KQZ, 27 parti nuk treguan paratë e zgjedhjeve lokale të 18 shkurtit
Publikohet shifra e dhuratave financiare për PD-PS dhe partitë e tjera politike. Raporti vjetor i KQZ-së dërgohet në Kuvend, problematika e vitit 2007
Erald Kapri
Ndonëse transparenca e partive në lidhje me financat e përdorura në fushata lë për të dëshiruar, në Shqipëri ka subjekte apo kandidatë që nuk e marrin mundimin të tregojnë financat që ata kanë përdorur në zgjedhje. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgatitur raportin vjetor për vitin 2007 dhe e ka dërguar në Kuvend. Raporti përmbledh të gjithë dinamikën e zgjedhjeve të vitit 2007, problemet dhe vështirësitë që hasi ky vit zgjedhor. KQZ-ja ka publikuar edhe financat e partive, dhuratat e tyre dhe ka cilësuar se 27 parti politike dhe 157 kandidatë të pavarur nuk kanë deklaruar financimet që kanë përdorur në fushatën e zgjedhjeve lokale. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka publikuar emrat e subjekteve politike apo të kandidatëve, por këtë çështje e ka dërguar në Kuvend. KQZ-ja ka evidentuar se në zgjedhjet e vitit 2007 morën pjesë 48 parti politike, por nga këto vetëm 16 parti paraqiten një raport financiar në KQZ për fondet që përdorën në fushatë. Nga kontrolli i raporteve të paraqitura nga partitë kryesore rezulton se kanë përfituar dhurata nga persona fizikë vendas në vlerë monetare vetëm 3 parti dhe konkretisht për Partinë Demokratike, Partinë Socialiste dhe për Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Dhuratat
Partia Demokratike ka deklaruar financimet e fushatës dhe ka deklaruar se ka përfituar dhurata në vlerë monetare nga persona fizikë privatë e vendas, në vlerë jo më të madhe se 1 milion lekë për dhurues, në shumën 33.5 milionë lekë. Për dhurimet mbi 1 milion lekë është zbatuar neni i cili detyron deklarimin e emrit të dhuruesit dhe shumën e dhuruar dhe se kjo parti nuk ka shpenzuar për fushatën zgjedhore, përfshirë dhe ato të kandidatëve të tyre, më shumë sesa dhjetëfishin e shumës më të madhe të përfituar nga një parti. Partia Socialiste ka deklaruar financimet e fushatës dhe ka përfituar dhurata në vlerë monetare nga persona fizikë privatë në vlerë jo më të madhe se 1 milion lekë për dhurues, në shumë 24.2 milionë lekë. Për dhurimet mbi 1 milion lekë është zbatuar neni i cili detyron deklarimin e emrit të dhuruesit dhe shumën e dhuruar, dhe se kjo parti nuk ka shpenzuar për fushatën zgjedhore, përfshirë dhe ato të kandidatëve të tyre, më shumë sesa dhjetëfishin e shumës më të madhe të përfituar nga një parti. Lëvizja Socialiste për Integrim ka deklaruar financimet dhe ka përfituar dhurata në vlerë monetare nga persona fizikë privatë në vlerë jo më të madhe se 1 milion lekë për dhurues, në shumën e 9.1 milionë lekë. Për dhurimet mbi 1 milion lekë është zbatuar neni i cili detyron deklarimin e emrit të dhuruesit dhe shumën e dhuruar, dhe se kjo parti nuk ka shpenzuar për fushatën zgjedhore, përfshirë dhe ato të kandidatëve të tyre, më shumë sesa dhjetëfishin e shumës më të madhe të përfituar nga një parti. Ndërsa 13 parti deklarojnë se nuk kanë përfituar financime, dhurata në vlerë monetare dhe në këtë mënyrë kanë deklaruar shpenzimet e fushatës, të mbuluara këto nga financimet nga Buxheti i Shtetit.
Fushatat elektorale
Përtej deklaratave financiare të partive politike, në terren evidentohen shuma të mëdha, që shkojnë për fushata elektorale. Gjatë zgjedhjeve lokale, pothuajse të gjitha partitë politike kanë preferuar që të deklarojnë shuma modeste dhe sa më pak emra donatorësh të fushatave të tyre, ndërkohë që ka qenë shumë e thjeshtë për të kuptuar se këto shuma ishin shumë larg shpenzimeve stratosferike të bëra për mitingjet e mëdha, koncertet elektorale, këngëtarët, qiratë e sallave, shpenzimeve operative, spotet publicitare, posterat, broshurat etj. Shuma në total e deklaruar nga të gjitha partitë politike, për financimet nuk shkonte më shumë se 2 milionë dollarë, ndërkohë që nëse do të bëhej një bilanc real, kjo shumë do të ishte qindra herë më e madhe.
