E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza e bukës, Autoriteti i Konkurrencës

Raporti i punës 2007 shkon në Kuvend, gjobat e vendosura. Autoriteti: “Hetim të gjerë në tregun e naftës”
Erald Kapri

Autoriteti i Konkurrencës, institucioni i pavarur që kryen kontrolle në terren për të ndaluar bllokimin e tregut, ka dërguar në Kuvend raportin vjetor mbi punën e tij gjatë vitit 2007. Viti i kaluar ka qenë i ngjeshur për Autoritetin, i cili ka shënuar numrin më të madh të gjobave që u janë vendosur bizneseve si dhe numrin më të madh të proceseve gjyqësore të nisura. Ajo që të bie në sy është që Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur edhe objektivat për vitin 2009, si dhe synimet që kërkon të ndërmarrë në vëzhgimin e tregut dhe penalizimin e bizneseve abuzuese. Autoriteti i Konkurrencës ka përcaktuar si objektiv kryesor një hetim të përgjithshëm në sektorin e energjisë dhe kjo mbetet sfida kryesore përgjatë këtij viti.
Rastet e vitit 2007
Autoriteti i Konkurrencës ka pasur disa raste të bujshme kontrolli, ku ka vendosur gjoba mbi kompani të telekomunikacionit, betonit, bukës etj. Rasti më perfekt se si thyet ligji në vend u has në qytetin e Fierit, ku u vu re se të gjithë prodhuesit e bukës ishin bërë njësh në çmim. Autoriteti hasi në Fier, te tregtarët e vegjël, fiksimin e çmimit të bukës në mënyrë masive në shitje me 100 lekë dhe rritjen e çmimit të llojeve të tjera të bukës me rreth 17 për qind. Marrëveshja, që hyri në fuqi që më datë 18 gusht të vitit të kaluar, përbën një shkelje të rëndë të konkurrencës, pasi grupimi i ndërmarrjeve eliminon konkurrencën midis tyre duke fiksuar çmimin e shitjes, veprim që bie ndesh me ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve. Për këtë arsye, Autoriteti i Konkurrencës vendosi ndalimin e marrëveshjes së prodhuesve të bukës në Fier. Gjatë procedurave të hetimit, seancës dëgjimore dhe deklaratave të vetë kryetarit të shoqatës, Kajo Hallka, është konstatuar se ai ka qenë nxitësi dhe organizatori kryesor i kësaj marrëveshjeje. Komisioni i Konkurrencës vendosi marrjen e masës së gjobës individuale ndaj Kajo Hallkës në masën e 30 mijë lekëve.
Hetimet gjatë 2008-s
Ndërhyrjet e Autoritetit të Konkurrencës do të shtrihen në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë për vetë natyrën e ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve, por edhe për shkak të rolit të rëndësishëm që kanë këta sektorë për ekonominë në tërësi dhe konsumatorët në mënyrë të veçantë. Hetimi i përgjithshëm në sektorin e energjisë mbetet sfida kryesore e Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2008 dhe për vitet e ardhshme jo vetëm për rëndësinë që ka ky sektor për ekonominë dhe cilësinë e jetës së konsumatorëve, por edhe për shkak të zhvillimeve të pritshme të privatizimeve dhe liberalizimit në sektorin e energjisë. Autoriteti i Konkurrencës, në bashkëpunim me ERE-n, ka dhënë rekomandime në drejtim të liberalizimit të sektorit të prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike, ashtu siç ka kërkuar një orientim drejt tregut të tarifave të energjisë elektrike. Tregu i hidrokarbureve ka qenë dhe do të mbetet në axhendën kryesore të punës së Autoritetit të Konkurrencës për shkak të një konkurrence të pamjaftueshme në këtë treg, në mënyrë të veçantë në tregun e shumicës dhe për shkak të përqendrimit të lartë që ekziston në këtë treg. Tregu i naftës, gazit të lëngshëm dhe energjisë elektrike do të ketë një kontroll të rreptë gjatë këtij viti. Njëkohësisht Autoriteti i Konkurrencës po monitoron me qëllim vëzhgimin e drejtpërdrejtë jo vetëm të strukturave të tregut bankar, por duke analizuar karakteristikat e tregut sipas produkteve të ofruara nga operatorët e tregun financiar. Për të gjykuar nëse konkurrenca është e mjaftueshme si për produktet dhe shërbimet “retail” që ofrohen nga bankat, ashtu edhe për aspekte të veçanta të ofertës së bankave për borxhin publik. Një sektor tjetër që do të vazhdojë të jetë nën monitorimin dhe hetimin e vazhdueshëm të Autoritetit të Konkurrencës do të jetë edhe ai i telekomunikacioneve. Konkurrentët e tregut të shërbimeve telefonike dhe internetit po rishikojnë pozicionet e tyre në kushtet e reja të krijuara në treg dhe Autoriteti i Konkurrencës do të monitorojë në vijimësi sjelljen e operatorëve të shpallur me fuqi në ndjeshme në treg, por edhe të operatorëve alternativë që tashmë janë në treg. Një zhvillim i pritshëm dhe shumë i rëndësishëm për vitin 2008 do të jetë ndërtimi i një matrice me të dhëna historike përkatëse për sektorët e ekonomisë.

