është duke u munduar të ndryshojë këtë dhe deri më tani është duke shkuar mirë”, theksoi Rossi, i cili është golashënuesi më i mirë i Villarrealit me 22 gola – 13 në ligë – dhe ka realizuar gjithsej 67 në 128 paraqitje, pas transferimit nga Manchester United më 2007.
“Mendoj se liga spanjolle më përshtatet më së miri. Gjithçka varet nga loja me top, mbajtja e topit, qëndrimi në këmbë. Jam këtu që katër vjet dhe më pëlqen shumë”, u shpreh 24-vjeçari.
Real Madridi dhe Barcelona janë skuadrat e vetme kampione nga viti 2004 kur kishte triumfuar Valencia dhe Rossi pranon se do t’i pëlqente të luante për ndonjërin prej tyre. “Të gjithë duan të luajnë për ekipet më të mira në botë. Të gjithë ëndërrojnë rreth kësaj dhe unë nuk dalloj. Sigurisht se ëndërroj për gjëra të tilla. Kurrë nuk i dihet, në futboll kurrë nuk i dihet”, përfundoi ai.