Kriza e energjisë, Kosova vetëm 50 MW drejt Shqipërisë
Troket kriza e energjisë, KESH përgatitet që të shpallë listën e territ në të gjithë vendin
KUKËS - Kosova nuk mund t'i kthejë Shqipërisë më shumë se 50 megavat/orë energji elektrike për shkak të situatës së vështirë që po kalon Korporata Elektroenergjitike e Kosovës (KEK). "KEK-u i ka borxh KESH-it një sasi energjie prej 130 gigavat/orë energji elektrike, ku në bazë të marrëveshjes ishte planifikuar që kjo sasi të kthehej me nga 120 megavat/orë në ditë, por për momentin ne nuk mund t'i japim Shqipërisë më shumë se 50 megavat/orë dhe kjo sasi energjie jepet pas orëve të mesnatës",- ka deklaruar zëdhënësi i KEK-ut, Nezir Sinani. Ditë më parë, KESH njoftoi se KEK-u po i kthen energjinë elektrike të depozituar në muajt maj-qershor në një sasi prej 120 megavat/orë gjatë 24 orëve. Ndërkohë që situata në liqenet e kaskadës së Drinit vazhdon të jetë e vështirë, ku prurjet janë rreth tre herë më pak se mesatarja shumë vjeçare, madje kanë shënuar një rekord historik përsa i përket sasisë së pakët të prurjeve të ujit në liqenin e Fierzës, ku prurjet kanë shënuar 20-22 metër/kub ujë në sekondë. Sasia e pakët e prurjeve ka ndikuar në rënien e nivelit të liqenit të HEC-it Fierzë. Niveli i basenit të këtij hidrocentrali ka rënë në 276.40 metra, ndërkohë që kuota maksimale është 296 metër, ndërsa ajo minimale 252 metra. Burime të HEC-it Fierzë bëjnë të ditur se në këtë hidrocentral vazhdon prodhimi i energjisë elektrike dhe në punë është vetëm një turbinë, ndërkohë që në periudhë piku vihen në punë edhe turbinat e tjera. Pas mesnate kur fillon importi i energjisë elektrike nga Kosova, prodhimi në HEC-in e Fierzës ndërpritet deri në orën 06:00 të mëngjesit. Kaskada e Drinit dhe energjia e depozituar në Kosovë, rezervat e vetme energjitike të Shqipërisë
Rezerva energjitike që ka krijuar Korporata Elektroenergjitike Shqiptare konsiderohet një burim i vetëm vendas për furnizimin e vendit me energji gjatë periudhës së mbetur të vitit. Sipas të dhënave zyrtare nga KESH, në kaskadën e lumit Drin është krijuar një rezervë hidrike që llogaritet në 930 milion kilovat/orë. Kësaj rezerve i shtohet edhe sasia prej 180 milion kilovat/orë e depozituar në Kosovë. Si rezultat i nivelit të lartë të prodhimit nga vendosja në punë e hidrocentraleve pothuajse me kapacitet të plotë në Shqipëri, nga kërkesat e shumta për energji elektrike, edhe si pasojë e sezonit turistik, niveli i ujit në kaskadën e lumit Drin ka shkuar drejt rënies. Përveç liqenit të Fierzës që bie çdo ditë me 16 cm, rënie kanë pësuar edhe Komani dhe Vau i Dejës, ku niveli i ujit ka arritur respektivisht në 171.90 metra dhe 73.80 metra, ndërkohë që prurjet anësore edhe në këto dy HEC-e llogariten në 22 metra/kub ujë në sekondë.