Daja shmang euforinë, Lika bën të maturin
Dash Frashëri
Dinamo fitoi 3-1 me Partizanin në ndeshjen e parë të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë, por tekniku blu pohoi se kualifikimi në mes të katër më të mirave do të vendoset në ndeshjen e dytë. “Kemi bërë vetëm gjysmën e punës”, - tha tekniku blu. “Kupa është specifike dhe kualifikimi mbaron në ndeshjen dytë”, - shton Daja, që synon të ulë euforinë e skuadrës së tij.
Trajneri i Partizanit, Hasan Lika, megjithëse të mërkurën e ruajti tonin e qetë në fytyrën nervoze, ka brenda tij një notë optimizmi për të kaluar në gjysmëfinale. “Rezultati është i hapur, pasi kemi edhe ndeshjen e kthimit. Mision i vështirë, por jo i pamundur”, - tha Lika, duke shtuar se skuadra e tij i kishte mundësinë të shënonte më shumë se një gol. Trajneri dëshiron të tregohet i sinqertë. “Është e vështirë, por do të bëjmë maksimumin”. Ndeshja e kthimit e Kupës së Shqipërisë do të luhet në “Qemal Stafa”, më 12 mars, atje ku edhe lojtarët e kuq janë mësuar të fitojnë.
Mesfushori më i spikatur i Partizanit, Bledar Devolli, ka besim se ekipi i tij do të arrijë të kalojë nëndetësen në ndeshjen e kthimit. “Do të jetë një ndeshje e vështirë, por besoj se do të arrijmë të kualifikohemi. Ne do të luajmë në “Qemal Stafa” dhe aty kemi fituar gjithmonë dhe besoj se do t’ia dalim mbanë. Në stadiumin kombëtar, ekipet e tjera që luajnë më rrallë janë mësuar që të hallakaten, Partizani luan dhe fiton gjithmonë aty. Ne që jemi mësuar të luajmë aty them se do të fitojmë pa tjetër”, - tha Devolli. Ai është lojtari më në formë i Partizanit në ndeshjet e fundit dhe për meritë të tij ekipi ka arritur disa fitore dhe rezultate shumë pozitive rresht. Sekreti i kësaj rinie të dytë, sipas Devollit, është impenjimi në stërvitje. “Unë arrij të kem këtë formë sepse impenjohem dhe jam korrekt në stërvitje. Jo vetëm unë, por edhe të gjithë çunat e ekipit jemi në gjendje shumë të mirë”, - tha mesfushori shkatërrues i të kuqve. “Në të dy kampet ka optimizëm, por do të jetë Partizani ai që do të kualifikohet. Unë jam i bindur se ne e meritojmë që të kalojmë në gjysmëfinale dhe për këtë prisni vetëm ndeshjen e së mërkurës. Fitorja e derbit do të ishte një fitore dyfish, sepse, përveç kualifikimit, arrin që të ketë moral më të lartë edhe në kampionat. Fitorja ka dyfish çmim. Unë do ta falja kupën për kampionatin. Partizani është tërësisht i vendosur që të fitojë kampionatin”, - përfundoi mesfushori i Partizanit, Devolli. Formacioni i Likës vjen në përballjen me lezhjanët e Ilir Gjylës pas humbjes në Kupë me Dinamon (në vend të parë në kampionat), ndërkohë që Besëlidhja pati një javë të tërë për të përgatitur ndeshjen. Partizani i ka fituar të dy takimet me Besëlidhjen: 1-2 në fazën e parë (drejtonte Stavri Nica) dhe 4-0 në fazën e dytë (drejtonte Ridvan Kulli).
Futbolli mban zi, ndeshjet 1 minutë me vonesë
Tragjedia e Liqenit të Farkës, ku humbën jetën 16 veta, i ka prekur thellësisht të gjithë, përfshirë edhe sportdashësit. Qeveria shqiptare mbajti zi duke ulur flamurin kombëtar në gjysmështizë si ngushëllim dhe për të lehtësuar sadopak familjet e viktimave. Edhe redaksia e sportit të gazetës “Albania” bashkohet me ngushëllimin e thellë të popullit shqiptar. Edhe Federata Shqiptare e Futbollit shprehu ngushëllimet e saj më të sinqerta për familjet e viktimave të tragjedisë së Farkës përmes një komunikate shtypi të publikuar në faqen e saj zyrtare.
“Federata Shqiptare e Futbollit siguron se është pranë familjeve të viktimave duke ndier dhimbjen e thellë për të afërmit e tyre, të humbur në tragjedinë e Liqenit të Farkës. Për këtë arsye, në të gjitha ndeshjet e Kampionatit Kombëtar të Kategorisë Superirore dhe të Kategorisë së Parë, ditën e shtunë, datë 08.03.08, do të mbahet një minutë heshtje në respekt të viktimave të tragjedisë së Liqenit të Farkës”, - thuhet në komunikatën e FSHF-së.
“Xhaketa” Velçani, “fre” derbit
Sfida më e nxehtë e javës së 23-të, njëherësh edhe java e parë e fazës së tretë, Elbasani-Shkumbini, do të gjykohet nga patosaraku Sazan Velçani. Sfida e fqinjëve, ose ndryshe “Lala i madh-Lala i vogël”, në Kupën e Shqipërisë prodhoi tension të jashtëzakonshëm midis drejtuesve të lartë të të dy klubeve, ku u përfshi edhe deputeti i Peqinit, Dashnor Sula dhe presidenti i Elbasanit, Arben Laze. Edhe trajneri i Shkumbinit, Gugash Magani, u përfshi në një konflikt me sulmuesin e Elbasanit, Skerdi Bejzade.
