E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza e borxheve :Kina e gatshme të investojë

Kina është e gatshme për dhënien e parave në fondin e eurozonës për ndihmë, nëse liderët evropianë e bindin Pekinin se investimi është i sigurt, i ka thënë së përditshmes londineze, Financial Times, një këshilltar i lartë i Qeverisë së Kinës. Sipas gazetës, Kina, po ashtu, kërkon që të jetë e sigurt se liderët evropianë do të përmbahen nga kritikat për politikën kineze.

Tregjet financiare botërore kanë reaguar pozitivisht pas vendimeve të samitit evropian për krizën e borxheve.

Të premten liderat e vendeve të Eurozonës kërkuan ndihmën e Kinës për krijimin e fondit madhor prej një trilion eurosh, i cili do të jetë i gatshëm për t`u përdor në rastin e kolapseve të mundshme financiare, të ngjashme me rastin grek.

Drejtuesi i Komisionit të Fondit të Shpëtimit, Klaud Regling, u takua me funksionarë të lartë të Pekinit, por theksoi se nuk ka asnjë tratativë në diskutim dhe se nuk ka gjasa që marrëveshja të nënshkruhet së shpejti.
 

Pas një dekade rritje spektakolare, Pekini është shndërruar në mbajtën e rezervave më të mëdha në monedhë të huaj të botës dhe disa lidera financiarë, përfshi shefin e Rezervës Federale në SHBA dhe të Bankës së Anglisë, i kanë bërë thirrje Kinës që të përfshihet në investime, duke i dhënë kështu një stimul rikuperimit ekonomik.

Në të shkuarën, ekspansioni kinez jashtë kufinjve është kritikuar shpesh nga vendet perëndimore. Megjithatë, Pekini është një blerës i rregullt i letrave me vlerë që emetohen nga vendet e Bashkimit Europian.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›