Zgjedhjet vendore
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve arsyeton se zgjedhjet lokale të vitit 2007 ishin nga më të vështirat për t’u administruar. Komisioni është përballur me ndryshime të shumta kushtetuese si dhe me vështirësi të administrimit. Gjatë procesit është dashur që të bëhen gati 23 tendera për të blerë bazë materiale me vlerë totale 186 milionë lekë.
Kodi Zgjedhor për financimet e partive
Në përputhje me Nenin 144/1 të Kodit Zgjedhor, subjektet zgjedhore (partitë politike të regjistruara në KQZ, kandidatët e mbështetur nga partitë politike, si dhe kandidatët e pavarur) mund të përfitojnë për fushatat e tyre zgjedhore dhurata nga personat fizikë ose juridikë, privatë vendas. Dhurata ose kundër-vlefta, vlefta në sende ose shërbime nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë. Subjektet zgjedhore janë të detyruara të mbajnë një dokumentacion të rregullt dhe të zbatojnë legjislacionin në fuqi në çdo rast, në varësi të kategorizimit të dhuruesit.
Financat e partive në zgjedhjet e 2007-s
Subjekti zgjedhor Të ardhura Shpenzimet
PSSH 45 060 314 45 073 282
PR 0 10 841 300
PDSH 52 941 135 47 725 422
PSD 5 687 941 5 333 743
LSI 11 055 515 11 054 638
PDS 1 831 689 5 003 837
PDR 0 4 834 200
BK 0 350 000
PBDNJ 0 7 040 000
PLL 0 700 000
PAA 0 6 643 500
PGJSH 0 47 434
PAD 3 450 000 3 450 000
PKSH 594 429 350 000
PA 0 150 000
PBD 56400 100 000
Zgjedhjet lokale, sa i kushtuan buxhetit 83 776 komisionarë
Zgjedhjet e vitit 2006 patën kosto më të lartë financiare krahasuar më të gjitha proceset e tjera dhe kjo për shumë arsye. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve administroi procesin me një numër rekord komisionarësh, të cilët në total hëngrën gjysmën e fondeve që buxheti vuri në dispozicion për zgjedhjet lokale. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi projektbuxhetin për organet e qeverisjes vendore sipas strukturës buxhetore me shumën prej 920 milionë lekësh, me një kosto prej 333 lekësh ose rreth 3 euro për një zgjedhës. Ndonëse KQZ kërkoi më shumë fonde për procesin, atij iu akorduan 420 milionë lekë më pak. Pavarësisht kërkesave të shumta, në fund u arrit që procesi të ketë një shpenzim prej 730 milionë lekësh, me një zbritje prej 200 milionë lekësh. Kostoja e planifikuar për një zgjedhës u llogarit në rreth 2 euro. Numri total i komisionarëve të angazhuar në këtë proces zgjedhor arriti në 83 776 persona, nga 52 672 anëtarë të parashikuar për t’u paguar nga buxheti. Këto, bashkë me ndryshimet e tjera, bënë që kërkesa për financim të rritet në 880 milionë lekë si dhe një ngritje të kostos për një votues. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është financuar nga Buxheti i Shtetit në shumën totale prej 750 milionë lekësh për zhvillimin e zgjedhjeve vendore. Gjatë realizimit të buxhetit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i motivuar nga plotësimi i kërkesave në rritje për ruajtjen e standardeve, në të njëjtën kohë ka mbajtur në konsideratë edhe elementin kosto si dhe efektivitetin e përdorimit të fondeve të akorduara. Një kujdes i veçantë është treguar në shpenzimin e fondeve nga komisionet më të ulëta, të cilat vepronin nëpërmjet zyrave të financave në komunat dhe bashkitë përkatëse. Kostoja për një zgjedhës, nga 350 lekë për një njëri të planifikuar, u arrit të mbahej në fund me një kosto prej 250 lekësh për një zgjedhës. Shpenzimet për pagat e komisionarëve arritën në 404 milionë lekë, çka do të thotë gjysma e shpenzimeve totale për zgjedhjet vendore të vitit të kaluar.
7 Mars 2008