Partizani i vendit të dytë, që e mbylli fazën e dytë me një fitore historike kundër kampiones në fuqi, Tiranës, do të përballet të shtunën në javën e parë të fazës së tretë me Besëlidhjen e vendit të dytë nga fundi. Takimi, i programuar për ditën e shtunë në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” (direkt në televizionin Vizion Plus), do të gjykohet nga laçiani Sokol Çekaj, i ndihmuar nga Mali e Mustafaraj.
Takimet e tjera: Vllaznia-Teuta (gjyqtarë: E. Peza, A. Guce, D. Koreshi); Besa-Kastrioti (gjyqtarë: P. Lapi, E. Miho, E. Doda); Tirana-Flamurtari (gjyqtarë: A. Janku, E. Bicaku, G. Qirici). Takimet do të fillojnë në orën 15:00
Ridebutimi i Ndreut
Java e 23-të risjell edhe debutimin e Ramazan Ndreut në stolin e Kastriotit, pas shkarkimit të Vasil Bicit për shkak të humbjes me Skënderbeun (2-0) në javën e fundit të fazës së dytë. Elbasani-Shkumbini është sfidë me rrezik të madh për trajnerin Alimehmeti.
Tekat e shortit
Një short virtual që me tekat (skemën e paravendosur) prodhoi edhe një short të çuditshëm: të tre ekipet e kryeqytetit janë pritëse në javën e parë të fazës së tretë. Për këtë arsye Dinamo, pas miratimit për shtyrje nga FSHF-ja, do të luajë të dielën.
Kategoria Superiore, Java 23
E shtunë, 8 mars 2008
Partizani-Besëlidhja (15:00)
Gjyqtarë: S. Çekaj,
A. Mali, L. Mustafaraj
Vllaznia-Teuta (15:00)
Gjyqtarë: E. Peza,
A. Guce, D. Koreshi
Besa-Kastrioti (15:00)
Gjyqtarë: P. Lapi,
E. Miho, E. Doda
Tirana-Flamurtari (15:00)
Gjyqtarë: A. Janku,
E. Bicaku, G. Qirici
Elbasani-Shkumbini (15:00)
Gjyqtarë: S. Velçani,
A. Lamce, A.Pregja
E diel, 9 mars 2008
Dinamo-Skënderbeu (15:00)
Gjyqtarë: L. Jemini,
G. Maloku, D. Rexha
Lojtarët e pezulluar
Besa – Bledar Mancaku (3v)
Elbasani – Nikola Karçev (6v)
Partizani – Bledi Shkëmbi (3v), Elis Bakaj (6v) – 2 ndeshje pezullim
Teuta – Mirel Cota (3v)
Besëlidhja – Dragan Miçiç (6v) – 2 ndeshje pezullim, Emin Baliç (3v)
Flamurtari – Halim Begaj (6v) – 2 ndeshje pezullim
Shkumbini – Engert Kuci (3v), Fejzo Shenaj (3v)
Tirana – Klodian Duro (2v 1k), Loren Mohellebi (3v)
Dinamo – Goran Vinçetiç (6v) – 2 ndeshje pezullim
Kastrioti – Erald Turdiu (1k)
Skënderbeu – Jorgo Cipi (3v)
Vllaznia – Admir Teli (3v)
Sfida të lehta për kryesuesit
Java e 22-të e Kategorisë së Parë (8 mars) sjell dy sfida relativisht të lehta për dy nga tre ekipet kryesuese. Bylis i vendit të parë (45 pikë) do të përballet me Tepelenën e vendit të fundit (10 pikë). Tepelenasit humbën thellësisht 5-0 ndeshjen e prapambetur me Bilisht Sport. Ky takim do të gjykohet nga Metohia, i asistuar nga Bejtja dhe Avdo.
Apolonia e vendit të dytë do të luajë në “Loni Papuçiu” kundër Tomorit që endet në vendet e fundit. Takimi do të gjykohet nga pogradecari Nard Abeshi, i ndihmuar nga Metani dhe Bodeci.
Lushnja e vendit të tretë do të luajë në Gjirokastër me Luftëtarin (gjykon Breshani).
Kategoria e Parë
Java 22
Skrapari-Dajti (Sino)
Ada-Erzeni (Beqiri)
Burreli-Pogradeci (Disha)
Bylis-Tepelena (Metohia)
Sopoti-Bilisht S. (Latifi)
Gramshi-Turbina (Lleshi)
Naftëtari-Laçi (Meta)
Luftëtari-Lushnja (Breshani)
Apolonia-Tomori (Abeshi)
Lojtarët e pezulluar
Pogradeci – Fabian Molla (1k)
Apolonia – Lejdi Licaj (3v)
Bylis – Neritan Novi (3v), Maringlen Kule (3v), Klevis Roshi (3v)
Tomori – Julian Çobo (2v 1k), Everaldo Kaptelli (3v)
Dajti – Shyqyri Bylyku (6v)
Laci – Elio Shazivari (3v), Denis Mustafaraj (3v)
Naftëtari – Adrian Gega (1k)
Sopoti – Mario Kocia (1k)
7 Mars 2008