Rrugë të reja për kultivimin dhe kontrabandën e drogës
Heroina për narkomanët e Europës tashmë vjen nga Afganistani. Ekspertët: Vetëm Afrika e Jugut prodhon 1 mijë ton heroinë në vit
Kontrabanda e drogës po bëhet gjithnjë e më rafinuar, ndërkohë që edhe kultivimi i narkotikëve është gjithnjë e më prodhimtar. Në këtë konkluzion arrihet në raportin vjetor mbarëbotëror mbi situatën e drogave. Të duket si një garë ndaj mullinjve të erës. Këshilli Ndërkombëtar i Kontrollit ndaj Narkotikëve, shkurt INCB (International Narcotics Control Board), duhet të mbikëqyrë respektimin e marrëveshjes së OKB-së për drogën. Mbi 169 shtete e kanë nënshkruar këtë marrëveshje, megjithatë biznesi me drogën vazhdon të lulëzojë i papenguar. Shembull është Amerika e Jugut: Ndonëse atje ka më pak xhungla të kokainës, ato janë bërë më prodhimtare, prej nga në vit mund të përftohen deri në 1000 tonë kokainë, thotë ekspertja e INCB Carola Lander: “Sa për krahasim: në vitin 2007 është nevojitur gati 400 kg kokainë për mjekësi dhe sasia e prodhuar përbën një milion kg“. Mbi 99,9% e kësaj sasie përfundon ilegalisht në duart e konsumatorëve të drogës, kryesisht në Amerikën e Veriut dhe në Europë. Në raportin vjetor Këshilli i Kontrollit të Narkotikëve tërheq vëmendjen se Afrika, për shkak të kontrolleve të dobëta, po shndërrohet në një vend transiti për drogën. Në të gjitha kontinentet vlen parimi që nëse shënon sukses lufta kundër drogës në një vend, kultivimi dhe tregtimi i saj lulëzon diku tjetër. Shembull për këtë është Afganistani. Sipas Lander: “është arritur që kultivimi i morfinës të minimizohet në shumë zona të vendit, megjithatë në pjesë të tjera të Afganistanit është intensifikuar edhe më shumë ky kultivim. Në vitin 2007 si rrjedhojë u shënua një rritje e mëtejshme e kultivimit të kësaj droge. Kësaj i shtohet edhe fakti që anhidridi acetik, i nevojshëm për prodhimin e heroinës dhe që për këtë arsye kontrollohet në nivel ndërkombëtar e, si rrjedhojë, nuk lejohet të përdoret në Afganistan, faktikisht përmes rrugëve të panjohura ilegale transportohet në mënyrë masive në këtë vend”. Në këtë raport përmendet edhe Gjermania, ku konstatohet si dukuri negative rritja e kultivimit ilegal të bimëve kanabis nëpër sera të pajisura në mënyrë profesionale. INCB-ja shprehet me skepticizëm lidhur me të ashtuquajturat zona të konsumimit të drogës në lande të ndryshme, ku narkomanët lejohen të marrin drogë nën mbikëqyrjen mjekësore. Kjo mund të nxisë rritjen e konsumimit, tërhiqet vëmendja në raport. Në Gjermani ka 24 ambiente të tilla legale. Ekspertët janë të mendimit se krijimi i të tilla ambienteve deri tani ka parandaluar vdekjen prej virusit HIV, mbidozimit apo të tjera sëmundjeve infektive të qindra narkomanëve.
(D.W.)
7 Mars 2008