Programi i lehtësimit nga gjobat

Në të gjitha praktikat e ndjekura nga sektori Anti-Kartel, ky sektor, në korrespodencën e dërguar, krahas kërkesave për informacion, ka dërguar dhe programin e lehtësimit nga gjobat për reduktimin e plotë ose të pjesshëm të gjobave të vëna nga ndërmarrjet, të cilat bashkëveprojnë me Autoritetin e Konkurrencës në hetimet e marrëveshjeve të ndaluara. Sipas këtij programi, ndërmarrjet e përfshira në këto lloj marrëveshjesh mund t’i japin fund pjesëmarrjes së tyre dhe të evitojnë aplikimin e gjobës, duke ofruar provat lidhur me çështjen në investigim. Por, deri tani nuk është evidentuar ndonjë rast bashkëpunimi në atë nivel që të plotësohen parimet e programit të lehtësimit të gjobave.

Gjobat, Autoriteti i Konkurrencës në gjyq me tetë kompani sigurimi

Autoriteti i Konkurrencës ka ushtruar kontrolle në tregun financiar, veçanërisht në tregun e sigurimeve. Nga kontrollet është evidentuar se tregu i sigurimeve për përgjegjësitë ndaj palëve të treta (TPL) nuk është plotësisht i liberalizuar si dhe koordinimi i sjelljes së operatorëve çon në fiksimin e çmimeve të policave të sigurimit të detyrueshëm, zbatimit të marrëveshjes ekskluzive apo përgjegjëse sipas produkteve të caktuara, TPL ose Polica e Sigurimit Kufitar, kartoni jeshil. Si konkluzion, tregu i sigurimeve për TPL-në është i deformuar dhe me kufizime të konkurrencës. Për këto arsye, Autoriteti i Konkurrencës vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e sigurimeve dhe konkretisht në produktet TPL. Duke përcaktuar të ndara tregjet për të tria produktet e detyrueshme, Autoriteti i Konkurrencës ndoqi procedura të veçanta hetimi dhe arriti të shprehet me vendim për Policën Kufitare të Sigurimit. Shoqëritë e sigurimit, meqenëse ishin në dijeni për hetimin dhe ishin ftuar të jepnin pretendimet e tyre rreth çështjes, refuzuan të bashkëpunojnë me Autoritetin e Konkurrencës. Lidhur me marrëveshjen për tregtimin e POOL-it të sigurimit, Komisioni i Konkurrencës u shpreh me dy vendime, që ndalon zbatimin e marrëveshjes dhe penalizon me gjobë shoqëritë e sigurimit dhe vendimi i dytë që i rekomandon Ministrisë së Financave marrjen e masave për liberalizimin e këtij produkti. Si rrjedhojë, Autoriteti i Konkurrencës vendosi gjobë me 2 për qind të xhiros të vitit 2005 ndaj 8 kompanive kryesore në treg. Kompanitë kanë hedhur në gjyq këtë vendim duke bërë që prej një viti çështja të zvarritet mes palëve dhe nga ana e Gjyqësorit.

Vendosja e gjobave, si reaguan bizneset

Autoriteti i Konkurrencës, në përfundim të hetimeve në tregje dhe sektorë të ndryshëm të ekonomisë, ka aplikuar sanksione, të cilat kanë prekur interesa ekonomikë të palëve të prekura. Si rrjedhojë, këto vendime të Komisionit të Konkurrencës janë kundërshtuar nga ana e palëve. Gjatë vitit të kaluar, Autoriteti i Konkurrencës ka paraqitur dhe ka mbrojtur vendimet të Komisionit të Konkurrencës nëse nuk është pjesë integrale e gjithë procesit të hetimit dhe argumentit të veprimeve. Nëpërmjet pjesëmarrjes së juristëve të Departamentit të Integrimit dhe të çështjeve juridike në grupet e punës së hetimeve të ndërmarra nga Sekretariati i Autoritetit mundësohet përmirësimi i praktikave të argumentimit juridik të raporteve të hetimit dhe të projektvendimeve. Në përfundim të hetimit të thelluar në tregun e sigurimeve, Autoriteti i Konkurrencës u ndesh me dy padi gjyqësore me shoqëritë objekt-hetimi të këtij tregu. Vlen të përmendet fakti se edhe grupi i hetimit, edhe Komisioni i Konkurrencës, para marrjes së vendimit përfundimtar, i ftoi palët nën hetim në seanca dëgjimore, për t’u dhënë mundësinë e shprehjes së pretendimeve të tyre në lidhje me hetimin, faktet e dala prej tij dhe raportin e hetimit. Por, për arsyen e përmendur më lart të një mungese të njohjes së procedurave të ligjit për mbrojtjen e konkurrencës, palët nuk e gjykuan të arsyeshme të paraqesin argumentet e tyre, por gjetën si rrugë më të shkurtër atë më të njohurën dhe më klasiken, të paditjes së Autoritetit të Konkurrencës në gjykatë.

7 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›